E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Blerina Bombaj dietologe klinike ka folur për ushqyerjen e foshnjave, sa i rëndësishëm është qumështi i gjirit, kur duhet të futen në dietë ushqimet e ngurta dhe sa shqetësuese janë produktet industriale.

“Produktet që janë industriale, në kategorinë e të cilave nuk futen produktet e freskëta apo qumështi i gjirit kanë një problematikë përsa i përket kontaminimit, të cilat gjatë investigimit kanë ngritur alert për metal apo pesticide. Janë produkte të cilat është shumë e vështirë të kontrollohen përsa i përket sigurisë ushqimore, pra kimikateve.

Siguria ushqimore si përsa i përket kimikateve, por edhe në përmbajtjen bakterologjike duhet të ketë vëmendje shumë të madhe. Në botë ka mbi 10 mijë kimikate që përdoren në industrinë ushqimore. Përsa i përket analizave laboratorike, në vendin tonë nuk kemi më baziket, qoftë për të bërë aflatoksinë të qumështit, jo më për të investiguar, duke marrë mostra nga të gjitha produktet e ushqyerjes së foshnjave. Nuk ka laborator që të bëjë analizë të qumështit formulë. Megjithëse janë të importuara dhe vijnë me certifikatë përkatëse, por shpresojmë që të mos ketë falsifikim. EFSA është autoriteti më i rëndëshishëm i sigurisë ushqimore.

Në vitin 2019, EFSA bëri disa ndryshime të rekomandimeve, sidomos të ushqyerjes së fëmijëve 0-3 vjeç. Në këto ndryshime, orizi duhet të rrallohet për shkak të arsenikut që po shfaq, ndërsa në lidhje me ndotësit si psh: Ushqime me nitrate, ku përfshihet panxhari, selinoi, nuk duhet të përdoren deri në 12 muaj. Këto ushqime nuk i duan në ushqyerjen e foshnjave të vogla. Ndryshimet në rekomandime përfshijnë moshat nga 6 muaj deri në 3 vjeç, duke parë ndotësit e shtuar në ambientin ku jetojmë. Ndotësit përfundojnë në ujin e tokës dhe më pas në gjithçka konsumojmë. Në ambient ka qindra ndotës që nuk i shmangim dot, edhe uji përmban arsenic apo qumështi formulë i bebeve. Jetojmë në ambient të ndotur, lëndët toksike i marrim nga gjithçka që hamë dhe pijmë.

Qumështi i gjirit është i pazëvëndësueshem, nuk ka asnjë ushqim që mund të krahasohet me të. Në të gjenden disa substanca si antikorpet, të cilat nuk mund t’i ofrojë një produkt i përgatitur në fabrikë. Qumështi i gjirit është i përgatitur fazë pas faze dhe është shumë i lidhur nënë me bebe dhe ka qindra benefite të pazëvendësueshme nëse e krahasojmë me atë formulës. OBSH e ka të përcaktuar që pas 6 muajsh të fillojë ushqimi solid, por jo se më parë se 4 muaj dhe jo më vonë se 6 muaj. Ushqimi i parë duhet të jenë drithërat, pasi janë të pasura me hekur. Pastaj provohet me pataten e ëmbël dhe bananen. Por duhet të dallojmë edhe shenjat kur fëmija e ka të nevojshëm ushqimin solid”- deklaroi Blerina Bombaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: