Nga Enrik Mehmeti
Sot është një ditë e shënuar për qytetin e Vlorës, diçka që nuk ka ndodhur kurrë në 39 vite. Sot Vlora mbush një vit pa asnjë atentat me viktimë ose të vrarë me armë.
Gjatë verës së çdo viti të kaluar , apo edhe në dimër, atentatet apo vrasjet kanë qenë të pranishme , ku deri para 15 viteve mënyra më e përdorur e atentateve ka qenë nëpërmjet eksplozivit me show për të treguar forcën ndaj kundërshtarëve dhe më pas atentatet e mirë-organizuara dhe gati çdo herë vrasjet kanë ngelur të pa zbardhura.
Pak ditë më parë nga ana e policisë së Vlorës janë evituar 2 atentate, një me armë silenciator dhe një tjetër me eksploziv, ku në të dy rastet janë arrestuar dhe autorët, (rrallëherë ka rastisur që të parandalohen vrasje dhe të kapen autorë gati për ekzekutim).
Nëse do të kishin ndodhur këto dy atentate, do të ishte një njollë e zezë në sytë e turistëve të shumtë ku gati 90 për qind e tyre, vijnë për herë të parë në Shqipëri. Atentate apo vrasje do të ketë gjithmonë ashtu si në shumë vende të botës por plotësimi i një viti të plotë për herë të parë në 39 vite ,pa viktime atentati në forma të ndryshme apo vrasje me armë, e nxjerr Vlorën nga një “harta e zezë” dhe i jep shkëlqimin e Vlorës së Turizmit.
Gjithashtu një menaxhim i mirë është bërë dhe në pjesën detare ku kontrolli i rreptë përgjatë gjithë bregut me mijëra masa të ndryshme për mjetet ujore që thyenin perimetrin e sigurisë dhe shkelje të tjera , bëri që turistët të gjenin një qytet ku rregullat zbatohen si çdo qytet turistik Europian. Nuk para vlerësoj drejtues apo politikan, përkundrazi gjithmonë tregohem i ashpër në rastet e abuzimeve apo problematikave por këtë herë dua të përgëzoj punën e bërë për menaxhimin e duhur nga drejtori i policisë së qarkut Ermal Muça, për kufirin Ed Sulejmani dhe ministrin Taulant Balla, që Vlora të jetë “Mbretëresha e Turizmit” dhe jo epitete të tjera negative.