Nga: AHMET SHQARRI*
Ndërsa nga rangjet më ta larta promovohen arritje në arsim ne natyrshëm fi llojmë të mendojmë mbi arritjet në raport me shkollën. Të egër e të pamëshirshëm, ata s’kanë të ngopur, duke e ndjekur prenë e tyre deri aq, sa t’ia marrin trup e shpirt përfundimisht! Babëzia e tyre nuk ka cak dhe, duke qenë një lloj specie e neveritshme, ajo nuk ndalet për asnjë çast së shfrytëzuari çdo mjet e mënyrë loje, për të realizuar qëllimet e saj të mbrapshta. Edhe pse të tillë, pa moral e të përlyer si mos më keq, ata nuk përpiqen të fshihen, por arrogantë e sojsëz dhe të ulur këmbëkryq midis nesh, vazhdojnë prej kohësh të bëjnë ligjin e më të fortit e të jenë zotër të këtij vendi. Gjithkush i njeh dhe mund t’i shohë kudo, se si sulen turravrap atje ku gjendet copa më e madhe për t’u kollofitur. Vazhdimisht janë po ata, të babëziturit, të pangopurit që nuk dinë të ndalen për asnjë çast, duke qenë të parët në rrëmbimin e tenderave milionëshe, apo në masakrimin e pyjeve, bregdetit e çdo pasurie tjetër kombëtare, të vjedhur e shkatërruar si mos më keq prej tyre. Nuk tuten e as ndalen prej kurrkujt, edhe pse sulmi i këtyre të babëziturve tashmë duket se ka marrë një hov të pashembullt…!
Një udhëtim i këtyre ditëve në jug të vendit, ku pretendohet se është dhe do të jetë edhe më i suksesshëm turizmi shqiptar, e bën jo fort shpresëdhënës optimizmin e shprehur andej-këtej, qëkurse anës të së ashtuquajturës autostradë që nis nga Lushnja për në Fier, në vend të kanaleve të pastra ujë-kulluese, sheh vetëm plehra të pafundme qesesh e shishesh plastike, apo ferra e kallamishte të kalbëzuara, që kundërmojnë erë të qelbur. Ky është një vështrim i rastit e kalimtar, që mund të mos i bëjë shumë përshtypje dikujt që vozit me shpejtësi makinën e tij nëpër provincë, por problemi bëhet më delikat kur anormalitetin e këtij lloji e ndesh dhe prek me dorë në mes të Tiranës, ku pusetat pa kapakë të rrugëve e të mbushura me plehra vazhdojnë të jenë peisazhi më i shëmtuar që mund të ketë një qytet në botë. Ndërkohë që, ndërsa flitet e premtohet për bulevarde të reja e sipërfaqe të gjelbëruara në periferi, ku luhen miliona tenderash misteriozë, pikërisht në një prej rrugëve më me qarkullim në mes të kryeqytetit, ajo që të nxjerr ose të fut në rrethoren e sheshit “Skënderbej”, ose më saktë, n’atë segment ku dikur ishte kinema “Republika”, prej gati 10 vitesh mungon trotuari për njerëzit, sepse një shumëkatësh privat ende i pambaruar(!?), i ka shtrirë llamarinat e rrethimit të tij deri në rrugën e makinave. Të gjithë e shohin dhe e provojnë vështirësinë e kalimit atje, ndërsa është e pamundur për të moshuarit dhe të tjerë që të lëvizin, apo të marrin mundimin për të shëtitur ndonjë bebe me karrocë! E të mendosh se kjo copëz rrugëze në qendër të Tiranës është vetëm disa metra larg godinës së bashkisë dhe ku, në mos i pari i saj, por të tjerët, një herë në ditë u takon që ta përshkojnë atë. Në këtë rast, arsyet për t’mos u ardhur në ndihmë qytetarëve, mund t’i dijë vetëm bashkia, që sipas asaj që flitet e shihet, më shumë vrapon pas “veprave” të mëdha, ku ka para’ dhe tendera milionësh për miq dhe klientë të preferuar e të përhershëm të këtij vendi, se sa të merret me ca shuma të papërfillshme, që mund të kërkojë rregullimi i një trotuari të thjeshtë.
Sulmi i të babëziturve pas tenderave milionësh nuk ka të sosur, sepse vetëm kështu mund të bëhet më e fuqishme perandoria e tyre grabitqare. Rastet e cituara më sipër shërbejnë si një kruajtëse dhëmbësh për secilin që është zhytur në llumin thithës të përfitimeve të paligjshme. Llokmat e mëdha janë ato që preferohen për të mbushur stomaqet e tyre të ndotur, si psh., ato të marrjes “në kujdestari” të pyjeve të Shqipërisë, që sipas pamjeve lemerisëse të kronikave të ndryshme televizive, janë shfarosur krejtësisht, duke e kthyer në një vend-qeros këtë, që dikush nëpër botë, në saj të reklamave të paguara, e quan ende si “Zvicra e dytë”! I përmasave të tilla është edhe “modeli” shkatërrimtar i stadiumit “Qemal Stafa”, që për hir të interesave të një klani të caktuar klientelist, duan t’ia nxjerrin themelet, për të ndërtuar mbi atë sipërfaqe të pafund mes Tiranës, objekte tregtare në zotërim të të babëziturve. Tenderi i përfolur këto ditë, ku prej stadiumit u ofrohet nga një copë e majme secilit që do të japë më shumë euro dhe dollarë, i ngjanë një pazari të rrëmujshëm dhe tepër të pistë, që nuk bazohet në asnjë ligj. Po kështu, në bazë të këtij stili të fshehtë dhe të pështirë është duke u vepruar edhe me shpërndarjen e biletave që u takojnë shqiptarëve si pjesëmarrës në finalet europiane të Francës. Edhe pse shembujt e mashtrimeve dhe të vjedhjeve nga krerët e institucioneve më të larta të futbollit botëror janë të freskëta, të babëziturit tanë po e vazhdojnë sulmin e tyre fitimprurës, tashmë ndaj tifozëve…!   

(d.d/GSH/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: