Një sasi lëndë plasëse shpërtheu derën e brendshme të një banese trekatëshe në Rrilë të Lezhës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e kësaj të enjteje, ku autorët kaluan rrethimin e banesës së shtetasit Tom Çungu dhe montuan lëndën plasëse në derën e brendshme.
Shpërthimi ishte tepër i fuqishëm dhe dëmet materiale tepër të mëdha, ku veç dyerve dhe dritareve janë shkaktuar shembje të konsiderueshme të mureve të brendshme dhe çatisë së shtëpisë, duke shkaktuar panik te fqinjët.
Në çastin kur ndodhi shpërthimi në banesë nuk ndodhej askush dhe policia bën me dije se pronari Tom Çungu jeton mes Shqipërisë dhe Italisë prej më shumë se 20 vitesh.
Sipas grupit hetimor, dyshohet se autorët janë afruar përmes rrugëve dytësore, pasi nga verifikimet e deritanishme në kamerat e aksit kryesor nuk janë konstatuar lëvizje të dyshimta në orarin e shpërthimit.
Grupi hetimor po administron gjithashtu pamjet filmike të disa bizneseve pranë superstradës, për të identifikuar çdo lëvizje që mund të lidhet me ngjarjen. Deri tani, nga hetimet paraprake nuk rezulton që familja Çungu të ketë pasur konflikte apo precedentë problematikë.
Policia thotë se ende nuk janë identifikuar autorët që montuan lëndën plasëse në derën e vilës trekatëshe në Rrilë dhe në drejtimin e Prokurorisë Lezhe po kryhen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor te rastit.
