Nga BESNIK BAKIU

Tmerri që kemi përjetuar këto ditët e fundit nga krimi në familje të lë pa frymë dhe pa fjalë. Në Fier bashkëshorti dhunon gruan dhe e hedh nga dritarja e katit të katërt të pallatit, kurse në Korçë babai var dy fëmijët e vet të mitur të moshës 4 dhe 6 vjeç, pastaj edhe veten. Ngjarje që edhe filmat horror nuk kanë pasur fantazinë t’i realizojnë. Më keq nuk ka! Situata e krimit në familje është agravuar në përmasa të tilla, që pothuaj është duke kaluar çdo kufi njerëzor dhe është vazhdimisht duke u ekstremizuar. Këto krime janë realizuar me çdo mjet të mundshëm (armë zjarri, mjete të ftohta, me litar dhe mbytje, me sëpatë etj.). Këto mostra që vegjetojnë në gjirin e familjes, flet se më e pakta nuk janë njerëz normalë, por “bisha me gjak të ftohtë”. Sinqerisht prisja një reagim shoqëror të madh, por si gjithmonë asgjë.

“Çudia më e madhe zgjat tri ditë”, themi ne shqiptarët, por këtu as tri ditë nuk zgjat, sepse fashiten nga probleme “shumë më të mëdha” që kemi ne shqiptarët. Reforma në drejtësi, hapja e negociatave me BE-në, zgjedhja e Trampit president në SHBA, referendumi në Itali etj. ngjarje si këto, janë kryefjala që ka pushtuar jo vetëm ekranet e televizioneve, faqet e gazetave, deklaratat e politikanëve, por edhe kafenetë shqiptare. Njerëzit kur takohen, pas pyetjeve rutinë mbi shëndetin, familjen dhe punën, menjëherë flasin për këto ngjarje. Edhe politikanët tanë heshtën; vetëm ndonjëri/a u mjaftuan me status në rrjetet sociale! Kurse shoqëria civile ishte “e zënë” me aplikimet e fundvitit për të siguar grante për “të mbrojtur familjen”! Vërtet na ka humbur ndjeshmëria? Vërtet nuk po e marrim vesh që familja shqiptare është në depresion? Vërtet nuk e kuptojmë se kriza më e madhe shoqërore që kalon shoqëria jonë është “defunksionalizimi i familjes”?

Apo fshihemi si struci dhe vazhdojmë me mendësitë komuniste e postdiktatoriale se “familja shqiptare është më e fortë në botë”, duke harruar atë që na ka thënë Emil Zolaja, “nëse e varrosim të vërtetën, ajo do të rritet nën dhe, derisa të shpërthejë duke shkatërruar çdo gjë që i del përpara”. Familja sot është streha më e pasigurt për gratë dhe vajzat shqiptare, pasi është kthyer në vendin ku ndaj tyre ushtrohet dhunë më shumë se kudo. Të njëjtën krisje kanë pësuar edhe marrëdhëniet ndërmjet brezave, duke përfshirë ato prind-fëmijë dhe ato që kanë të bëjnë me brezin më të vjetër. Familja, e cila te ne historikisht ka përbërë bazën e njësisë, duke zëvendësuar jo rrallë shoqërinë edhe vetë shtetin (që më shumë nuk e kemi pasur), familja që duhej të ishte shembull për sho- Nga Besnik Bakiu qërinë në tërësi, ka humbur dhe po e humb dita-ditës këtë rol, duke e kthyer shoqërinë në një shoqëri konfliktuale. Sot me dhimbje mund të themi se familja ka qenë, por nuk është më… Ky depresion ka kohë që troket kërcënueshëm në dyert e shoqërisë shqiptare, duke rrezikuar të ardhmen e saj, e cila u gjend e papërgatitur për të përballuar pasojat që solli kalimi i shoqërisë nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur.

Duket sikur terapinë-shok që kaloi ekonomia e pësoi edhe familja. Tradicionalisht, familja ka qenë institucioni që jo vetëm ka garantuar intimitetin, dashurinë dhe dhembshurinë ndaj individit. Ajo ka qenë gjithashtu njësia bazë e jetës ekonomike, politike, njësia bazë e strukturave shoqërore, institucioni më i rëndësishëm edukativ, arsimor, kulturor etj. Kurse sot “defunksionalizimi” i familjes ka sjellë shkatërrimin e elementëve më të qenësishëm të jetës sociale të njeriut. Sot familja shqiptare vuan nga: mungesa e edukimit për liri dhe për përgjegjësi (liria pa përgjegjësi është anarki), privatizimi i lidhjeve afektive (punë për mua, mos ndërhy në jetën time private); largësia me familjen (pjesa dërmuese e kohës kalohet jashtë familjes). Shoqëria jonë pasqyron mënyrën si kemi edukuar fëmijët e së shkuarës. Kur ata edukohen keq, nuk mbrohen nga dhuna, bëhen vetë të dhunshëm, goditet shoqëria e së ardhmes.

Krimi në familje është kthyer në një fenomen të frikshëm, dhe kjo ndikon negativisht jo vetëm në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë (grave, fëmijëve dhe të moshuarve), por edhe në stabilitetin e familjes tradicionale, pasi shoqëria shqiptare nuk i ka ende instrumentet e duhura për ta përballuar krizën e familjes. Raportet zyrtare tregojnë se fenomeni i krimit në familje rritet vit pas viti. Burri që vret gruan, gruaja që vret burrin, babai që përdhunon të bijën, vëllai që rreh motrën, fëmija që vret prindërit, vëllai që vret vëllanë, prindër që detyrojnë vajzën të prostituojë, nëna që braktis foshnjën etj. Edhe pa këto ngjarje, ai është i traumatizuar e i mbingarkuar me streset e përditshmërisë për përballimin e mbijetesës biologjike dhe nuk është në gjendje të përballojë edhe një ngarkesë të tillë emocionale. Po të analizosh tipologjinë dhe gjeografinë e krimit në familje, konstatohet se ai ka një gamë shumë të zgjeruar. Nuk ka dallime intelektuale, arsimore, krahinore apo gjinore. Krimi është kudo.

Është vështirë të dallosh realitetet urbane nga ato rurale, apo krimin urban nga krimi rural. Personazhet e kronikave të tilla u përkasin zonave gjeografike dhe shtresave shoqërore nga më të ndryshmet. Ata gjenden si në fshat, ashtu edhe në qytet; janë punëtorë, bujq, intelektualë, biznesmenë, me një prirje të dukshme drejt seksit femër dhe moshave më të reja, ose më të vjetra. Gjeografia e tyre shtrihet në gjithë territorin, ku bie në sy makabriteti i tyre. Teknikat e krimit janë të pamëshirshme dhe egërsia që ato shprehin është e jashtëzakonshme. Natyrisht, krimi dhe dhuna e shfaqin në çdo rast aspektin më brutal të njeriut, por po t’i shikosh me vëmendje teknikat e përdorura në këto krime, nuk ke si të mos konstatosh një egërsi dhe brutalitet përtej egërsisë dhe brutalitetit të zakonshëm. Studiuesit rendisin si shkaqe të këtij fenomeni gjendjen ekonomike, xhelozinë, konsumimin e alkoolit, bixhozit, emigracionin, papunësinë, shkollimin e pakët, mosmarrëveshjet për pasuri dhe prona, bashkëjetesën pas zgjidhjes së martesës, mospërballimin e kushteve të jetesës.

Sipas tyre, shteti nuk ofron mundësi për parandalimin e këtij krimi, por përkundrazi, ka krijuar liri të tepruar edhe për “kriminelët”. Por e vërteta është tjetërkund. Kam frikë se kjo shoqëri, shtetasit e këtij vendi, e kanë grisur dhe shqyer kontratën sociale që duhej të kishin mes vetes dhe me institucionet e tyre, e cila do të vendoste rregulla për legjitimitetin e autoritetit të shtetit dhe mes individëve. Nëse Thomas Hobbes do e merrte në shqyrtim shoqërinë tonë, ai do i cilësonte shqiptarët e sotëm si individë në “gjendje natyrore”, të përfshirë nga instiktet dhe jo nga rregullat e të jetuarit në shoqëri. Sot, kur jemi ende në kohë të reflektojmë mbi këto probleme e shqetësime, pa i lënë ato të rëndohen dhe të bëhen të pashërueshme, vazhdojmë si struci t’i fshihemi realitetit me pseudoarsye, duke i kërkuar shkaqet e së keqes larg nesh, duke akuzuar abuzivisht “Kanunin e maleve”.

Por po të lexosh me vëmendje dhe pozitivisht Kanunin e Lek Dukagjinit, rezulton e kundërta. Kanuni (nyja 9: 19) sanksionon se: “Familja asht nji të mbledhun gjymtyrësh, të cilët gjallisin nen nji kulum, qellimi i të cillvet asht të shtuemit e gjindes nepermjet të martesës, të mkabunit te tyne kah zhdrivillimi i shtatit e kah zhvillimi i mendes e i shises”; …. “Familjen e perbajn gjindja e shpise; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashku permblidhen në nji Familje ma të hapët, e cila quhet Komb, e kan nji atdhe, nji gjak, nji gjuhë, e doke”. Këtë situatë e bën më të rëndë pasqyrimi i ngjarjeve të tilla në media pa kriter. Kjo e rëndon akoma më shumë psikikën tonë dhe atmosferën në jetën e qytetarit të thjeshtë. Jo rrallë media është kthyer në mediaviolencë. Dhuna që jepet në to, jo vetëm ka rritur potencialin dhe shfaqjet agresive e antisociale, por ka nxitur imitimin, modelin për t’u ndjekur, atë të heroit agresiv, kriminal, të dhunshëm dhe të pashpirt.

Po të studiojmë politikat dhe qëndrimet proaktive të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, rezulton se: është krijuar një strukturë e posaçme për mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të dhunës në familje; janë bërë përmirësime ligjore në këtë drejtim; janë kryer trajnime të vazhdueshme për punonjësit që janë të angazhuar drejtpërdrejt në parandalimin e dhunës në familje, por gjithçka vijon të mbetet si më parë. Pra pushteti vendor, autoritetet shtetërore, shërbimet sociale, shkollat, gjykatat dhe policia deri tani janë treguar të pafuqishme për të frenuar këtë dukuri masive në familjen dhe shoqërinë shqiptare. Dhuna në familje nuk mund të zgjidhet vetëm nga forcat e rendit (të cilat duhet të përshëndeten, se po kryejnë si kudo edhe detyrat e agjencive të tjera apo shoqërisë civile), por duhen marrë masa të gërshetuara nga shumë institucione, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj dhunuesit që të përmirësohet, edhe ndihmën ndaj fëmijëve, që dhunohen bashkë me nënat në familje, e që rrezikojnë të bëhen përsëritës të dhunës vitet e ardhshme. Ky është një proces i tërë, i cili nuk mund të realizohet me seminare e konferenca të zhvilluara në salla të mbyllura, apo thjesht me projekte-stereotipe të cilat nuk japin zgjidhje për fenomenin, por vetëm përfitime për organizatorët.

Procesi i rimëkëmbjes së familjes, dhe si rrjedhojë edhe ai i shoqërisë shqiptare, është një proces që ecën paralelisht me proceset e tjera të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, atij juridik e ligjor, atë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e ordiner. Shteti dhe qeveria kanë detyrë të kujdesen për të krijuar e zbatuar projekte konkrete e afatgjata, ku të përfshihen shtresat më të goditura të shoqërisë, për punësim, edukim, strehim dhe integrimin e tyre në shoqëri. Ky proces duhet parë si një betejë me të keqen e madhe, ku hapi i parë duhet të jetë ai i pranimit të realitetit; se deri më sot shteti shqiptar me gjithë organizmat politikë e shoqërorë ka dështuar t’ia dalë për të frenuar fenomenin e “rrënimit” të familjes. Ky nuk do të ishte vetëm hapi i parë, por edhe një pikë kthese, një lëvizje që do të ndizte dritëzën e shpresës për frenimin e shkatërrimit të bërthamës së shoqërisë shqiptare, familjes.

Sigurisht, familja perfekte nuk ekziston dhe as që duhet kërkuar, por familja reale, familja funksionale po. Për ta pasur këtë familje duhen luftuar shkaqet që e vënë atë në rrezik: injoranca, varfëria, padrejtësia, pasiguria, humbja e moralit shoqëror e ndjeshmërisë dhe e nderimit për pjesëtarët e familjes. Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është të fillosh ta krijosh atë. Duhet që sensibilizimi i popullsisë të jetë më i madh. Familja dhe shoqëria jonë duhet të ofrojnë më shumë mbështetje për viktimat e dhunës familjare, sepse shumë nga këto raste vazhdojnë të qëndrojnë në lidhje abuzive, sepse s’kanë ku të shkojnë, apo për të ruajtur “fytyrën e familjes”. Kërkohet që ndërhyrjet e efektshme në rastet e dhunës në familje të bëhen nga të gjitha agjencitë e ngarkuara me ligj, si dhe të institucionalizohen procedura që: vendosin në qendër sigurinë e viktimave, përmirësojnë llogaridhënien e autorëve të dhunës, dhe ndryshojnë mjedisin komunitar, që të mos tolerojë dhunën në familje.

Në përfundim dua të risjell në kujtesën e të gjithëve se edhe feja (që aq shumë mburremi për bashkëjetesën e tyre) i jep rëndësi të veçantë familjes, duke e paraqitur atë si bërthamën e një shoqërie, nga fati i së cilës (rënia apo ngritja), varet edhe fati i shoqërisë. Allahu në Kuran, na mëson se: “…Ai krijoi nga vetë lloji juaj bashkëshortët, ashtu që të gjeni mprehje te ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë” (Kuran, 30:21); kurse Papa Françesku na apelon: “Të kujdesemi. Të kujdesemi për shumë gjëra… Por sidomos, kujdesuni për familjen! Familja është thesar, fëmijët janë thesar. Luani me fëmijët: është kaq bukur. Kjo do të thotë të mbjellësh farën e së ardhmes”. Kjo, që familja, nga faktor dëshpërimi të shndërrohet në faktor shprese, për të përjetuar vlerën e të pasurit familje. Personalisht mendoj se, sa më pak përshtypje sociale dhe reagim qytetar të ketë ndaj krimit në familje, sidomos mbi gratë dhe fëmijët, të jemi të sigurt që ai jo vetëm nuk do frenohet dhe ndalet, por përkundrazi, do zgjerojë përmasat e shtrirjes sociale dhe natyrisht do të bëhet akoma më agresiv. Zoti na ndihmoftë!

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: