Pas qëndrimit te Qendra Ekologjike Sportive në Zubin Potok, ndalesa kryesore e Vuçiçit ishte të Liqeni i Ujmanit apo siç njihet ndryshe edhe si Liqeni i Gazivodës.

Aty Vuçiç tha se Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

“Mendoj se në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin ballafaqohemi”, tha Vuçiç.

Ai tha se ka ardhur në Kosovë me idenë që të ruhet paqja, stabiliteti dhe t’i vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për problemet shekullore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Vizita e Vuçiçit ishte vënë në pikëpyetje për faktin se autoritetet e Kosovës, fillimisht i kishin lejuar atij vizitën në pjesën veriore, por jo edhe realizimin e agjendës për vizitë te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës).

Mirëpo, siç kanë deklaruar zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, vizita te Liqeni i Ujmanit ishte lejuar pas trysnisë së Bashkimit Evropian, ngase të premten, Vuçiç në shenjë proteste, kishte refuzuar ta takonte presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Liqeni i Ujmanit, nga Serbia dhe presidenti Vuçiç po cilësohen si burim dhe pasuri ekonomike serbe, çka kundërshtohet ashpër nga autoritetet në Prishtinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb