GREQI – Pas spekulimeve të shumta se mes të vdekurve nga zjarret masive në Athinë mund të ketë edhe shtetas shqiptarë, Ambasada shqiptare në Greqi ka njoftuar se deri më tani nuk është identifikuar asnjë viktimë nga komuniteti shqiptar. Përmes një reagimi zyrtar ambasadorja shqiptare në Greqi, Ardiana Hobdari bëri me dije se raportohet për 3 shqiptarë të plagosur, një grua nga Berati dhe dy fëmijë nga e njëjta familje, 10 dhe 13 vjeç nga Fieri.

Diplomatja shqiptare pohoi se fëmijët janë shpëtuar nga kujdestarja e tyre, e cila i kishte mbajtur për orë të tëra në breg të detit. Ata aktualisht ndodhen në spitalin pediatrik Agia Sofia, në gjendje të mirë shëndetësore.

Më herët, në një lidhje telefonike me News24&BalkanWeb, ambasadorja Hobdari, lajmëroi se ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për shqiptarë mes viktimave. Por nuk përjashtoi faktin nëse mes viktimave mund të ketë edhe shtetas shqiptarë që kanë marrë shtetësi greke. “Ka ende trupa që janë në kërkim që gjenden mes shtëpive apo makinave të shkrumbuara”, -tha ajo

AMBASADA SHQIPTARE: 3 SHQIPTARË TË PLAGOSUR, MES TYRE DY FËMIJË
Ndërkohë, Ambasada përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’ bën me dije se deri tani janë tre shqiptarë në spital, anëtarë të së njëjtës familje. Bëhet fjalë për një grua shqiptare, që është shtruar në spitalin Evangelismos, si dhe dy fëmijë të mitur, (edhe ata shqiptare) 10 dhe 13 vjeç, që janë shtruar në spitalin pediatrik Agia Sofia, në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ambasada e RSh-së në Athinë njofton se pas verifikimeve të kryera në terren në të gjitha spitalet në zonën e Athinës, si dhe nga burimet zyrtare të Emergjencave Civile, rezulton se përveç rastit të qytetares shqiptare në spitalin Evangelismos për të cilën kemi njoftuar, janë dhe dy fëmijë nga e njëjta familje, të moshës 10 dhe 13 vjeç nga Fieri, të shtruar në spitalin pediatrik Agia Sofia, në gjendje të mirë shëndetësore. Ditët në vijim pritet një konfirmim zyrtar nga autoritetet greke për identifikimin e viktimave të kësaj tragjedie. Ambasada është në ndjekje të situatës duke komunikuar në vijëmësi me autoritetet kompetente”, thuhet në njoftim.

Në media më herët u njoftua se dyshohet për 3 shqiptarë të vdekur, të cilët ishin punonjës në restorantin ku u dogjën të gjallë 26 persona në  fshatin bregdetar Mati në periferi të Athinës.

Deri tani numri i viktimave ka arritur në 74, me organet kompetente që lajmërojnë se kjo shifër mund të rritet nga momenti në moment.

(e.f/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: