Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njëkohësisht kandidat në listën e hapur të Partisë Socialiste në Tiranë, u shpreh gjatë një interviste në “Open” në News24 se fushata aktuale duhet të jetë një garë e ndershme dhe e koordinuar brenda radhëve të PS, duke shmangur përçarjet dhe veprimet të pakontrolluara.
Duke komentuar rreziqet e mundshme që sjell gara në listat e hapura, Gonxhja theksoi rëndësinë e etikës mes kandidatëve:
“Çdo qytet ka puls dhe kulturë zgjedhore të vetën. Në njësinë 6 ku unë jam drejtues politik, çdo kandidat është i lirë të kërkojë mbështetje, por rregullat janë të qarta: pa koordinim me drejtuesin politik nuk mund të bëhen organizime të mëdha elektorale.”
Ai vuri në dukje se nuk është e pranueshme që struktura zyrtare të përdoren për qëllime personale që krijojnë kaos në fushatë:
“Nuk është korrekte dhe nuk është e drejtë të përdorim strukturat e partisë për të bërë rrëmujë. Takimet me të rinjtë, qytetarët jashtë strukturave, janë të mirëpritura, por pa koordinim me njësitë dhe pa tejkaluar vijat e kuqe.”
Gonxhja apeloi për një frymë bashkëpunimi dhe respekti brenda fushatës së PS, duke theksuar se qëllimi i përbashkët duhet të mbetet fitimi i besimit të qytetarëve dhe thellimi i përmirësimeve në vend.
(BalkanWeb)