Gazetari Blendi Fevziu rrëfeu në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, rrugëtimin e tij si shkrimtar, mënyrën aspak të zakonktë si nisi të shkruajë librin “Tirana e Nonës”, dhe pse ka zgjedhur pikërisht këtë titull.

Fevziu tregoi se ka nisur të shkruajë në avion, prej ku ka shkruar edhe dy kapitujt e parë të librit, në një fluturim për në Honolulu, në nëntor të vitit të kaluar.

“Diku në nëntor të vitit të kaluar, mbaj mend sapo filloi 28 nëntori unë kisha fluturuar nga Stambolli në San Francisko dhe do të shkoja më pas për në Honolulu, dhe në momentin që hipa në avion është diku rreth 6 orë e gjysmë fluturim, unë kisha bërë 1 orë fluturim kur hapa ipad, dhe fillova të shkruaja, të gjithë flinin, kisha edhe gocën e madhe ngjitur që edhe ajo flinte, dhe kur avioni preku pistën e Honolulusë, diku në orët e para të mëngjesit, unë kisha shkruar dy kapitujt e parë të librit dhe pastaj kam vazhduar me të njëjtin ritëm, çdo ditë, po ishte një orë komplet e izoluar, ishte një orë që e lija mënjanë celularin, vetëm për ndonjë emergjencë vinte ime shoqe për të më thënë ndonjë reagim, mbyllesha i gjithë dhe futesha në atë botë”, u shpreh Fevziu.

Sa i përket titullit, gazetari sqaroi se nuk evendosi “Tirona e Nonës”, pasi donte që të kishte dy fjalë dialoktore.

Pse Tirana e Nonës dhe jo Tirona e Nonës?
Në fakt Tirona e Nonës ka qenë në versionin e parë, por duke zhvilluar librin kishte një problem. Kishte dy fjalë në dialekt, që qëndronin bashkë në titull, që nuk tingëllojnë mirë, dhe kishte edhe një shpjegim që qëndron me tekstin në brendësi të tij, dmth në gjykimin tim, mendoja që ‘nona’ mbeti po ‘nona’ gjithë jetën e saj, pra mbeti një tironse e pandryshuar, nga tjetërsimi i qyteteve, ndërkohë që Tirona autoktone me ardhjen, me shndërrimin në kryeqytet, u bë Tirana, sepse u bë një qytet heteregjon, edhe një sfidë e përbashkët e të gjithëve. Nuk ishte më një qytet i një personi, ishte një Tiranë e të gjithëve, me të cilën mbetej deri diku edhe si një relike, por edhe me një lloj kontributi personazhesh, që kishin jetuar në këtë Tiranë, përpara se të shndërrohej në kryeqytet. Pra, përpara se sa Tirona të behej Tirana, në një farë kuptimi. Për këtë arsye, vendosa t’ia ndryshoja titullin, edhe pse kam patur shumë reagime.

Ndoshta s’tingëllon keq, Tirona e nonës..
S’ka rëndësi, ajo mund të tingëllonte njësoj në tingëllimin tim personal, ashtu e thërras dhe ashtu tingëllon, por në përgjithësi në titull i vendosa këtë tjetrën. Të jesh e sigurt që sot ka shumë më tepër njerëz që thonë Tirana se sa Tirona, edhe si llogjikë të shprehuri të përditshëm. Edhe kur jam në panair persona që vijnë blejnë librin dallojnë menjëherë ato që thonë më jep një Tirona dhe ata që thonë më jep një Tirana. Edhe referencat janë shpesh herë të ndryshme. Psh, mbaj mend kur bëja 20-vjetorin e emisionit ‘Opinion’, në sheshin Nënë Tereza, ne iu thoshim për arsye të remineshencës te Korpusi qëndror i Universitetit, ashtu ishte mësuar, ndërkohë një pjesë e njerëzve e dinin, një pjesë ngeleshin dhe i sqaronim te sheshi Nënë Tereza. Pra, referencat ndryshojnë me kalimin e kohës dhe libri flet pikërisht për këtë, për mënyrën se si kanë ndryshuar referencat në qytet. Në kohën e mbretërisë ti kishe kafe Kursalin, Londonin, Bella venencian, Berlinin. Ndërkohë, me kalimin e kohës ndryshuan, u bë kafe Flora, kafe Partizani, Pastiçeri Rinia, pra ndryshon stili në përgjithësi i referencave në qytet.

Përpara se të hymë në brendësi të librit, je në panair çdo ditë, si është interesi për librin këtë vit?
Është i mirë. E para është një panair që ka shumë libra, ka shumë botime, ka shumë autorë shqiptarë, qoftë të letërsisë, qoftë të zhanereve të tjera. Unë besoj që çdo njeri që shkruan një libër, duhet përgëzuar në mënyrë absolute. Kam dëgjuar që ka pakënaqësi, thonë ‘si mund të shkruajë një libër kjo/ky’, ‘a ka aftësi’, por mirë dakord mund të mos ketë aftësi në gjykimin tuaj, por fakti që ulet para kompjuterit dhe tenton të hedhi idetë, mendimet, impresione, ndjenja, përbën një avantazh shumë të madh në raport me atë që rri gjithë ditën në kafe dhe gjykon të tjerët. Pra, edhe në këtë aspekt, ka libra që nuk ke pse t’i paragjykosh midis tyre.

Ke autorë të rinj, është Elsa Skënderi me ‘Krom dhe luledielli’, është një libër jashtëzakonisht interesante për të kuptuar, sidomos në stil, i jashtëzakonshëm, për të kuptuar një lloj letërsie krejtësisht ndryshe nga letërsia tradicionale. Madje po e bisedoja me Preç Zogajn ka një sërë autorësh të rinj dhe shumë interesant. Mustafa Nano kishte një roman shumë interesant. Preçi .. po Preçi hyn te shkrimtarët klasikë. Tani unë shpenzoj një lloj kohe për të lexuar autorët shqiptarë, aq sa mundem, sa më lejon koha.

Është ribotimi i plotë i Andi Bejtes që është mahnitës si vëllim me poezi, për fatin e keq Bejtja nuk shkruajti më mbrapa poezi të atij niveli që ka në fillimet e tij. Shoh që tërhiqet shumë libri i Iva Tiços, nuk kam arritur ta lexoj, por shoh që ka një miksim mes personazheve publikë dhe librit. Dhe në fund të fundit kështu ndodh se nuk ka si ndodh ndryshe, nuk ndahen dot gjërat.

Momentin që mendon në numër, i 14 titull nga ju, si ia dilni me kohën? Keni një emision që e bëni nga e hëna në të enjte, ju merr një pjesë shumë të mirë të ditës, sikurse edhe angazhime të tjera. Sa kohë të duhet për të shkruar?
Shiko, ky libr ka qenë pak më ndryshe. Të gjithë librat e tjerë unë i kam shkruar në verë. Dmth i shkruaj diku në fund të qershorit, kur bie ritmi i emisionit dhe i mbaroj në fund të gushtit, duke shpenzuar jo pak kohë për librin.

Ky libër sa kohë ka marrë?
Ky është libër që është shkruar për rreth 3 muaj, megjithëse në kaq janë shkruar të gjithë librat e mi. Kam patur më shumë kohë fizike, se duke qenë në verë, unë çohem në mëngjes shkruaj rreth 1 orë e gjysmë, dy ore, dal kryesisht në plazh apo ku të jem, kthehem prap në drekë, shkruaj dy orë pas dreke dhe në darkë pastaj edhe 2-3 orë të tjera, pra merrem gati 6-7 orë në ditë në ver. Kurse këtu ishte shumë e vështirë, e para është një libër ndryshe nga librat e tjerë. Nuk është një libër historik ku ti mbështetesh mbi fakte, duhet të jesh kreativ gjatë gjithë kohës. Ky libër ka nisur në nëntor të viti të kaluar, e kam shpjeguar ka qenë një histori e çuditshme. Kam 25 vjet që dua ta shkruaj këtë libër. Jam kthyer vazhdimisht, që kur një nga personazhet e fundit iku nga kjo botë në vitin 1994. Të nesërmen e ikjes së saj, unë kam menduar që të shkruaj diçka për to.

Dhe e mbaj mend si tani, kam hapur një bllok, në atë kohë shkruaja me stilolaps, mbi një bllok, e doja ta nisja dhe shkruajta vetëm titullin, që titulli ishte 3 gra dhe pastaj ngela nuk e shkruajta më kurrë. Më pas e kam hapur kompjuterin me dhjetëra herë për të nisur këtë gjë, diku para 16 apo 18 vjetësh, hapa një folder ku shkruajta Tirana ku futa gjithë gjërat që më kujtoheshin që mos t’i harroja, megjithatë ai folder kishte mbetur mënjanë. Diku në nëntor të vitit të kaluar, mbaj mend sapo filloi 28 nëntori unë kisha fluturuar nga Stambolli në San Francisko dhe do të shkoja më pas për në Honolulu, dhe në momentin që hipa në avion është diku rreth 6 orë e gjysmë fluturim, unë kisha bërë 1 orë fluturim kur hapa ipad, dhe fillova të shkruaja, të gjithë flinin, kisha edhe gocën e madhe ngjitur që edhe ajo flinte, dhe kur avioni preku pistën e Honolulusë, diku në orët e para të mëngjesit, unë kisha shkruar dy kapitujt e parë të librit dhe pastaj kam vazhduar me të njëjtin ritëm, çdo ditë, po ishte një orë komplet e izoluar, ishte një orë që e lija mënjanë celularin, vetëm për ndonjë emergjencë vinte ime shoqe për të më thënë ndonjë reagim, mbyllesha i gjithë dhe futesha në atë botë.

Ishte shume e vështirë që të futeshe në kaseta, por kësaj here ishte libri dhe shtysa e tij më e fortë se sa unë kështu që e mbarova diku nga mesi i shkurtit, e lashë nuk e preka fare, iu riktheva në gusht e rishkrova edhe një herë pastaj pasi dëgjova disa kritika shumë të forta të Aurel Plasarit e rishkrova, për një herë të trete dhe një herë të katërt. Dhe kam përshtypjen që po ta shkruaj për një herë të pestë, prap do kisha gjëra për të ndryshuar. Unë personalisht, siç do autor, e kam ndjesinë kur një libër është i mirë, jo vetëm për nostalgji, dhe unë e dija që ky ishte një libër i mirë, ndoshta më i miri që kisha shkruar. Po natyrisht kisha nevojë për konfirmim.

Do të doja të pyesja pasi të gjithë librat për një autor, për një shkrimtar.. pra ka një preferecë edhe për këtë.
Jo, ka më shumë një gjykim se sa preferencë. Nuk di të them nëse ishte preferencë. Di të them që ky ishte realisht libri im më i mirë. Për mua, jo gjithmonë jam unë që e vendos këtë gjë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb