Gjatë fundjavës që lamë pas pjesa veriperëndimore e qytetit të Elbasanit kryesisht kurora e “Ullishtës së Vjetër” për rreth 12 orë ishte e “pushtuar ” nga flakët që përhapeshin me shpejtësi në të gjitha drejtimet.

Sipas të dhënave paraprake flakët përfshinë dhe dogjën gjatë të dielës të paktën 10 hektarë ,pjesa më e madhe me ullinj shekullorë.

Në terren  u aktivizuan 7 makina dhe 30 zjarrfikës, të cilët u ndihmuan në këtë betejë edhe nga bashkitë fqinje, ekipet e emergjencave dhe banorë të zonës  për shuarjen e flakëve gjigande që u përhapën ne shpejtësi dhe u favorizuan edhe nga era dhe temperaturat e larta.

Zjarret në ullishtën e vjetër të Elbasanit u shfaqën mesditën e  të dielës dhe vijuan duke u shtrirë nga periferia e qytetit drejt Tregut Agroushqimor deri te Fabrika e Çimentos.

Në disa zona  ndërhyrja me mjete ishte  e pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe  u shfrytëzua ndërhyrja  me mjete rrethanore.

Këtë fillim jave në këtë zonë do të ndërhyjë ushtria pasi në brendësi të saj vazhdon ende djegia e trungjeve të  ullinjve shekullorë.Ky është zjarri më i madh i cili ka përfshirë ndonjëherë “Ullishtën e Vjetër” të Elbasanit që shtrihet midis Përroit të Zaranikës dhe atij të Manazderes, e që vijon deri në fshatrat Godolesh e Samurr.

E gjithë “Ullishta e Vjetër” e Elbasanit ka qenë dhe është pronë private e familjeve të ndryshme elbasanase, si dhe e komuniteteve fetare (vakëfe dhe manastire) duke përjashtuar periudhën e komunizmit , kur ullishta u shtetëzua.

“Ullishta e Vjetër” ishte nga çdo pikëpamje, një parajsë për qytetin e Elbasanit. Aty veç ullinjve rriteshin edhe fiqtë, shegët, rrushi, arrat, mollët, thanat, kulumbritë, karatanetë dhe çdo gjë tjetër me vlerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb