TIRANË – Emisioni Vetting në News24 solli mbrëmjen e djeshme dramën e të miturve të dënuar në Burgun e Kavajës.

Në lidhje me atë që u transmetua, si dhe bisedat e zhvilluara me të miturit e burgosur, foli në rubrikën Opinion, gazetarja e emisionit, Rovena Cerka. Ajo deklaroi se emisioni Vetting ka bërë një punë të vështirë dhe me përgjegjësi për të sjellë më pranë jetën e të miturve të burgosur në Burgun e Kavajës. Cerka shtoi se të miturit ishin penduar për veprat që kishin kryer dhe mendonin se familja është gjëja më e shtrenjtë.

“Kur ne shkuam në burgun për të miturit, ata na pritën krahëhapur. Dukej sikur të gjithë justifikonin veten dhe shokët e tyre. Të gjithë ishin të vetëdijshëm për krimin që kanë kryer. Kishte edhe fëmijë që ishin aty për konflikte banale, kishte edhe pse kanë shkaktuar aksident autobolistik. Ata vetë thanë se janë djem të mirë. Por, sigurisht që kishin bërë dhe krime si vjedhja, grabitja apo shitja e lëndëve narkotike. Shumë prej tyre ishin penduar, po tani ndjejnë sesa e rëndësishme është liria.

Një nga të miturit më tha se sot nuk ka shoqëri dhe se duhet të dëgjojmë familjen. Shumë prej tyre kishin kryer krime, edhe sepse ishin detyruar nga varfëria. Shumë të mitur thoshin që fajin pse janë aty e ka shteti, sepse më thanë se kanë probleme ekonomike e familjare. Edhe unë mendoj se shteti ka fajet e tij. Adoleshenca dhe rinia është periudhë me shumë probleme, ka shumë të mitur që nisin të pinë drogë që në moshë të hershme. Ne kemi qenë e jemi një shoqëri neglizhente. Gjithsesi shpresojmë që gjërat të përmirësohen dhe institucionet ligj-zbatuese të jenë më të përgjegjshme”, u shpreh gazetarja Cerka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb