TIRANË- Zhvarrimi i eshtrave të piktorit të madh Ibrahim Kodra ka hapur debat të madh mes komunitetit të artistëve dhe një ‘konflikt’ mes Ministrisë së Kulturës dhe banorëve të Ishmit, ku aktualisht prehet mjeshtri i madh. Ky debat është zhvendosur sonte në emisionin “Në tempull” të gazetares Anisa Ymeri, ku kanë qenë të ftuar: Zv.ministri i Kulturës Zef Çuni; piktori Gazmend Leka; Ish-sekretari i piktorit Kodra, Parid Teferiçi. Por nuk ka munguar as ekzekutuesi testamentar i Kodrës, Fatos Fazliu, i cili ka komunikuar nga Italia me telefon.

Zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni tha se kanë qenë ekzekutuesit e testamentit që kanë bërë kërkesë për zhvarrimin e Ibrahim Kodrës.

“Duhet të merrnin vendim në bazë të kësaj kërkese. Do t’i shkojmë në fund vendimit, e kërkon fondacioni. Ai është njeri i artit që ka ushtruar veprimtarinë e tij në Itali. Ajo që ka bërë ai, përbën nder për gjithë komunitetin e artistëve shqiptarë. E rëndësishme që ai të vendoset në një vend dinjitoz”, ka thënë zv.ministri Çuni.

Nga ana tjetër, piktori Gazmend Leka, i cili është përfshirë nga banorët në këtë çështje tha se rivarrimi nuk është i drejtë. Për të, me zhvarrimin po fyhet populli i Ishmit.

“Të gjithë duan t’ia bëjnë nderin Ibrahim Kodrës. Takova disa njerëz nga Ishmi dhe kërkonin nga Akademia e Arteve një mendim të tyre. Nuk më duket e drejtë kjo gjë. Dua të gjej të drejtën. Në testament nuk flitet fare as për Tiranën e as për Durrësin. Për Ishmin ka ngelur në mënyrë gojore. Mentor Nazarko ka thënë se nuk ekziston në testament. Kur spostohesh nga plani ligjor dhe kthehesh nga plani emocional, hajde diskutojmë. Ndaj më erdhi keq nga Ministria e Kulturës. Ka pasaktërisa, nuk po them gënjeshtra. Thuhet që ka takuar deputetë të zonës. Nuk është e vërtetë. Nuk më duket i drejtë rivarrimi i Ibrahim Kodrës. Nuk mund të fyesh banorët, askush nuk bisedoi me ta”, tha Leka.

Nga ana tjetër zv.ministri Çuni tha se për këtë çështje është biseduar me deputetin e zonës. “Kemi folur me deputetin e zonës, zotin Koka”, tha Çuni.

“Në Ishëm njerëzit janë të painformuar. Nuk mund t’i fyesh. I kanë parë rastësisht disa njerëz që po hapnin varrin. Më pas zoti Çuni dhe Mentor Nazarko kanë shkuar për të biseduar. Ministria duhet të ishte më korrekte”, është shprehur piktori Leka.

Çuni tha se është marrë intensivisht me këtë çështje. “Kam patur bisedime edhe 7 orë me drejtuesit lokalë. Nuk është detyrë e Ministrisë së Kulturës zhvarrosja. I jemi drejtuar bashkisë. Kemi letrën e Dakos që autorizon zhvarrimin nëpërmjet një përfaqësuesi në Ishëm. Unë kam biseduar edhe me popullin. Ky përfaqësues i bashkisë nuk e ka kryer detyrën e tij për të biseduar e bindur popullin. Kur personit në fjalë i është dhënë e drejta e ekzekutorit testamentar, nga ky moment ka të drejtën ligjore të thotë çfarë të dojë, zoti Faslliu”, tha Çuni. Por Leka u shpreh se Kodra atij i ka lënë vetëm për krijimtarinë e tij.

Ish-sekretari i piktorit Kodra, Parid Teferiçi thotë se pavarësisht se nuk shprehet në testament “merret si opsion i parë, rikthimi në vendlindje”. “Zoti Faslliu na tregoi fotot nga spitali. Kohët e fundit papritur fliste në një shqipe arkaike. Në këtë prizëm, vendimi që u mor atëherë, u pa e arsyeshme që një njeri si Kodra i larguar në fëmijëri të hershme…të varrosej në Ishëm. Është një përmbushje e testamentit gojor. Ekzekutuesi testamentar nuk mund të marrë vendime përtej asaj që përcaktohet qartë në testament. Zoti Pacolli është ekzekutuesi i këtij testamenti të përcaktuar nga Kodra. Zoti Faslliu ka qenë kundër vendosjes së eshtrave në Ishëm”, tha Teferiçi.

I pyetur se cili do të jetë hapi i tij i ardhshëm, Fatos Faslliu, ekzekutuesi testamentar i Kodrës thotë: “Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet shqiptare, me zotin Pacolli dhe me drejtuesit e komunitetit në Ishëm. Amaneti i Kodrës nuk mund të shkelet. Ne do rrimë në kontakte, do t’i sqarojmë mirë njerëzit. Teferiçi ka kontaktuar me dhjetëra herë gjatë kohës që Kodra ka qenë sëmurë. Ne do ta zgjidhim duke u bazuar tek ligjet e shtetit shqiptar dhe sidomos shtetit italian. E drejta e trashëgimisë është universale”.

Pyetjes se nëse do të hapë një gjyq për këtë çështje, Faslliu i përgjigjet:

“Jo. Ne duhet të ruajmë imazhin e Shqipërisë, imazhin e maestro Kodrës, imazhin e autoriteteve shqiptare dhe imazhin e Ishmit. Ata duhet ta kuptojnë që nuk mund të sillen kundër dëshirës së maestro Kodrës. Teferiçi e ka ditur shumë mirë. Më tha që fillimisht do vendoset në Ishëm e më pas kur të hapet Panteoni i njerëzve të famshëm”.

Por kjo gjë ka sjellë reagimin e piktorit Leka: “Çfarë i duket Ishmi, vend i padrejtë, jo e ndershme dhe jo dinjitoze? Atëherë Skënderbeu duhet të varrosej në Tiranë dhe Ismail Qemali në Tiranë. Kështu po fyejnë Ishmin. Nën hyqmin e Presidentit duhet të bëhet edhe zhvarrimi, që i ka dhënë titullin Nderi i Kombit. Ka radhë puna. Njerëzit duhet të jenë më koshientë për gjërat që thonë. E kuptoj sjelljen e zotit Faslliu edhe dëshirën e madhe të zotit Pacolli po shteti shqiptar ka rregulla”.

Ndërsa Çuni tha se mjeshtri Kodra “e ka lënë me testament”, Leka përgjigjet se për këtë “nuk ka asnjë rresht”.

“Kur flasim për probleme ligjore duhet ta largojmë nga sfera e artit. Po të më pyesin si artist edhe unë jam dakord që të vendoset në Ishëm”, thotë Çuni.

Zoti Teferiçi tha se Populli i Ishmit tregoi që e do figurën e tij. “Ministria e Kulturës tregoi gatishmërinë që të tërhiqej përballë vullnetit të popullit. Pavarësisht kësaj ane pozitive, ne sot në 10-vjetorin e largimit nga kjo jetë të mjeshtrit Kodra duhet të flisnim për gjëra të tjera. Për galeri, ekspozita këtu në Shqipëri”, tha ai.

Ndërkohë zoti Faslliu deklaron se me sekretarin e Kodrës, Teferiçin dhe zotin Visar Zhiti ka pasur kontakte dhe ata i kanë thënë që varrimi në Ishëm do të ishte për një kohë të shkurtër.

“Me Parid Teferiçin kemi pasur kontakte shumë të shpeshta. Zoti Zhiti dhe Teferiçi më thanë shprehimisht që “Fatos për momentin në Tiranë nuk kemi një vend që e meriton Kodra. Më vonë do të bëhet një Panteon për njerëzit e shquar dhe do të vendoset atje”. I jam drejtuar të gjitha instancave. U bë kompromis. Unë kam tentuar të bisedoj me autoritetet në Ishëm. Kemi pasur një plan, projekt që të bënim një shtëpi muze në Ishëm, por ne nuk mund të pranojmë shantazhet e banorëve të Ishmit. Nëse ka ndonjë që thotë mos e plotësoni amanetin do e shikoj, por nuk besoj se ka. Djali i Sami Frashërit nuk ka pranuar që trupin e të atit ta sillnin në Shqipëri. Amaneti i Kodrës nuk ka qenë për t’u varrosur në Ishëm. Testamenti i tij, shtëpia ime të bëhet muze”, u shpreh Faslliu.

Zv.ministri Çuni theksoi se “nuk do tërhiqemi nga varrosja tek Kodrat e Liqenit. Nuk tërhiqemi nga administrimi i të gjithë veprës që ka lënë Ibrahim Kodra, për ta popullarizuar, për ta botuar. Kemi vende të tjera ku të rivarrosim të famshmit”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: