Avokatia Alesia Balliu ka deklaruar se mbështet kandidaturën e Luçiano Boçit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në një postim në rrjetet sociale ka deklaruar se të gjithë qytetarët duhet të bëhen bashkë në një kohë kur qyteti po zbrazet çdo ditë e më shumë dhe kur varfëria është ulur këmbëkryq në çdo shtëpi elbasanase.

“Elbasanit çdo ditë po i pakësohem rrahjet e zemrës, rrahje që po largohen nga vendi i tyre, rrahje që po shikojnë drejt mundësive më të mira.

Elbasani im, Elbasani juaj, Elbasani jonë, çdo ditë po boshatiset, çdo ditë po zbrazet. Ky është fati i keq i një qyteti me histori por që njerëzit që po e drejtojnë po e shpopullojnë. Mungesa e meritokracisë, rrogat e ulët, krimi, administrata e politizuar e kanë detyruar të vëllezërit, motrat të afërmit tanë të largohen. Sot në Elbasan në sofër shtrohet një vakt më pak. Unë e thashë fjalën time. Tani thuaje dhe ti fjalën tënd. Bashkohemi, Fjalën e ke ti!

Panorama e një qyteti që plaket, ky është Elbasani. Një qytet me histori, me kala, me kulturë, por dita ditës pa njerëz. Rrugica boshe, shtëpi që rrënohen, kalldrëme që nuk i shkelin më si dikur, një panoramë e zymtë dhe vrastare.

Varfëria është ulur këmbëkryq në tavolinat e familjeve të Elbasanit.

Varfëria është kthyer në temën e ditës së bashku me politikën që e ka shkaktuar këtë “plagë”, e cila vetëm hapet për qytetin tonë.

Fshatra të cilat boshatisen pa asnjë mundësi punësimi dhe të ardhme. Fshatra që vetëm moshohen si ata e nuk ndjejnë të dëgjohet një zë i ri.

Prindër që dalin në ballkon dhe presim fëmijët që të ju vijnë nga emigrimi. Prindër që presin me kokën nga dera se mos ajo derë hapet edhe ju kthehet buzëqeshja. Ky është Elbasani dhe rrethinat e tij, një qytet që plaket, varfërohet dhe boshatiset”, ka deklaruar ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb