Nga: SILVI BAKIRI*
Pikëhabia në krye të këtij shkrimi nuk i referohet aspak ndonjë thirrjeje për protestë “asnjanësisht” partiake, e cila mallkon fi lanin e fistekun politikëbërës të njërës forcë e ngre në qiell ata të tjetrës. Jo! Kjo është një thirrje që duhet të vijë natyrshëm në secilin prej nesh, një thirrje mosharrese ndaj qytetit ku kemi lindur apo jetojmë, kryeqytetit tim dhe tëndit, Tiranës.
Dikush nga ju të rinjtë, potencialisht votues, që sot, tani që flasim, gjendeni në kulmin e shijimit të moshës diku në një bar, orëve të ditës a në ndonjë pub mondan, orëve të natës, është e pashmangshme që në vrullin e aktiviteteve shkollore a argëtuese, më e pakta të mundet të pikasni çoroditjen urbane, mungesën e theksuar të hapësirave të gjelbra, parqeve dhe hapësirave thjesht, të lira nga tymnaja e qarkullimit të automjeteve në çdo kënd. Tirana është kthyer zyrtarisht në një kryeqendër baresh e lokalesh, që gumëzhijnë si për të tërhequr vëmendjen aq të munguar nga ne për probleme ku e ku më të rëndësishme, siç është zhdukja e pemëve që sjell për pasojë zhdukjen e oksigjenit. Gjithë shumatorja e kësaj katastrofe natyrore, që ka nisur si një maratonë disavjeçare, e cila vijon ende me ndërtimet e njëpasnjëshme në zonën e Liqenit Artificial e së fundmi pranë digës, ka vënë vulën e zezë të mungesës së “jetës” në kryeqytet.
Duhet ta pranojmë se pra, fatkeqësisht ky qytet nuk po merr më frymë dhe meqë frymëmarrja është kusht për të qenë gjallë, ne të gjithë për rrjedhim po pluskojmë në një akuarium të vogël, të pamjaftueshëm për asgjë e jo më për të jetuar gjelbër. Duke kthyer faqen herët, aty ku gëlonin kioskat e barakat e të ashtuquajturit Parku “Rinia”, kujtojmë të gjithë një kapitull të bukur që ashtu si një ëndërr, zgjati fare pak e që e ktheu kryetarin e atëhershëm të bashkisë, tani kryeministër, në një shembull europian duke u dhënë frymën e munguar të rinjve, por sidomos edhe brezit më të vjetër, që ende edhe sot gjen prehje në atë mini-park… Ky kapitull shumëngjyrësh me kopertinë të bukur, fatkeqësisht mbyllet këtu!
Në 6-7 vitet e fundit edhe më shumë, përgjegjësia mbi derexhenë e katandisjes së Tiranës bie aspak mbi ata që ishin në krye të bashkisë, për t’i bërë asaj freskun e radhës që do iu mundësonte ngjitjen në shkallët e pushtetit dhe lojës “kukafshehti” me të, por mbi ne! Ne të gjithë bashkë dhe veç e veç po ia marrim shpirtin Tiranës, pikërisht duke mos bërë asgjë (të mirë). Për të kuptuar gjendjen e nderë në të cilën ndodhemi, mjaft të marrim një mendim të sinqertë nga dikush që jeton jo më larg se në Kroaci, meqë vende ta zëmë si Danimarka janë vite dritë larg asaj që – në fakt – mund të kishte qënë Tirana/Shqipëria këtu e vite më parë.
“Tirana është një tempull ahengu e baresh, me njerëz të bukur e të mençur, por pa shumë ambiente të përshtatshme, në ajër të pastër, ku ato të shpalosin talentet e të socializohen”. Këtë mendon një i huaj kur viziton për herë të parë kryeqytetin në qendër dhe në zonën e ish-Bllokut e natyrisht, jo në rrethina apo pjesën jo aq të dukshme të lagjeve në periferi. Çudia më e madhe që ne shkaktojmë tek ato “andej” është perceptimi i kohës së lirë si një hapësirë ku medoemos pihet kafe-muhabet në një bar dhe pra qëndrohet 120 minuta në pozicionin e trupit 90 gradë, përballë shokut e shoqes. “Pse ju këtu nuk dilni në park?”, – pyet ai me të drejtë.
Në park?!
Po, ne dalim në parkun e Liqenit Artificial, por edhe ai është tkurrur e mbledhur aq shumë… e ashtu në agoni, megjithatë përballon dyndjet verore të vrapuesve apo të të moshuarve që kryejnë ritualin e daljes. Një ambient tashmë i dërrmuar, ku ka më shumë ekskavatorë se zëra fëmijësh, më shumë pallate se pemë, më shumë vjedhje xhepash se rrugë të shtruara. Këtu nuk ka parqe dhe nuk do të ketë për sa kohë ne do të vijojmë të ëndërrojmë për “një bar”, “një biznes” apo “një parcelë” të gjelbëruar deri në pragun e barit fqinj, që gjithashtu ka menduar sipas mundësisë së tij ta zbukurojë biznesin duke na dhënë idenë ne frekuentuesve të barit se brenda atij, me një të rënë të gishtit, dërgohemi në Spanjë, Francë, Itali apo diku tjetër, pra për të na ushqyer me iluzionin se jetojmë në një qytet luksoz, edhe pse hapësira mes dy parcelash është prova për të kundërtën…
Në fakt unë, ti, ne të gjithë bashkë e kemi një ëndërr tjetër të madhe, që do të vazhdojë të fle për sa kohë që nuk do të vendosim njëzëri të rimarrim Tiranën në dorë, duke ia hequr qytetin një herë e mirë thundrave të politikanëve, që përtej politikës së ngushtë të mbjelljes së një luleje në bashki për të marrë më pas si dhuratë kopshtin e Kryeministrisë, nuk kanë asgjë më të hajrit për të na thënë… ashtu siç nuk na thanë për tri vitet e fundit, vitet më të dështuara të qeverisjes lokale në Tiranë që qytetarët shqiptarë mund të kenë parë ndonjëherë. Qeverisje pa qeverisje, pa timon, e ku për pasojë edhe “ushtarët” nuk kishin ç’të ekzekutonin, sepse kryetari i tyre kujdesej për imazhin dhe shitjen e tij në zgjedhjet vendore.
Dikush i ka pëshpëritur dikujt se qytetari nuk dyshon, nuk sheh e aq më pak të ketë fuqinë të veprojë me votë për të kundërshtuar këtë tallje që u bë me të gjatë këtyre viteve. Në deklaratën e fundit të bërë, ish-kryeministri Berisha sugjeron që kryetari aktual i Partisë Demokratike, z. Basha, të synojë e të luftojë për t’u bërë kryeministër. Me një fjalë, me gjasa, kandidaturat e djathta për bashkinë, nëse shkojnë në këtë linjë duhet ta shohin të gjithë këtë proces si një ngritje në karrierë, ashtu siç ndodh në një biznes, ku punonjësit që rezultojnë me performancë më të lartë në kompani, përfitojnë pozicione më të larta.
Po a nuk është qytetari ai që mbart sipas kësaj skeme pasojat e keqqeverisjes së njësisë më të vogël që është bashkia?! Si mund të rezultojë në të ardhmen një kryebashkiak i keq, nëse populli i jep mundësinë të marrë në dorë frerët e qeverisjes qendrore?! A nuk duhet një kryetar bashkie të japë shembullin pozitiv, provën e besimit te qytetarët që e votuan e që mund ta shpërblejnë përsëri me votë?! Ku gjendet sot kjo provë? A mos bashkia do të përdoret sërish kështu tash e tutje si një trampolinë, si një urë kalimi komode, ku askush nuk gjykon e ku të gjithë i bëjnë të dy veshët e shurdhër…?!
Por ne shohim dhe po, e kemi të gjithë një ëndërr: t’i kthehet shpirti Tiranës! Të merret në dorë kryeqyteti nga ata dhe ato, djem e vajza që janë mishërim i civilizimit, ndihmuar prej dikujt që sheh përtej egos-partiake dhe i varur vetëm prej ideve për ta bërë Tiranën vërtet një kryeqytet europian, siç është vetëm thënë deri tani!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: