Të paktën 24 të burgosur vdiqën dhe 48 të tjerë u plagosën gjatë një trazire në një burg në Ekuador, tha qeveria të martën. Kjo është kryengritja e tretë vdekjeprurëse këtë vit në sistemin e burgjeve të kombit Andean.

Incidenti ndodhi në Penitenciaria del Litoral në provincën Guayas, një strukturë që muajt e fundit ka dëshmuar luftime të përgjakshme mes bandave për kontrollin e burgut.

“Një alarm u aktivizua në Qendrën për Privimin e Lirisë Guayas N1 për shkak të të shtënave me armë dhe shpërthimeve në disa zona,” tha agjencia shtetërore e burgjeve SNAI në një deklaratë. “Si rezultat i konfrontimit, 24 (të burgosur) vdiqën dhe 48 pësuan plagë.”

SNAI tha se autoritetet ishin në gjendje të rimerrnin kontrollin e objektit pasdite, pas një evakuimi të mëparshëm të personelit dhe vendosjes së oficerëve të policisë brenda burgut dhe oficerëve ushtarakë për të ruajtur pjesën e jashtme.

Trazirat shpërthyen në shkurt dhe korrik në sistemin e burgjeve të vendit, i cili strehon rreth 39,000 të burgosur. Në shkurt të paktën 79 njerëz vdiqën si pasojë e dhunës , ndërsa në korrik u vranë 22 të burgosur.

Komisioni Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut (IACHR) ka dënuar më parë dhunën dhe Human Rights Watch i kërkoi qeverisë së Ekuadorit të hetojë plotësisht dhunën në burg dhe të sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

Presidenti Guillermo Lasso në gusht tha se qeveria do të siguronte më shumë fonde për sistemin e mbipopulluar të burgjeve për të ndërtuar reparte të reja dhe për të instaluar pajisje të reja për të përmirësuar sigurinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb