Kreshnik Mujeci, i cili mbeti i vrarë sot së bashku me bashkëshorten e tij, Gentjana, gjatë një atentati në Balldren të Lezhës, është një nga protestuesit kundër resortit që pritet të ndërtohet në zonën e Rrjollit.

Çifti, i cili kishte 4 fëmijë,  po udhëtonte me automjetin e tyre tip “Audi Q7” në momentin kur është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.

Mjeti është gjetur i shoshë nga plumbat, ndërsa dyshohet se autorët kanë organizuar një pritë të mirëfilltë, duke vepruar në mënyrë të koordinuar.

Kreshnik Mujeci njihej në zonë si një person aktiv në jetën komunitare. Ai organizonte çdo vit festën e Shën Markut në fshatin Koljakaj, një aktivitet që synonte bashkimin e banorëve dhe promovimin e harmonisë ndërfetare.

Nga ana tjetër, ai ishte i angazhuar edhe në çështje që lidhen me mbrojtjen e pronave në zonën e Rrjollit, ku kishte marrë pjesë në protesta duke bërë thirrje për rezistencë ndaj asaj që konsiderohej si cenim i tokave të banorëve.

Burime bëjnë me dije se Mujeci ka pasur edhe precedentë penalë. Në vitin 2016, ai dhe vëllezërit e tij janë akuzuar për vrasjen e Gegë Mëhillit, i njohur ndryshe si Gent Pjetri, një ngjarje që ka sjellë përplasje dhe hasmëri mes grupeve rivale.

Hetimet për atentatin e sotëm janë në zhvillim, ndërsa një nga pistat kryesore ku po përqendrohen autoritetet lidhet pikërisht me konfliktet e mëparshme dhe hakmarrjen e mundshme.

Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa priten detaje të tjera në vijim mbi këtë ngjarje të rëndë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb