Nuk mungojnë surprizat në ndeshjet çerekfinale të play-off në NBA. Në Konferencën e Lindjes, ekipi i Miami Heat mundi 119-114 Milwaukee Bucks dhe tashmë udhëheq 3-1 serinë e takimeve. Një rezultat që nuk pritej, pasi Miami erdhi nga faza “play in”, ndërsa Milwaukee ka rekordin më të mirë sezonal në NBA.

Rikthimi i Antetokounmpo nuk zgjidhi problemet e Bucks edhe pse realizoi një “triple double” me 26 pikë, 10 rebound e 13 asist, ndërsa Middleton shënoi 36 pikë. Për skuadrën nga Florida u dallua Jimmy Butler, autor i 56 pikëve, lider në fushë për vendasit, që tashmë janë një fitore larg kualifikimit për në gjysmëfinale.

Në Perëndim, një hap larg gjysmëfinales është edhe ekipi i Los Angeles Lakers, që mundi 117-111 Memphis Grizzlies pas kohës shtesë. Të gjithë titullarët e Lakers e mbyllën me mbi 10 pikë, ku u dalluan Reaves me 23 dhe LeBron James me 22 pikë e 20 rebound. Për Memphis, Bane realizoi 36 pikë, por që mbetën për statistikë.

Play off-Çerekfinale Konf.Lindje

Philadelphia – Brooklyn, (4-0)

Boston – Atlanta, (3-1)

Cleveland – New York, (1-3)

Milwaukee – Miami, 114-119 (1-3)

Play off-Çerekfinale Konf.Perëndim

Sacramento – Golden State, (2-2)

Memphis – Lakers, 111-117 (1-3)

Phoenix – Clippers, (3-1)

Denver – Minnesota, (3-1)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb