TIRANE

Kryeinspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, ka folur për inspektimet në terren dhe ka qetësuar fermerët duke premtuar mbledhjen, magazinimin dhe eksportimin e prodhimeve të tyre.

“Isha në Lushnje, ku do të bëhet maksimumi për mbështetjen ndaj prodhimeve, sidmos luleshtrydhes, na premtuan që do merret i gjithë prodhimi me çmime favorizuese. Kemi qenë në kontakt me fermerët, me AKU dhe drejtorin e saj Robert Lili. Duhet që prodhimet të jenë cilësore, i bëj thirrje fermerëve që të jenë të qetë pasi prodhimi i tyre do mblidhet, magazinohet dhe do eksportohet. Kemi patur një situatë me prodhim me bollek, na qëlloi keq situata nga pandemia, çorientuese për tregun. Morëm këtë inciativë, bashkuam interesa të përbashkëta, iu drejtuam Kosovës e Maqedonisë që ta zgjidhim. Është nismë që i çliron dhe i krijon mundësi të reja të zinxhirit mes fermerëve dhe grumbulluesve. Prodhimet tona po prisheshin, por grupi i interesit i instaluar në Shqipëri, me kohë ka fërkuar duart. Detyra jonë bashkë me AKU dhe inspektoriatin shëndetësor është që ata që prodhojnë jashtë standardeve, me kimikate, të këtyre pak kokrrave që na prishin zinxhirin ushqimor, AKU që nga dita e nesërme do t’i asgjësojë”-tha Hajdari.

Shkëlqim Hajdari paralajmëroi burg për kompanitë bujqësore që tregtojnë kimikate që dëmtojnë cilësinë e bimës.

“Kompanitë që i shërbejnë bujqësisë po i japin fshatarëve kimikate që dëmtojnë cilësinë e bimës, do përfundojnë në burg. Kam informacione të bollshme, kishte firma që pranuan pa asnjë fitim, gjithë ndihmat ndaj fermerëve do kalojnë në kontrolle. Nëse firmat i kalojnë me sukses konrollet, atëherë ato do mbështeten nga qeveria. Shqipëria ka krijuar infrastruturë të mirë të prodhimit të frutave dhe perimeve. Problemet janë të mëdha, por në këtë situatë pandemie, prodhoni, prodhoni pa merak dhe me cilësi se i gjithë prodhimi është marrë përsipër nga qeveria dhe kompanitë për eksportin e tyre në Kosovë dhe Maqedoni. Në këtë situatë nuk do lëmë asnjë produkt të prishet, nuk do ketë vend për grosistët e importit që vendosën të prishin prodhimet. Prodhimet tona nuk janë me çmime më të larta se të importit, fermerët tanë fitojnë shumë pak”-nënvizoi Shkëlqim Hajdari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb