NGA KLODIANA LALA

TIRANE-
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për ekzekutimin e Elton Çiços dhe ngriti akuzë ndaj katër personave, mes të cilëve një oficer policie.

I shumëkërkuari Jani Aliaj do të gjykohet për akuzën e vrasjes me paramendim të Çiçoss, me të cilin sipas Prokurorisë kishte patur konflikte të forta të nisura vite më parë në burgun e Koridhalosë në Greqi.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se gjatë qëndrimit në burg Jani Aliaj ka rrahur për vdekje, një mik të Elton Çiços dhe më pas është konfliktuar me atë vetë.

Pasi kanë përfunduar dënimin dhe janë kthyer në Shqipëri, Çiço, i cili ishte shprehur se “do ta vriste me çdo kusht”, armikun e tij të përbetuar, ka tentuar të marrë hak duke i organizuar dy atentate Jani Aliajt, por pa mundur ta ekzekutojë atë.

Por një vit më parë, Jani Aliaj, i veshur sportiv me kapele në kokë, sikurse përshkruhet në dosjen e organit të akuzës, ka hyrë në brendësi të një lokali të njohur në kryeqytet dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të Elton Çiços, i cili ndodhej në shoqërinë e oficerit Alban Trimi, mjekut Elton Rraja dhe një personi të tretë.

Ai është larguar nga vendi i krimit, me një makinë “Ford Focus”, që e priste të dera e lokalit.
Nga hetimet, rezultoi se makina ishte në pronësi të Renato Milloshit, i cili do të përgjigjet vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit, pasi nuk u provua që ishte i përfshirë ne vrasje.

Kamerat e sigurisë në lokal dhe bizneset përreth, si dhe gjetja e makinës, ndihmuan Prokurorinë të identifikonte autorin e krimit.

Ndërkohë, oficeri gjyqësor Alban Trimi dhe Redian Rraja, janë akuzuar nga Prokuroria për “Kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas Prokurorisë i pandehuri Trimi ka prishur vendngjarjen, pasi ka hequr prej aty, çantën e dorës së viktimës dhe një pistoletë.

Po, ndërsa është hedhur dritë mbi mekanizmin e krimit, Prokuroria nuk ka mundur ende të zbulojë emrin e personit që drejtonte makinën e përdorur në vrasjen e Çiços.

Krimi i 1 majit të një viti më parë u pasua me ngjarje tejet të rënda kriminale, pasi janë ekzekutuar njëri pas tjetrit, miq të Elton Çiços dhe Jani Aliajt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb