Nga Kiço Blushi


Kur ishte Berisha kryeministër, tentoi të joshte Berluskonin, këtë ashik gjysmë démodé e gjysmë modern, falë operacioneve plastike dhe lirshmërisë që të jep pushteti i parasë, duke e paraqitur Shqipërinë si një bordello këndellëse, meqë matanë Adriatikut ka pak vajza të bukura…


Pasuesi i tij Rama u ofron ndërkombëtarëve një qasje tjetër, më karizmatike, më “kapitaliste”. Pasi deklaroi para ndeshjes me kombëtaren e Italisë se gjyshja e tij nuk kishte pas qenë kurrë më e lumtur se kur Italia fitoi kupën e botës në futboll, në takimin zyrtar me presidentin italian përsëdyti të njëjtin refren për investitorët: Ejani në Shqipëri, se këtu (kuptohet: jo si te ju!), nuk ka sindikata “që t’ju marrin shpirtin” me greva, protesta dhe kërkesa për të drejtat e punëtorëve…


E thënë më troç, fjalët e kryeministrit duhen kuptuar kështu: përveç informalitetit të lartë, krahut të lirë të punës, mundësisë për të pastruar paratë e pista, në Shqipëri nuk do të pengoheni nga sindikatat, d.m.th. do të keni lehtësira e mundësi të pakufizuara për të fituar më shumë e më lehtësisht se kudo. Pra, edhe po t’i punësoni shqiptarët në të zezë, edhe po t’i trajtoni si skllevër, edhe po të shkelni ligjet, edhe po të keqpërdoroni e shkatërroni mjedisin dhe pasuritë natyrore (si ndozot “Bankers”, licencat për hidrocentrale mbi lumenj apo për fabrikat e çimentos…), jo vetëm sindikatat që nuk do t’ju bëhen ferra nëpër këmbë, por as organet qeveritare!

Në Evropë jo se jo, por edhe në Ballkanin Perëndimor vështirë të gjendet “një parajsë” e tillë, ku edhe mediat, sipas kryeministrit, janë kazan, ku gjykatat dhe policia mund të blihen e korruptohen, ku shoqëria civile ka katandisur për kryeshëndoshë e “nuk i dihet as vorri” dhe ku, edhe opozita aktuale e Bashës është për “ku thërret qameti”… Pra, jeni të mirëseardhur e të mezipritur në shtetin që ende nuk është bërë shtet e që mund të quhet shtet i hyrjabyrjes!

Përfaqësuesit tanë të lartë janë kaq të papërgjegjshëm, sa nuk e dinë e madje as që duan t’ia dinë se të tilla deklarata të turpshme nuk janë personale, as sezonale, ndaj nuk mund të vlerësohen sipas shprehjes “më ka çue nana me la gojën…”.

Në gojën e një kryeministri (kushdo qoftë ky!), ato automatikisht marrin tjetër ngarkesë, tjetër peshë, tjetër vlerë, meqë përfaqësojnë një shtet (sidoqoftë ky!) me qytetarë, të konsideruar “të dorës së dytë”, nga fakti që nuk kanë sindikata dhe iu mungon kultura demokratike për të protestuar e mbrojtur të drejtat që u takojnë me Kushtetutë…

Pyetja në këtë rast është: Kush është fajtor që te ne nuk ka sindikata me autoritet? Ose, për të qenë të saktë, përse edhe ato që janë, janë kthyer në vende strehimi për horrat dhe hajdutët profesionistë, të cilët, pasi rrjepin, rropatin e tjetërsojnë pronat e ish-Bashkimeve Profesionale, ikin “në drejtim të paditur”, pa u hyrë gjemb në këmbë?

Është përgjegjëse shoqëria, paaftësia e ne qytetarëve për t’u vetorganizuar­, apo politika së cilës, pavarësisht kush është në pushtet, i leverdis kjo palo demokraci pa gojë e pa gjymtyrë?

Pasoja më e përkeqtë është se, pas këtyre thagmave, të dala e të stërpërsëritura nga një kryeministër fuqiplotë, siç është aktualisht Rama, nuk ka se si dhe përse të vijnë në Shqipëri investitorë të ndershëm, firma e kompani serioze e të fuqishme, po vetëm mafiozë, ca “bosë” më të sofistikuar dhe më me imunitet se këta tanët… A nuk ka ndodhur kështu në këtë çerek shekulli?

***

Sidoqoftë, ndryshimi mes dy ofertave, e para për femrat e bukura, që iu bë Berluskonit, e dyta si ndjellje hileqare për investitorët italianë, nuk është gjuhësor. As thjesht etik e moral. Por një sjellje tipike prej lapërdhari e puthadori ballkanik që as nuk skuqet e as nuk zverdhet kur turpin e ha me bukë. Sjellje, që tekefundit dëshmon për dinjitet minimal, për mendësi të degraduar të shtetarëve tanë, të cilët kanë provuar se për të ardhur e për të mbetur në pushtet janë të prirur e të gatshëm të poshtërojnë veten, vendin, shoqërinë; të mburren edhe me cenet e marrëzitë; të luajnë rolin e klounit para mbretit; të nxjerrin në mexhlis edhe teshat e palara; të bëhen gaztorë e ekstranormalë e të shfaqen me tishërte e atlete nëpër protokolle të nivelit të lartë, mjaft që të tërheqin vëmendjen e t’u hyjnë në qejf padronëve ndërkombëtarë.

Mbifuqia që u dhurohet ambasadorëve amerikanë dhe nevoja e papërmbajtur për t’u fotografuar me Merkelin e Trumpin, e ilustron për bukuri këtë dukuri panballkanike.

***

Në Serbi kur, para ca ditësh, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Daçiç guxoi të paralajmëronte ambasadorin amerikan, duke i kërkuar “të mos fuste hundët në punët e brendshme të Serbisë”, meqë ai kritikoi ministrin e Mbrojtjes që paskësh lavdëruar kriminelët e luftës në Kosovë e Bosnjë, u duk si veprim i çuditshëm dhe kurajoz, “jashtë rregullit”…

Por shpejt u pa se Daçiç nuk kreu ndonjë akt dinjiteti prej shtetari, sesa karshillëk, për ta rritur pazarin e Beogradit te amerikanët… Ka dy lloje servilësh: disa e pranojnë e nuk e fshehin puthadorllëkun, se ia dinë vlerën; disa shtiren si esnafë dinjitozë. Të dytët janë më të pështirë. Se janë edhe snobë. Kështu, thuajse në të njëjtën kohë me përgjigjen “dinjitoze” që i dha ambasadorit amerikan, për t’i hyrë në zemër sulltanit të ri të Turqisë, “vllaut Erdogan”, Daçiçi, në darkën zyrtare luajti rolin e një tallavaxhiu oriental, duke kënduar për nder të tij këngën turke “Osman Murat”.

Turqia dhe Rusia, jo pa sukses po përdoren nga dyshja Vuçiç-Daçiç si shemra për të shtyrë në ngasje Brukselin dhe Uashingtonin. Edhe pse Rama në Kosovë u ul këmbëkryq me Erdoganin, duke shpallur edhe ai “vëllazërinë”, të cilën, me sa po duket, po e humb (sigurisht, jo se nuk e pamë të këngëzonte otomanisht “Osman Muratin”), por se nuk di nga të anojë, nga gylenistët apo erdoganistët…. Hall i madh të jesh lapërdhar në politikë! Hall i madh e ka zënë edhe Ramën me profesorin turk, gylenist, të arrestuar e të liruar. Kujt t’ia prishë, Brukselit apo Ankarasë? Kështu e pësoi edhe Berisha me Erdoganin.

Serbët nuk u bënë thirrje investitorëve turq, të cilët do të hedhin disa miliard euro investime në Serbi, duke i ndjellë me “ejani se te ne nuk ka sindikata”, por kanë vendosur të bëjnë diplomaci ndryshe. Sepse, si e ka shprehur vetë Daçiçi, “diplomacia dhe fitoret diplomatike nganjëherë arrihen me këngë, me sharm, me shakara të mira, dhe jo me ultimatume, me reciprocitet dhe forcë”.

Kjo lloj diplomacie, e alternimit të karshillëkut të djeshëm me “fytyrën e dytë” të paqësorit të sotëm, qoftë edhe duke mbrojtur dhe rehabilituar kriminelët e luftës, të dënuar nga Haga, i bën zyrtarët serbë të shpresojnë të jenë më të pëlqyeshëm e më pranë anëtarësimit në BE se ne. Ndonëse rrugët që zgjedhin shtetarët ballkanikë janë të ndryshme, fakti që ata vuajnë nga e njëjta sëmundje, që kanë të njëjtin kompleks inferioriteti, zor të besohet se, duke kënduar live para tyre, duke u veshur me adidas, duke bërë shakara të mira, ata do të kenë më shumë sukses se udhëheqësit fqinjë…

***

Vetëleqendisja para të mëdhenjve është një dukuri e njohur dhe aq e rëndomtë e krerëve ballkanikë, sa opinionit publik tanimë nuk i bën më përshtypje kur sheh liderët e vet të shfaqen para kamerave sa harbutër e arrogantë me popullin e po aq servilë, të përulur, pa dinjitet e pa pikë respekti për veten kur gjinden përballë udhëheqësve të fuqishëm. Merkeli do të jetë ndjerë në siklet nga “buzëqeshjet” e sforcuara e shtinjake të dashurisë së Ramës dhe Vuçiçit, por nuk e ka bërë veten, se nuk është aq e pasjellshme, si Trumpi, kur shtyu kryeministrin malazez, kur ky, për të dalë në foto në rresht të parë, përdori bërrylat…

Por le të kthehemi te “mungesa e sindikatave”, të cilat kryeministri ynë kërkon t’ua hedhë investitorëve italianë si një karrem.

Edhe pse ato sindikata që kemi janë për “mos qofshin!”, fakti që janë të tilla, nuk është mburrje, por turp e faqe e zezë, pasi kjo është prova më kokëfortë e më e zezontë e një shoqërie që gjendet në pikë të hallit, e një shoqërie me demokraci të cungët, formale, të gënjeshtërt, ku qytetarët, punonjësit, nëpunësit, përfshi dhe intelektualët, gazetarët e shkrimtarët janë kryekrejt të pambrojtur nga abuzimet, arbitrariteti, arroganca e zyrtarëve dhe e të ashtuquajturve oligarkë.

Si mund të mburret një kryeministër me këtë realitet? /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb