Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër vaksinimin e stafeve mjekësore në qendrën e vaksinimit në Stadiumin ‘Air Albania’.

Këtë paradite janë vaksinuar stafi i Urgjencës Kombëtare, mes tyre edhe dr. Skënder Brataj.

“Vaksina të siguron mbrojtje, do presim edhe 21 ditët që të bëjmë dozën e dytë. Por midis këtyre dy vaksinave duhet të vijojmë të ruhemi”, tha Brataj.

Manastirliu deklaroi se po vijohen intesivisht me vaksinimin e mjekëve dhe inferimerëve në të gjithë vendin dhe ditën e sotme janë planifikuar 500 vaksinime vetëm në Stadiumin ‘Air Albania’.

“Po vijojmë intesivisht me të gjithë ekipet tona. Po përfundon QSUT, Urgjenca Kombëtare, spitali Dibrës, Krujës, sot vetëm tek Arena Kombëtare vaksinohen më shumë se 500 punonjës të shëndetësisë, ndërkohë që vijon vaksinimi edhe për të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve. Jemi në një moment pune intesive”, tha Manastirliu.

Duke i konsideruar si prioritet, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se, sipas planit të vaksinimit do të vijojë edhe vaksinimi për të moshuarit mbi 80 vjeç, me planifikim nga mjekët e familjes.

“Prioriteti ynë sipas planit të vaksinimit janë edhe të moshuarit mbi 80 vjeç me fasha të ndara sipas grupmoshës por edhe sipas sëmunshmërisë. Ndaj, ashtu sikurse kemi filluar për vaksinimin e 80 vjeçarëve të dielën, ashtu do të vijojmë për të vaksinuar sipas të gjithë atyre indikacioneve që mjeku i familjes jep. Dhe do të jetë pikërisht mjeku i familjes, i cili do të lajmërojë të gjithë të moshuarit mbi 80 vjeç, sipas fashave dhe udhëzuesve të Insitutit të Shëndetit Publik”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga një ekip i trajnuar. Deri tani janë vaksinuar 5612 mjekë dhe infermierë me dozën e parë, ndërsa 655 personel shëndetësor i kanë marrë të dy dozat e vaksinës. Gjithashtu janë vaksinuar 461 të moshuar dhe staf që kujdeset për ta. Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer në total 6728 vaksina antiCOVID-19, ndërsa sot pritet të kryhen rreth 1,000 vaksina në të gjithë vendin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb