NGA ALMA JANKA*
Do doja shumë të mos e besoja sot (meqë është 1 prill) këtë lajm të trishtë, këtë ngjarje tragjike të radhës, ku sërish flitet për dhunën, e për më tepër ndaj një fëmije. Ende pa na u tharë lotët për një tjetër vogëlushe nga Maqellara për të cilën është pak të thuash se jetonte në mjerim, sërish na bëhet zemra copë kur një tjetër realitet I hidhur të bën protagonist.
Po pse moj Dafina nuk u mendove dy herë para së të godisje një fëmijë që më tepër se kushdo ka nevojë të ndihet I mbrojtur, pse nuk u mendove fare të na e kurseje këtë dhembje të madhe, pse moj qënie e pashpirt nuk ia kurseve shenjat në fytyrë atij djali të vogël që nuk kërkon vecse dashuri?? Si të bëri dora ta qëllosh, apo mos ndoshta jam pak tolerante kur them ‘’e qëllove’’, sepse me ato shenja në trup e në fytyrë, duket që e ke ‘’shembur ne dru” moj kriminele. Shumë e ke lënduar atë 3-vjecar. I le shenja te dukshme fizikisht, por c’është më e keqja e ke lënduar shpirtërisht, e kë lënduar psikologjikisht, i ke lënë shenja për tërë jetën.

Është fëmijë moj Dafina dhe asgjë që mund të bëjë apo thotë ai/ajo, nuk e justifikon kurrësesi dhunën, ndaj nevojitet një komunikim ndryshe me të vegjëlit, sepse janë FËMIJË, e kësisoj nuk i kuptojnë e nuk i bëjnë dot gjërat si ti moj Dafina, qofshin edhe gabim. Po c’faj ka ai moj mjerane që mbeti jetim, c’faj ka ai se është fëmijë e do që ta jetojë jetën si i tillë, qoftë edhe me ‘’gabime”, c’faj ka ai që dështimet, mosrealizimet e tua në jetë apo paaftësinë për të patur vetëkontroll, i manifeston duke rrahur një vogëlush? Po ty a nuk t’u dhemb shpirti moj katile kur e ndëshkove në atë mënyrë? Neve po, madje shumë, shumë. Them ‘ne’’ sepse besoj janë të shumtë ata që e përjetuan këtë dhembje njësoj si unë. Të dhemb shpirti se është i vogël, është vetëm 3 vjec, është jetim, është pa njeri.

Ai nuk ka nënë e baba që të publikojë në facebook foto nga momentet e mrekullueshme që kalojnë në përditshmërinë e tyre, ai nuk ka familje së cilës t’i kërkojë ndihmë, atij nuk i thotë goja “mami e babi” por fatkeqësisht “I ra për pjesë’’ një ç’edukatore si ti. Po ç’te kushton t’i dhurosh dashuri një fëmijë, yti qoftë ai, i një miku a mikeshe, i fqinjit apo për më tëpër një jetimi? Asgjë nuk të kushton, asgjë nuk shpenzon, moj Dafina, madje thonë si me të qeshur se një fëmijë rritet më shëndetshëm kur mer më shumë dashuri sesa ushqim, po mesa duket ti s’e njeh fare këtë koncept. T’u thaftë dora moj Dafina që dhunove një fëmijë. Shpirti ma do që ‘’ta lëshoj gojën’’ në kësi rastesh por po e përmbaj veten e të them që i ke pak të gjitha ato që shkruajnë shumë nëna, gra e vajza, shumë baballarë, djem e burra që janë prekur nga kjo ngjarje. E në gjuhën popullore ndoshta do kishte vlerë shprehja “të zëntë haku i atij fëmije’’ moj Dafina. Uroj shumë që kurrë mos na paftë syri e kurrë mos na dhembtë zemra nga këto ngjarje. Ruaji, Zot fëmijet. Boll më. Mjaft me dhunë! Mjaft më me Dafina apo Elvana (rasti I Shkodres)!

Mos i braktisni fëmijët. Nuk ka asgjë më të bukur se buzëqeshja e një fëmije, nuk ka asgjë më të paqtë se dora e një fëmije që të përkedhel fytyrën , nuk ka asgjë më të ngrohtë se përqafimi I një fëmije. Duajini ato, duajini shumë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: