Analisti Fatos Lubonja ka komentuar perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Lubonja u shpreh se brenda vendeve kryesore të BE-së ka pasur qëndrime të ndryshme për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Ishin dy grupe shtetesh nga këta të rëndësishmit. Një grup ishin entuziastë për integrimin e Shqipërisë, mes të cilëve Franca e Macronit, dhe shtete kundër si Gjermania dhe Holanda”, deklaroi ai.

Sipas Lubonjës, gjatë diskutimeve për raportin IBAR është kërkuar më shumë kujdes dhe jo një avancim i nxituar i procesit.

“Në diskutimin e IBAR është thënë që nuk mund të kalojë kështu me entuziazëm. Ndaj u bë kjo zgjatje dhe këto ndryshime”, u shpreh analisti.

Ai shtoi se miratimi i raportit përbën një zhvillim pozitiv për qeverinë shqiptare, por paralelisht sipas tij janë evidentuar edhe problematika të lidhura me figurën e Belinda Balluku.

“Nga një anë kemi faktin që raporti kaloi dhe kjo është pozitive për qeverinë, ndërkohë që ana tjetër janë ndryshimet për Ballukun që janë bërë”, tha Lubonja.

Analisti mbajti një qëndrim kritik për ecurinë e Shqipërisë në raport me standardet europiane, duke argumentuar se vendi ka shënuar regres, por po favorizohet për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe lobimit diplomatik.

“Sipas meje Shqipëria ka bërë hapa pas, dhe për arsye gjeopolitike Europa do ta bëjë këtë punë dhe arsyeja e dytë është lobingu i Ramës”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb