Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Turqi të ndihmojë në organizimin e një takimi të mundshëm me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekje për të ringjallur procesin e paqes mes dy vendeve në konflikt. Deklarata u bë nga ministri i jashtëm ukrainas Andriy Sybiha, i cili tha se Kievi ka kontaktuar jo vetëm Ankaranë, por edhe disa kryeqytete të tjera, duke kërkuar një vend neutral për bisedime.

Sipas tij, Ukraina është e gatshme të marrë pjesë në çdo takim që nuk organizohet në Rusi ose në Bjellorusi, të cilën Kievi e konsideron aleate të ngushtë të Moskës dhe pikënisjen e pushtimit në vitin 2022.

Zyrtarët ukrainas thonë se qëllimi është të krijohet një platformë e re dialogu, me Turqinë si një nga opsionet kryesore për ndërmjetësim, për shkak të rolit të saj të mëparshëm në bisedime mes palëve. Megjithatë, nuk ka ende një përgjigje zyrtare nga Ankaraja për këtë propozim, dhe asnjë datë konkrete për një takim të mundshëm.

Nga ana tjetër, Kremlini ka deklaruar më herët se është i gatshëm të organizojë një takim në Moskë, një opsion që Ukraina e ka përjashtuar kategorikisht. Kievi vazhdon të theksojë se një takim i drejtpërdrejtë mes dy liderëve është i nevojshëm për të përshpejtuar përfundimin e luftës, e cila ka kaluar katër vjet që nga fillimi i saj.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike po vazhdojnë edhe në prapaskenë, me kontakte mes zyrtarëve ukrainas dhe partnerëve ndërkombëtarë për të gjetur një vend neutral dhe një format të pranueshëm për të dyja palët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb