Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratuam një marrëveshje shumë të rëndësishme mes Këshillit të Ministrave dhe Qeverisë Konfederatës Zvicerane.

Është një marrëveshje bashkëpunimi tre vjeçare e cila do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor. Synojmë që nëpërmjet projektit “HAP – Shëndeti për të gjithë” i cili do të përfundojë në vitin 2027 qeveria Shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të kenë mundësi të përfitojnë nga protokolle pune dhe standarde të miratuara tashmë dhe që shërbejnë për të ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimi dhe shërbimi shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore në vend.

Falë fazës së parë të bashkëpunimit ne kemi mundësuar plot 31 qendra shëndetësore të cilat ofrojnë shërbim në banesë për të pamundurit, invalidët apo të moshuar të cilët nuk largohen dot nga banesat e tyre dhe kanë nevojë për një shërbim të dedikuar shëndetësor.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje që ne kemi firmosur sot, do të vijojmë ta shtrijmë këtë shërbim shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore në mbarë vendin.
Ndërkohë që është e rëndësishme të theksoj se falë bashkëpunimit me qeverinë e Zvicrës ne do të mundemi që të përfitojmë dhe nga protokolle të dedikuara për kujdes të thelluar në shërbime të shëndetit mendor të cilat gjithashtu do të mund të krijojnë hapësira të posaçme në të gjitha qendrat shëndetësore duke trajnuar dhe kualifikuar dhe mjekët e familjes, infermierët dhe këdo shërbim shëndetësor në qendrat shëndetësore për të ofruar shërbime të specializuara për të gjithë ata që kanë nevojë të trajtohen sa i përket çrregullimeve të shëndetit mendor.

E rëndësishme gjithashtu është të theksoj që shërbimi shëndetësor do të jetë ofruar në mënyrë të posaçme dhe për gratë, fëmijët të moshuarit apo të sëmurët kronikë duke bërë kështu që të zbatojmë një vizion tashmë të konsoliduar të qeverisë Shqiptare për të përmirësuar shërbimet që ofrohen pranë banesës, për të rritur mbulimin universal shëndetësor dhe ndërkohë nga ana tjetër, të mund të ofrojmë shërbime shëndetësore në portën e parë hyrëse për këdo qytetar që ka nevojë për një shërbim të tillë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb