“Të lexosh sot Lasgush Poradecin do të thotë të ringjesh brenda vetes potencialin e pashtershëm të artit dhe të dashurisë, të cilat ai i sillte si forca e përjetshme e universit” ka pohuar Kumbaro në Pogradec në një homazh për 30-vjetorin e ikjes së poetit.

Në një ceremoni që u zhvillua në qytetin e tij të lindjes Pogradec, përfaqësues të artit dhe kulturës sollën kujtime për poetin e liqenit nëpërmjet poezive të tij. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj e ka cilësuar Poradecin si lirikun më të madh të shekullit të kaluar, si poeti i parë modern shqiptar dhe liriku më i madh i shek. XX. Lasgush Poradeci nuk e rreshti kurrë kërkimin: kërkim i përhershëm, liri në shprehje, liri në shkrim; liri në mendje.

Kumbaro vizitoi edhe Qendren Historike te Pogradecit, si dhe ambientet e shtëpisë së poetit Lasgush Poradeci duke diskutuar me pronarin e banesës për të finalizuar një projekt për jetën e veprën e Lasgush Poradecit, e cila “Nuk është thjesht një pikë pelegrinazhi në emër të Lasgushit, por një pikë takimi për njerëzit e artit. Është vetëm fillimi, sepse është pjesë e një projekti më të gjerë, që është qendra historike e Pogradecit, e shpallur në vitin 2015 nga qeveria shqiptare, e cila do ti nënshtrohet rijetëzimit dhe restaurimit siç ka ndodhur me Korçën. Identifikim i thekseve të rëndësishme kulturore brenda qendrës historike të Pogradecit, ku bën pjesë edhe shtëpia e poetit është një ndër gurët kilometrikë që duam të ecim”- u shpreh Kumbaro.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: