“Ata ishin persona shumë inteligjent, shumë të rregullt, të kulturuar. Nuk ishin persona që kishin varësi ndaj alkoolit apo lëndëve të tjera dhe për këtë jam e sigurt për aq kohë sa qëndrova me to.”.

Kjo është dëshmia e Maria Buchakchyiska, e cila ka qenë shoqëruesja e 4 turistëve rusë të cilët u gjetën të pajetë në një hotel në Qerret të Kavajës.

“Në shënjestër” zbardh rrëfimin e shoqërueses së guidës, dhënë për policinë.

“Në orët e para të mëngjesit, data 15.10.2021, jemi nisur me mikrobus nga Durrësi. Kemi marrë turistë gjatë rrugës në Qerret. Konkretisht në mikrobus kanë qenë 8 turistë rus, unë dhe shoferi i cili quhet Ilirian. Në Qerret në orën 07:00 kanë hipur në mikrobus 4 personat e ndjerë që shpjeguam më sipër. Gjatë rrugës për në Maqedoni kemi ndaluar në një auto grill Restorant me emrin “Nogu” në zonën e Librazhdit. Turistët kanë konsumuar ushqime që kishin me vete si dhe kanë porositur edhe ushqime të ndryshme dhe jemi larguar në drejtim të Maqedonisë.

Rreth orës 13:00 diçka e tillë, jemi ulur në një restorant me emrin “Tomato” në qytetin e Ohrit për të ngrënë drekë. Unë kam qenë e ulur në tavolinë me guidën nga Maqedonia, ndërsa turistët përfshirë edhe 4 personat (viktimat) janë ulur në tavolina pranë nesh. Ata kanë porositur 3 peskavica dhe njëri prej tyre ka porositur peshk. Ne kemi ngrënë thuajse të njëjtat ushqime, edhe unë vetë kam ngrënë peskavica. Për të pirë një burrë ka porositur raki dhe çifti po ashtu kanë porositur nga një gotë raki. Personat për të cilët po pyesni, deklaroj se gjatë gjithë kohës që kam qëndruar me ta, kanë qenë të kënaqur, si edhe nuk kanë pasur asnjë problem shëndetësor. Marrëdhëniet midis tyre ishin shumë harmonike. Dukeshin shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Unë mësova se ato kishin lidhje familjare me njëri-tjetrin. Ata ishin persona shumë inteligjent, shumë të rregullt, të kulturuar. Nuk ishin persona që kishin varësi ndaj alkoolit apo lëndëve të tjera dhe për këtë jam e sigurt për aq kohë sa qëndrova me to.”, tha Buchakchyiska.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb