Kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko, i cili ndodhet në Madrid për samitin e NATO-s, i bëri sot thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut që të “përshpejtojë” dërgesat e armëve në Ukrainë, duke shpjeguar se një mbështetje e tillë është e nevojshme për “kthimin e paqes” në Evropë.

“Ne presim nga samiti i NATO-s që do të lejojë përshpejtimin e dërgimit të armëve për ushtrinë ukrainase”, tha Vitali Klitschko kur u pyet nga gazetarët se çfarë priste nga samiti.

“Ne kemi nevojë për sisteme antiraketë. Çdo ditë ne shohim raketa ruse që shkatërrojnë qytetet tona, vrasin civilë, shkatërrojnë infrastrukturën. Mbështetja për Ukrainën është çelësi për rivendosjen e paqes në Evropë”, tha Klitschko, duke shtuar se pushtimi rus i vendit “nuk është një luftë kundër ushtrisë ukrainase, por kundër popullit”.

“Duhet të izolojmë Rusinë”, këmbënguli vëllai i kryebashkiakut, duke dënuar sulmin në qendrën tregtare Kremenchuk, i cili vrau të paktën 18 persona dhe la 40 të tjerë të zhdukur.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb