TIRANE- Partizani, sikurse kishte premtuar, bën goditjen e madhe të merkatos së janarit. Klubi i kuq zyrtarizoi marrëveshjen me sulmuesin argjentinas Agustin Torasa, që do të jetë pjesë e skuadrës deri në përfundim të sezonit, me opsion rinovimi edhe për sezonin e ardhshëm. Prezantimi i 27-vjeçarit u bë nga drejtori i përgjithshëm Dritan Dervishi në ambientet e klubit të kuq. Argjentinasi do të mbajë veshur fanellën me numër 27, aq sa janë edhe vitet e jetës së tij. Agustin Torasa është formuar si futbollist në akademinë e All Boys, skuadër me të cilët ka shënuan 10 gola në 126 ndeshje në kampionat nga viti 2007, ndërsa në periudha të ndryshme është huazuar në Argjentinë te Çaçarita Juniors dhe El Tigre, por pa lënë shuëm gjurmë.

Gjatë sezonit 2008-2009 është huazuar për 6 muaj te Salsburgu në Austri ku nuk u aktivizua në asnjë ndeshje. Në vitin 2014 kartoi i tij u ble nga Hurakan, skuadër me të cilën është aktivizuar në vetëm 14 ndeshje, duke shënuar 3 gola. Në kampin e kuq kanë pritshmëri të larta për cilësitë e Torasa, që është vënë menjëherë nën urdhrat e Agostinelit. Pas një starti mjaft të mirë të sezonit, Partizani ka shfaqur probleme në fazën sulmuese, pasi rënies së rendimentit të Xhevahir Sukajt. Me afrimin e Torasas që rrit menjëherë konkurrencën drejtuesit e Partizanit besojnë se golat do të vijnë në vazhdimësi, ndërsa për këtë arsye, drejtuesit e kuq synojnë dhe talentin e Santosit, brazilianin Givanildo da Silva (Giva).

Alsid Tafili është përforcimi i madh i Vllaznisë në këtë merkato dimri. Mesfushori që la Shkodrën për t’u transferuar te Partizani verën e kaluar i thotë lamtumirë të kuqve pas një eksperience 6 mujore ku u aktivizua për vetëm 261 minuta duke luajtur vetëm një herë si titullar në ndeshjen e fituar 4-0 me Tërbunin, ndërsa në 7 ndeshje të tjera u aktivizua nga stoli. Shumë pak për të kënaqur pritshmëritë e 28-vjeçarit që gjeti mirëkuptimin e Partizanit për të ndërprerë në mënyrë konsesuale kontratën. Në këtë mënyrë Tafili kthehet te Vllaznia ku u formua si futbollist për një fillim të ri, ashtu siç shpreson të bëjë gjithë skuadra shkodrane nën drejtimin e Armando Cungut që tani do të ketë në dispozicion një lojtar të rëndësishëm për objektivat e skuadrës.

Ai i Tafilit është një përforcim i shumëpritur për Vllazninë që zyrtarizoi më herët edhe afrimin e sulmuesit Bekim Erkoçeviçit, që mori miratimin e trajnerit Cungu për t’u rikthyer në skuadër pas eksperiencave në 3 sezonet e fundit me Adën, Burrelin, Apoloninë dhe Besëlidhjen. Në Shkodër nuk mundën të gjenin gjuhën e përbashkët për sa i përket kërkesave kontraktuale me Dejvi Bregun me talentin 20-vjeçar që u largua nga skuadra ku mbetet në provë mbrojtësi Rudoviç i cili do të vijojë stërvitjen me skuadrën me synimin për të bindur stafin teknik mbi vlerat e tij.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb