SHKODËR – Shtyhet për të tretën herë radhazi gjyqi ndaj Xhoana Hilës dhe Erando Qatipit, të cilët akuzohen për vrasjen e 82-vjeçares Angje Hila. Ngjarje kjo e ndodhur në shkurt të vitit të kaluar në qytetin e Shkodrës. Në seancë ishin të pranishëm familjarët e dy të dyshuarve si autorë të ngjarjes.

Avokatët mbrojtës të dy të pandehurve kërkuan gjykim të shkurtuar. Ndërsa prokurori i çështjes, Xhevahir Lita paraqiti prova të tjera dhe kundërshtoi kërkesën e bërë nga mbrojtja. E pandehura Xhoana Hila pranoi para trupit gjykues se kishte hyrë në banesën e gjyshes së saj me qëllimin për ta grabitur dhe jo për ta vrarë. “Krimin e bëri Erando, i cili e mbyti gjyshen me jastëk. Unë isha në dhomën tjetër dhe e gjeta gjyshen të vdekur”, tha 32-vjeçarja.

Menjëherë ka reaguar ish-i dashuri i kësaj të fundit, Erando Qatipi, i cili pohoi se ditën që ndodhi ngjarja nuk ndodhej në banesën e së moshuarës dhe se krimin e ka kryer Xhoana. “Nuk është ashtu siç pretendon prokuroria, çdo gjë që thuhet është e pavërtetë. Kërkoj gjykimin e drejtë të çështjes”, tha 27-vjeçari. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Luveda Dardha vendosi shtyrjen e seancës për shkak të kompleksitetit që paraqet çështja.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb