NGA OLA MITRE

TIRANE- Pas ndryshimit të ligjit “Për sigurimet shoqërore”, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar pagat referuese, mbi bazën e të cilave, profesionistët e lirë do të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Janë 23 profesione, që klasifikohen si të tillë, duke filluar nga farmacistët, avokatët, noterët, mjekët, arkitektët, mësuesit, vlerësuesit e pasurive etj. (shih tabelën e plotë bashkëngjitur shkrimit), ndërkohë që pagat variojnë nga 40.250 lekë, që është më e ulëta, deri në 88.800 lekë, që është paga referuese më e lartë. Ndërkaq, ashtu sikurse ishte bërë e ditur edhe më herët, ato ndahen sipas qendrave të bashkisë ku zhvillohet biznesi dhe nëse ai zhvillohet në qytet apo në zonat rurale.

Sipas tabelave, që i bashkëngjiten vendimit të qeverisë, e që “Gazeta Shqiptare” i publikon të plota, qendrat ndahen në 5 kategori të ndryshme, ku në të parën përfshihen zonat më të zhvilluara e kështu me radhë, deri në të pestën, ku përfshihen ato më pak të zhvilluara. Ndërkohë që, sa i takon ushtrimit të veprimtarisë ekonomike profesionale që kryhet në fshatra në juridiksionet sipas bashkive, paga referuese zbritet me 20%, por jo më pak se paga minimale në shkallë vendi, që aktualisht është 22 mijë lekë.

Gjithashtu, në përcaktimin e këtyre pagave mbahen parasysh edhe vitet e punës në profesion, numri i të punësuarve, paga për të njëjtin profesion në sektorin publik, vitet e punës në bazë të licencës në profesion dhe statusi i profesionit. Paga mujore sipas llojit të profesionit janë të mirëpërcaktuara në aneksin 2, që e gjeni bashkëngjitur shkrimit. Nëse i referohemi kësaj tabele, një arkitekt që ushtron aktivitetin e tij në Tiranë do t’i paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën 73.800 lekë. Ndërsa një arkitekt, që e ushtron këtë aktivitet në Korçë, do t’i paguajë kontributet mbi pagën 62.200 lekë. E njëjta logjikë vlen për të gjithë profesionistët e lirë.

Sa i takon numrit të të punësuarve, kur ndonjë nga veprimtaritë profesionale kryhet nga persona që kanë edhe të punësuar ose edhe anëtarë të papaguar, paga mujore për të vetëpunësuarin, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, shtohet me 3 për qind për çdo të punësuar ose anëtar familjeje me kohë të plotë dhe 2 për qind për çdo të punësuar me kohë të pjesshme, por jo më shumë se paga maksimale, që sot është 97 030 lekë.

Për shembull, nëse i referohemi sërish rastit të arkitektit në Tiranë, një i punësuar me kohë të plotë do të derdhë kontribute mbi pagën prej 76.014 lekë (73.800 x 3% = 76.014 lekë). Ndërkohë që, për personat që fillojnë veprimtarinë ekonomike profesionale për herë të parë, paga mujore në tri vitet e para kalendarike të ushtrimit të profesionit me leje apo licencë, zbritet me 30 për qind, ndërsa për tri vitet e tjera kalendarike të ushtrimit të veprimtarisë me leje apo licencë zbritet me 15 për qind të pagës, pavarësisht nga numri i të punësuarve. Për shembull, një arkitekt në Tiranë, në tri vitet e para të ushtrimit të aktivitetit, do t’i derdhë kontributet mbi pagën 51. 660 lekë (73.800 – 30% = 51.660 lekë).

Sipas vendimit të qeverisë, paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, që ushtrojnë profesione të lira, llogaritet në bazë të pagës minimale, prej 22 mijë lekësh. Sipas legjislacionit në fuqi, për kontributet e sigurimeve shoqërore paguhet 23% e pagës, ndërsa për shëndetësoret 3.4 për qind e pagës. Kështu, sërish nëse i referohemi arkitektit në Tiranë, nëse ka mbi 6 vite që ushtron aktivitetin e tij, ai do të paguajë në muaj 16.974 lekë sigurime shoqërore dhe 2.509 lekë sigurime shëndetësore, dhe në total 19.483 lekë. Deri më tani ky person paguante 5.060 lekë në muaj sigurime shoqërore dhe 748 lekë sigurime shëndetësore.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: