Takimet mes udhëheqësve të SHBA-së dhe Izraelit prej dekadash janë dominuar nga një temë e vetme: nxitja për një marrëveshje paqeje mes Izraelitëve dhe Palestinezëve.

Liderëve të Izraelit që vinin në Uashington, shpesh duke qëndruar në suitën presidenciale në Shtëpinë Blair, ju kërkohej herë pas herë se ata duhet t’i jepnin fund pushtimit të gjatë të tokës palestineze. Nga ana tjetër, liderëve të Palestinës ju kërkohej të ndihmonin në garantimin e sigurisë afatgjatë të shtetit hebre.

Benjamin Netanyahu, gjatë mandatit të parë si kryeministër, kaloi një natë të gjatë në Shtëpinë Blair duke u përpjekur të gjente një gjuhë të përbashkët me liderin palestinez të asaj kohe Yasser Arafat, ndërsa Bill Clinton dhe stafi i tij u përpoq të nxiste të dy palët drejt një marrëveshje.

Në atë kohë, Netanyahu i sapoardhur në arenën ndërkombëtare, largohej nga takimet e 1996 me një vështrim të ashpër në fytyrën e tij, i palumtur se sa fort e shtynte Clinton drejt një kompromisi me Arafatin.

Pas më shumë se dy dekadash, Netanyahu këtë javë ishte përsëri rezident në Shtëpinë Blair. Dhe ndërsa ushtria izraelite akoma sundon mbi 3.2 milion palestinezë në Bregun Perëndimor, presioni amerikan për ta ndryshuar situatën pothuajse është zhdukur komplet.

Netanyahu u takua të hënën me Donald Trump, me të cilin ka krijuar një raport të lehtë. Ndryshe nga takimet e tensionuara të tij me Barack Obamën, lideri izraelit dhe Trump dukeshin të relaksuar në shoqërinë e njëri tjetrit.

Gjatë një konference të shkurtër për shtyp, Trump dhe Netanyahu folën rreth forcimit të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Izraelit dhe kërcënimit nga Irani, ndërsa çështja e palestinezëve ishte në plan të tretë.

Netanyahu nga ana e tij falenderoi Trumpin për vendimin e tij shumë të diskutueshëm për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, duke e quajtur “një vendim të guximshëm dhe historik”, dhe ftoi kreun e Shtëpisë së Bardhë për të marrë pjesë në hapjen zyrtare të ambasadës më 14 maj.
Sakaq Autoriteti Palestinez, i cili e quan Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e tij, e quan lëvizjen e ambasadës amerikane kaq ofenduese saqë e përjashton administratën Trump nga roli i saj tradicional si negociatori kryesor në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës.

Trump tha për gazetarët të hënën në Shtëpinë e Bardhë se akoma shpresonte të ndërmjetësonte një marrëveshje paqeje midis Izraelit dhe palestinezëve, duke pretenduar se kishte avancuar kauzën duke hequr çështjen e Jeruzalemit nga bisedimet. Ai deklaroi se tani i takonte lidershipit palestinez të kthehej në tryezën e negociatave.

“Nëse ata nuk kthehen, ju nuk do keni paqe”, tha Trump.

Presidenti i SHBA-së erdhi në pushtet një vit më parë duke thënë se ai do të ndërmjetësonte “marrëveshjen përfundimtare” mes Izraelit dhe Palestinës.

Por pas një viti, administrata Trump akoma duhet të prezantojë planin e paqes për Lindjen e Mesme, dhe asnjeri nuk e di se çfarë ka në mendje numri një i Shtëpisë së Bardhë.
Ghassan Khatib, një negociator veteran për paqen që tani udhëheq Qendrën e Medias së Qeverisë së Autoritetit Palestinez ka deklaruar se palestinezët nuk shohin ndonjë mundësi për paqe për sa kohë që “kombinimi shumë i rrezikshëm Trump – Netanyahu” do jenë në detyrë.
(Përktheu për BalkanWeb/ Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb