Timonieri goditi sërish dje me logorenë e tij të zakonshme verbale në vigjilje të katastrofës së re që i pret shqiptarët: rritja e pashmangshme e çmimeve të energjisë. Rama ka artin që edhe momentet e zisë t’i shfrytëzojë si mundësi për të komunikuar e lartësuar veten. Kryeministri i Shqipërisë është një «geek” titullonte para disa kohësh AFP-ja, që e portretizonte Ramën si një të obseduar pas mesazheve dhe fjalimeve narcisiste në rrjetet sociale. Deklarata e tij e djeshme mbi energjinë nuk i shpëtoi këtij rregulli duke folur shumë për të mos thënë asgjë konkrete.

Shumë kryeministra në Europë dhe në botë po e marrin fjalën në këtë moment para opinioneve të tyre publike për të ekspozuar situatën kritike në fushën e energjisë, por edhe për të shpalosur masat minimale që mendojnë të marrin për të lehtësuar financat e qytetarëve në prag të dimrit të madh. Dhe masa kryesore, e ndoshta e vetme, që po dekretojnë qeveritë e ndryshme në këtë moment është heqja e taksave dhe akcizave kombëtare mbi energjinë për të mos ua shtrënguar edhe më shumë lakun në fyt njerëzve. Ky opsion mundëson që fatura e qytetarit të mos «shpërthejë» pasi rritja e paevitueshme e çmimit të energjisë nga furnizuesit kompensohet në anën tjetër nga ulja apo pezullimi i taksave mbi energjinë nga shteti. Asnjë masë e tillë nuk u pa në deklaratën e djeshme të Ramës.

Përkundrazi lëshoi vetëm shifra të frikshme nga bota se si t’i trondiste shqiptarët për ta shfajësuar më mirë veten dhe pafuqishmërinë e qeverisë së tij: «Në Britani, 15 milionë familje pritet të afektohen negativisht nga rritja e çmimit të energjisë», «në Bullgari, çmimet shënojnë një rritje prej 72% nga fillimi i vitit», «çmimi i gazit është rritur me rreth 250%». «Në bursën…, energjia elektrike ka një rritje prej 182%». Dhe konkluzioni vjen natyrshëm, sipas Ramës, «duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale». Po Rama harroi t’u thoshte shqiptareve se në Francë qeveria po zhbllokon një ndihmë financiare specifike për familjet më në nevojë, të kombinuar me një pezullim të përgjithshëm të taksave në faturat e energjisë për të gjithë qytetarët, të varfër apo të pasur.

Në Spanjë, përveç anulimit të përkohshëm të taksave specifike mbi energjinë, edhe TVSH–ja mbi energjinë është pezulluar. Në Itali, 3 miliardë euro janë zhbllokuar për 3 milionë familje italiane në vështirësi e dhe biznese të vogla plus heqjen e TVSH-së mbi energjinë si në Spanjë. Nga Portugalia në Greqi pritet po ashtu të shpallen masat emergjente për t’u evituar popullatave një katastrofë financiare pas asaj sanitare. Pasi fundi i fundit, ku është dallimi midis rrogave falas që u jepeshin shtetasve nga qeveritë kur i bllokoi pandemia nëpër shtëpi, me ndihmën financiare që duhet t’u jepet tani për t’u ngrohur e jetuar sa më normalisht në shtëpi.

Pyetje normale për shtete normale , por jo per shtetin e Edi Rames qe nuk tha asgje me vlerë dje në fjalimin e tij që e quajti qesharakisht të jashtëzakonshëm. Të vetmet masa konkrete që Rama shpalli dje ishin parullat e tij të rëndomta që vetëm sa i infantilizojnë qytetarët. Nuk ke se si i lexon ndryshe këto fjali nga deklarata te tij e djeshme që duket sikur ishin marrë nga një fjalim i ish-diktatorit teksa brohoriste asaj epoke «tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona». Nën penën revolucionare të Edi Ramës kjo nuk tingëllon shumë më ndryshe: «nga lufta vijmë në luftë shkojmë», «ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë». «As nuk rrëzohemi, as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre», ndaj «durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën».

Për të qarë, për të qeshur apo… për të vjellë. Vetëm pak para muajsh, i njëjti Kryeministër, me stilin e tij të paimitueshëm, teksa firmoste një kontratë që tingëllon aq boshe sot, me firmën amerikane “ExxonMobil” për të sjellë gaz të lëngshëm në Vlorë, thoshte plot lirikë: Sot për Shqipërinë nis një epokë e artë e gazit duke transformuar Vlorën në një qendër për gazin e lëngshëm natyror. Epoka e artë e gazit e parashikuar nga agjencia ndërkombëtare e energjisë po shfaqet mirëfilli sot”. Pas gjashtë muajsh ky Kryeministër amneziak e harroi epokën e artë të gazit të lëngshëm amerikan dhe u thotë tani shqiptarëve shtrëngoni rripin. Për ta mbyllur, tri gjera të sqarojë Kryeministri: E para, kur do t’i ulë apo do t’i anulojë fare taksat mbi energjinë për aq kohë sa çmimet e energjisë mbeten të tensionuara në tregjet botërore.

E dyta, pse në stinën e shirave ku po hyjmë, Shqipëria duhet të vuajë për energji? Na u tha gjatë dy mandateve të Rilindjes se shqiptarët janë të bekuar nga Zoti me burime ujore në atë pikë sa qeveritë Rama desh e mbushën çdo pëllëmbë lumi me HEC-e, plus hidrocentraleve gjigante të trashëguara nga koha e diktaturës. Janë plot 150 HEC-e private që operojnë në Shqipëri dhe INSTAT u thurte kurora me dafina vetëm pak para disa javësh kur jepte këto statistika: «prodhimi i energjisë u rrit me 2.7 herë gjatë tremujorit të dytë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur u prodhuan 571 GWh energji; hidrocentralet private dhe koncesionare kanë shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 80%»!

Atëherë si ta kuptojmë që rrisim me gati tri herë prodhimin e energjisë dhe në momentin kur hyjmë në stinën më të lagësht Kryeministri na paralajmëron për një katastrofë me çmimet e energjisë. Por në qoftë se energjinë e prodhuar brenda territorit tonë e shtojmë dhe në vend ta paguajmë më lirë, do ta paguajmë më shtrenjtë, pasi ky Kryeministër kërkon t’iu aplikojë shqiptarëve pa asnjë logjikë, ose pa asnjë moral, çmimet e energjisë në bursat botërore që s’kanë lidhje me Shqipërinë, atëherë ky popull nuk qenka i bekuar, por i mallkuar… Së treti, po ky Kryeministër që rrahu me vite gjoksin për projektin TAP që do t’iu sillte shqiptarëve gazin si çezma uji, sot e harron fare këtë burim dhe i përgatit shqiptarët ose të shpengojnë rripin ose ta paguajnë energjinë sa frëngu pulën.

Dredhat e Ramës kur herë gëzohet se kemi kapur qiellin me dorë dhe herë pezmatohet se ditë të errëta na presin kanë një emër: keqqeverisje. Por ai ka fatin se përballë i ndodhet një «keq-opozitë» që vazhdon të merret me komisionet hetimore për vjedhjen e zgjedhësve kur shqiptarëve do t’iu vidhen mirë xhepat me pretekstin e rritjes së çmimeve të energjisë… Por mbase kryeministrja bis, zonja Yuri Kim, e ka një zgjidhje për ata shqiptarë që së shpejti kur t’i takojë do t’i flasin me gjuhën e Migjenit: «mardha, ngriva». Ndoshta më shumë se prania në NATO dhe aleancat strategjiket për mbrojtje, shqiptarëve ashtu si shumë popujve të tjerë të varfër në këtë botë, u duhen në prag të dimrit miq të mirë në ditë të këqija që t’u ngrohin vatrat pa rënë pre e faturave astronomike të Edi Ramës…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb