Manchester City është kualifikuar për në finalen e Kupës së Botës për klube, pas suksesit ndaj Uraw Reds me shifrat 0-3, në takimin e luajtur në King Abdullah Sports City (Jeddah). “Qytetarët” hasën mjaft vështirësi në pjesën e parë. Pavarësisht dominimit të skuadrës së Guardiolës dhe katër gjuajtjeve në portë në pjesën e parë, Grealish me shokë nuk gjetën dot golin. Në shtesën e fraksionit të parë, pas një zbritje të Manchester Cityt, një top i ardhur nga krahët përfundoi në rrjetë, pas një devijimi të pafat të mbrojtësit norvegjez, Marius Hoibraaten.

Anglezët shkuan në dhomat e zhveshjes me avantazhin në xhep, për t’u futur më pas më të qetë në pjesën e dytë. Mateo Kovacic realizoi golin e dytë për skuadrën në minutën e 52-të, pas një asisti të Walker. Kampionët e Azisë pësuan shumë shpejt edhe golin e 3-të, kësaj here nga Silva.

Manchester City shkon kështu në finale, ku do të përballet me Fluminense. Për skuadrën nga Manchesteri, bëhet fjalë për debutim në këtë turne global, pasi fitoi sezonin që shkoi Champions League për herë të parë në histori. Ndërkohë që për rivalin e sotëm, Urawa Reds, kjo ishte paraqitja e 3-të e tyre në Botërorin e klubeve, pas atyre të viteve 2007 dhe 2017.

 

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb