Juristi Jordan Daci ka komentuar zhvillimet e fundit në Apelin e GJKKO për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar vendimin për masën e sigurisë si një çështje të mbyllur pas paraqitjes së provave të reja nga SPAK.
Sipas Dacit, provat e siguruara përmes përgjimeve në burg janë të ligjshme dhe vërtetojnë dyshimin e ngritur nga prokuroria.
“Provat e reja të SPAK, të marra duke përgjuar Veliajn në burg, janë të ligjshme. Për mua, masa e sigurisë ndaj Veliajt është një çështje e mbyllur me provat e reja që janë paraqitur,” u shpreh Daci.
Ai shtoi se edhe pse Veliaj nuk është ende i akuzuar zyrtarisht, ekzistenca e një dyshimi penal është e mjaftueshme për caktimin e masës së sigurisë.
“Asnjë masë sigurie nuk vendoset nëse nuk ka dyshim për një vepër penale të caktuar. Me ndryshimet që iu bënë Kodit të Procedurës në 2017, iu hap rruga arrestimeve të llojit të Veliajt. Deri atëherë, një rast i ngjashëm ishte ai i Ardian Fullanit, kur i shkuan në zyrë dhe e morën,” theksoi Daci.
Vendimi për Veliajn pritet të merret ditën e nesërme nga Apeli i GJKKO.