Vetëm një ditë pas deklaratës së fortë të kryeministrit Edi Rama, i cili tha në Kuvend se një prokuror në Durrës punon për bandat kriminale dhe u bën shantazh nëpunësve të shtetit, zëvendëskryeministri Erjon Braçe ka zbuluar emrin e këtij prokurori.

Braçe ishte sot i pranishëm në seancën gjyqësore ndaj ish-kreut të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula, prej ku tha se prokurori i kësaj çështjeje mbështet një grup kriminal në qytetin bregdetar.

Duke folur për media në fund të seancës gjyqësore ndaj Pulës, ku gjykata vendosi ta lërë në burg, Braçe nuk e përmendi emrin e prokurorit, por dihet që prokuror i çështjes në fjalë është Arian Ndoja, gjyqtare Besiana Gaxena dhe avokate Brunela Kullolli.

Ndër të tjera, zv.kryeministri tha se është absurde që një punonjësi të shtetit i bëhet presion nga organet e akuzës.

“Është absurde që një punonjësi shteti i bëhet presion nga organi i akuzës në këtë mënyrë. Reforma në Drejtësi duhet të veprojë me vendosmëri, duke hequr nga sistemi këta prokurorë dhe gjyqtarë”, tha Braçe.

Deklarata e Braçes

Pa diskutim që ky është akti final i një historie të gjatë presioni, shantazhi kriminal mbi punonjësit e shtetit shqiptar që sot ishte në pranga. Presion që nuk është bërë për cështjen në fjalë, por për pallate monstruoze qe duhet të legalizoheshin në këtë qytet. Jo për atë që pretendon prokurori, por për vjejhe të tjera të rënda të mëdha në zonën e Gjirit të Lalzit.

Që do të thotë që punonjësi i shtetit pavarësisht shantazhit ka refuzuar të bëjë veprime kriminale dhe unë dyshoj shumë pas asaj që dëgjova se akuza e ngritur është e paprovuar, në prova e fakte.

Të akuzosh një nëpunës shteti për shpërdorim detyre duhet të provosh që vepra që ka konsumuar është kryer me dashje, dhe që ka sjellë dëme, o publike, o të tjera private. Nuk ishte provuar që drejtuesi i kadastrës të kishte sjellë dëme mbi shtetin, që nuk e pretendon as prokurori dhe dëme mbi privatin, kompaninë që ka bërë ndërtime në Lalëz ose partnerët e saj që janë pronarët e truallit.

Cdo gjë në gjykimin tim personal është e stisur dhe prokurori dhe gjykatësi duhet të vërtetojnë në Apel ato që nuk i provuan por edhe u përgjigjën që deri në këtë moment kemi këto, nëse na sillni prova ne ndryshojmë qëndrim. Nuk sjell i akuzuari prova, por prokurori. E kuptoni se në c’shkelje të rëndë kushtetuese është ky prokuror?

A ishte ky prokurori që tha Rama dje si në shërbim të bandave kriminale?

Duhet të pyesni zotin Rama për këtë. Unë kam qenë në dijeni të cdo shantazhi që i është bërë këtij drejtuesi dhe të tjerëve, jo për këtë cështje, për të tjera që kjo qeveri ka pasur vullnetin ti bllokojë në favor të interesit publik dhe duke mbrojtur interesin publik dhe të qytetarëve të Durrësit dhe aty poshtë në zonën bregdetare. Ka forca të tjera që janë kundër këtij vullneti dhe kundër cdo nëpunësi shteti që bën punën me vullnet dinjitet dhe në përputhje me ligjin. Reforma në drejtësi duhet të marrë përpara këtë pisllëk zhuli, se mendoni sesa qytetarë merren në qafë nga zhuli dhe krimi në këtë sistem.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb