Të kalosh një mal sfidash e vështirësish dhe të duash po aq fortë të vazhdosh përpara dhe madje të ndihmosh dhe të tjerët. Raimonda Krasniqi është kandidatja e parë për deputete e PDK, e lindur në Shqipëri që kërkon të bëhet zëri i qytetarëve të zonës së Malishevës ku krijoi familjen e saj dhe jeton prej 26 vitesh.

Ajo mbërriti në Kosovë, kur vendi ishte ende nën okupatorin serb, në vitin 1995 dhe nuk e harron kurrë rrugën e saj përmes shtigjeve të errëta maleve ndërmjet Kukësit dhe Prizrenit, teksa pak metra larg kalonin ushtarët serbë dhe snajperi shënjestronte çdo lëvizje nga maja më e lartë.

Ajo u integrua menjëherë në familjen e saj të dytë, një familje atdhetare, që kontribuoi fuqimisht në çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Pa e mitizuar, historia e saj duket sikur vjen nga legjendat dhe duhen net dimri për të rrëfyer muaj nën tmerrin e sulmit të serbëve, peripecitë me dy fëmijë të mitur bjeshkëve të Berishës ashtu si mijëra e mijëra familje të tjera. Por kontributi i familjes së saj nuk do të mbaronte me çlirimin e Kosovës. Pas përfundimit të Universitetit dhe masterit në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, ajo punoi si mësuese e më pas drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare ‘Hasan Prishtina’ në Tërpezë.

Edukimi i brezave jo vetëm me bazën shkollore, por dhe dëshirën për dije e për të kontribuuar dhe ata në ngritjen e shoqërisë mbetet parimi i saj. Për herë të parë Raimonda Krasniqi, kandidon për deputete të Partisë Demokratike të Kosovës në listën që drejtohet nga pedagogu, ish-ministri i Arsimit dhe ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj.

Znj. Krasniqi është hera e parë që kandidoni për deputete në Kuvendin e Kosovës?
Po hera e parë si kandidate për deputete, por jo hera e parë e propozuar nga dega e Partisë Demokratike të Malishevës. Ndërkohë që kam qenë anëtare e asamblesë komunale tre herë duke u bërë pjesë e shumë punëve të mira të bëra me iniciativën e këshilltarëve të PDK, duke nisur nga infrastruktura rrugore, shkollore, ngritja e cilësisë në arsim dhe punësimi etj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ju keni një veçanti nga kandidatët e tjerë të forcave të tjera politike…
Që vij nga Shqipëria? Unë kam lindur në Shqipëri, jam edukuar e ushqyer me dashurinë për vendlindjen e të parëve të mi, por rrënjët e mia janë në Kosovë. Në moshën 22-vjeçare kam ardhur në Kosovë, duke u bashkuar me bashkëshortin tim, pas një fejese më shumë se 2-vjeçare. Më tej mes dy vendeve nuk ka ndasi, i Shqipërisë apo i Kosovës kur vjen puna tek zhvillimi, tek bashkëpunimi dhe çuarja përpara e projekteve që i shërbejnë shqiptarëve andej e këndej kufirit.

Ju keni ardhur në Kosovë para luftës dhe keni përjetuar luftën e fundit në Kosovë?
Ne jemi detyruar të lëmë shtëpitë tona dhe të dalim në mal pas sulmeve e granatimeve nga forcat serbe në Tërpezë. Janë ditë të vështira, tmerri, të mbushur me ankth, por gjithnjë me shpresën dhe besimin se Kosova do të çlirohej nga UÇK-ja.

A kanë qenë familjarët mbështetje për hyrjen tuaj në politikë?
Familja e bashkëshortit ka qenë gjithmonë mbështetje për mua dhe më ka inkurajuar të vazhdoj përpara duke parë aftësitë dhe dëshirën për të kontribuuar me çdo mënyrë për rindërtimin e Kosovës pas luftës. Ndërsa sot sërish vendi ka nevojë për njerëz që do të punojnë dhe ndryshojnë realitetin për shumë familje që jetojnë në kushte të vështira, duke iu dhënë shpresë të rinjve dhe të rejave të ndërtojnë dhe zhvillojnë vendin e tyre. Këtë gjë mund ta ofrojë vetëm Partia Demokratike e Kosovës që e ka dëshmuar dhe në të shkuarën se është një forcë e veprimeve, e punës e ndryshimeve pozitive dhe madje realiteteve, gjithmonë në kahjen pozitive.

Çfarë do t’i ofronit ju qytetarëve të Kosovës, që përveç problemeve socio-ekonomike janë lënë dhe të izoluar nga pjesa tjetër e Evropës, për shkak se liberalizimi i vizave nuk po ndodh?
Kam qenë gjithmonë pranë qytetarëve, për shkak të punës sime. Kam parë dhe prekur nga afër çdo dhimbje e problematikë të tyre, shumë herë jam përkushtuar personalisht për të ndryshuar jo vetëm një situatë sociale apo ekonomike, por dhe mentalitetin dhe për t’u dhënë kurajë për të kërkuar të drejtën e tyre. Liberalizimi duhet të kishte ndodhur dhe jam e bindur se me ardhjen e PDK në qeveri dhe me Enver Hoxhajn si kryeministër, një intelektual dhe një personalitet i shquar i shoqërisë shqiptare në Kosovë, vendi do të gëzojë jo vetëm lëvizjen e lirë, por edhe integrimin në organizma të tjerë euro-atlantikë, normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke nga Serbia.

Si një kandidate grua, a keni një mesazh për gratë?
Do kisha dashur të flisja gjatë, për t’i inkurajuar të bëjnë përpara dhe të fuqizohen sa më shumë, për të mbështetur njëra-tjetrën jo se janë gra, por se e meritojnë të jenë në krye të çdo institucioni falë aftësive dhe përkushtimit të tyre. Nuk duhet të intimidohen nga paragjykimet, shprehitë dhe mentaliteti që për fat të keq ekziston ende dhe ua bën më të vështirë suksesin, por nëse e duan diçka duhet të punojnë fort dhe ta arrijnë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb