Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, ka komentuar përplasjen më të fundit mes opozitës dhe mazhorancës, lidhur me akuzat ndaj kryebashkiakut të ri të Shkodrës, Valdrin Pjetri.

Në rubrikën “Opinion”, në News 24, Murati është shprehur se Rama ka përgjegjësi për figurën e Pjetrit, pasi sipas tij, ai duhet të kishte kaluar në disa filtra para se të kandidohej për kryebashkiak.

“Deri tani jemi në një goditje të opozitës. Duhet të flasin institucionet, nëse Pjetri ka fshehur dënimin. Sot patëm një “mea culpa” të Ramës, kemi një distancim formal të tij nga Pjetri. Por, kjo nuk e largon përgjegjësinë e Ramës nga emërimi i Pjetrit në Bashkinë e Shkodrës. Refuzoj të besoj që Rama nuk di asgjë për këtë dënim, ndaj ai ka përgjegjësi. Mazhoranca duhet të kishte bërë verifikim më parë, duhet të kishte filtruar të kaluarën e tij.

PS duhet të kishte sot një përgjigje të qartë, nëse Pjetri ka qenë apo jo i dënuar. Nëse ka qenë i dënuar, Rama duhet të shkarkojë këtë njeri dhe ta çojë për ndjekje penale. Në të kundërt ai duhet të dalë në konferencë për shtyp dhe të thotë që akuzat e opozitës nuk janë të vërteta. Do duhet që mazhoranca të marrë përgjegjësi dhe nuk mjafton distancimi përmes rrjeteve sociale i Ramës”, ka thënë ai.

Më tej, Erl Murati ka deklaruar se partitë politike janë banda dhe se shumë zyrtarë kanë rezultuar me të kaluar kriminale. Sipas tij, të gjithë politikanët e korruptuar duhet të arrestohen, ndërsa ka shtuar se nëse do të ndiqej rasti i Nikola Gruevskit, e gjithë klasa politike do të ishte prapa hekurave.

“Partitë politike janë banda. Shqetësuese është se kemi mjaft zyrtarë me të kaluar kriminale. Këtu kanë dalë edhe anëtarë të Gjykatës së Lartë të dënuar për vjedhje, përdhunim. Këtu është një dështim i shtetit. Në të kaluarën e afërt, mjaft zyrtarë janë larguar pasi kishin probleme dhe nuk janë dënuar. Ne jemi mjaftuar me largimin e tyre nga arena politike. Nëse do zbatohej Vettingu, shumë gjyqtarë e prokurorë duheshin dënuar.

Ne kemi tre zyrtarë që iu është refuzuar edhe viza amerikane dhe gëzojnë liri të plotë. Ata mund të bëjnë pushimet e tyre kudo. Një karton i kuq i ngrihet Ramës. Të gjithë politikanët e korruptuar duhet të jenë prapa hekurave, mund të dënohen me Kod Penal. Nëse do ndiqnim rastin e Gruevskit, e gjithë klasa jonë politike do të ishte pas hekurave”, është shprehur Murati.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb