Nga Monika Shoshori Stafa

Pak më shumë se 100 vite më parë, një arkitekt i famshëm amerikan, Daniel Burnham, pat lëshuar kushtrimin e tij shpotitës, në mënyrë aq të befasishme tek të gjithë ata, të cilët ishin entuziastë në pritje për t’u ndryshuar fytyrën qyteteve amerikane. “Mos u lodhni të projektoni hapësira të vogla për qytetet tuaja”, këshilloi ai. “Ato nuk mund të ngacmojnë vibrime në gjakun e njerëzve. I bëni ato të mëdha, shkoni lart në ëndrrat tuaja. Mos kini frikë t’i shkruani ato e që këtej t’i ndizni shpresën dhe forcën për punë banorëve të qyteteve tuaj”. Qëllimi i Burnham ishte i qartë. Ai besonte se qyteteve të mëdha i detyrohemi pa asnjë diskutim pamjen glorifikuese që duhet të vinte prej ndërtesave monumentale, parqeve të gjera e elegante, të dizenjuara në projekte vizionare dhe inovative në të cilat të mund të pasqyroheshin qartazi synimet e një ëndrre, që do të duhen dekada të plotësohen. Ndërsa koha shkonte, këshilla ekstravagante e Burnham mori statusin e një klisheje, por breza të tërë arkitektësh dhe projektuesish e përvetësuan atë, duke e përdorur në çdo kohë për të justifikuar propozimet me projekte madhështore që ata u bënin politikanëve dhe filantropëve, të cilët paguanin shuma marramendëse për to. E sigurt është se nuk mund të jetë e ndershme të fajësojmë plotësisht arkitektin amerikan dhe gjeniun brenda tij, si përgjegjës për qindra ato projekte rinovimi urban, që i kthyen qendrat e qyteteve në vende thellësisht jo më aq simpatike sa shumica e tyre u bënë gjatë mesit dhe fundit të shek. të 20. Por, ka ende ekspertë të mençur boll, që për shekullin e ardhshëm u ofrojnë një tjetër alternativë projektuesve urban; një dozë të vogël nga e kundërta e këshillës së Burnham. Diçka të ngjashme me këtë pohim, “….bëni kujdes me planet e mëdha, sepse ato kërkojnë përkushtim të përhershëm, kushtojnë shumë dhe gjenerojnë pasoja të padëshiruara e të panumërta. Filloni nga ndryshimet e vogla, të cilat mund ta përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm; filloni t’i bëni ato menjëherë. Mos harroni të vazhdoni së ndërtuari mbi suksese të vogla për të arritur më vonë diçka më shumë ambicioze”. Shumë pak kryebashkiakë shqiptarë mund të mësojnë prej këtyre këshillave. Dashuria që duhet të kenë ata për qytetin është çelësi i nismës së këtyre alternativave, që ata mund t’i zgjedhin vetë se cilin variant këshillimi mund të ndjekin. Është kënaqësi sot të mund të shohësh një lëvizje të re, që në mënyrë eksplicite mbron një strategji të përmirësimit të qyteteve me hapa të vegjël, nën një seri goditjesh të njëpasnjëshme e të kujdesshme; një strategji pune kjo që mund të krahasohet me atë mënyrën aziatike të trajtimit të sëmundjeve, e quajtur ndryshe akupunktura. Krahasimi me këtë metodë mjekësorë shërimi duket së është modeli më i mirë që ekspertët e urbanistikës në kohët e sotme e kanë huazuar prej termit të kësaj metode mjekësore për të përshkruar mënyrën e re se si ata operojnë sot. Ata e quajnë atë ndryshe, akupunktura urbane. Po çfarë është në të vërtetë akupunktura urbane? Pak muaj më parë në dorë më erdhi një libër me të njëjtin titull, nga një mike e re e imja, e cila e kish përkthyer atë me padurimin e një fëmije për shkak të modelit që e kish frymëzuar aq shumë në kontekstin e tij. Jo aq se vetë ajo është një arkitekte e zonja, por sepse dëshira për të përmirësuar qytetin ku ajo po kandidonte, Pogradeci, ia ndezi ritmin rutinës së përditshme në të cilën edhe vetë qyteti i vogël juglindor ishte përfshirë. Në një bashkëbisedim me të në Berlin, ark. Diana Mile më kish thënë se besonte në disa mrekulli të mjekësisë, të cilat mund të aplikoheshin edhe për shumë qytete tona, që janë problematike dhe sidomos disa që kanë probleme emergjente. Sipas saj, ashtu sikurse kurimi i mirë varet nga bashkëpunimi i doktorit me pacientin, planet e suksesshme urbane përfshijnë përgjigjet e duhura për qytetin, duke bërë sondazhe për të nxitur zhvillimet dhe mundësitë e reagimeve pozitive. Më vonë u zhyta thellë në mendime kur fillova të shfletoja librin me të njëjtin titull “Akupunktura Urbane” që ajo ma pat dhuruar dhe ku mund t’i referohesha për të njohur më mirë se si mund të përmirësojmë qytetet, për të mos folur më pas edhe për autorin e librit, i cili ishte një lloj tjetër gjeniu në lëmin e tij. Gjatë kërkimeve të mia mbi akupunkturën urbane, mësova se ajo me fjalë të tjera na ishte një filozofi social-mjedisore, që në thelb të saj kombinonte projektin bashkëkohor urban me disa dhjetëra ndërhyrje të vogla, metodë kjo që mund ta transformonte përmbajtjen urbane të qytetit në një këndvështrim më të gjerë inovativ. Zonat për t’u kryer kjo lloj metode përzgjidheshin përmes analizave të ndryshme të faktorëve socialë-ekonomikë dhe ekologjik. Ato zhvilloheshin përmes një dialogu projektues-komunitet. Me fjalë të tjera, akupunktura urbane psh., është dhe krijimi i terreneve të vogla sportive në lagjet e qytetit ku fëmijët nuk kanë asnjë vend për të lozur; ku parashikohen të mbillen pemë përgjatë rrugëkalimeve kryesore që shfaqen aq të dëshpëruara, pa asnjë copë tokë hije rreth tyre; ndërtimi i disa parqeve të vogla me ca ngastra toke të cilat do të mund të shërbejnë shumë mirë si hapësira parkingu apo dhe përcaktimi i zonave të këmbësorëve që u jep atyre një shëtitje të sigurt prej makinave që ecin atypari.
Rijetësimi është ndërhyrje, një mënyrë e pashmangshme për të bërë ndryshimin dhe funksionimin organik. Kjo metodë e re aplikimi, akupunktura urbane, nuk e sheh të nevojshme aspak të shfajësojë liderët politikë për të ndërmarrë premtime të mëdha: si menaxhimi i shkollave, i sistemeve tranzite apo asgjësimi i mbeturinave komunale. Kjo është një mënyrë veprimi mbi pikat më nevralgjike të qytetit që nis gjithmonë me hapa të vegjël, por të sigurt. Në dukje, këto janë disa përmirësime të parëndësishme, por që mund të jenë nesër diferenca mes monotonisë urbane dhe një atmosfere tjetër aventure urbane. Akupunktura urbane nuk është ende një term familjar në qarqet e planifikimit urban. Por, specialistët e urbanistikës filluan ta përdornin atë për të përshkruar më mirë qëllimet e ideve të tyre, që ata shpresonin t’i përmbushnin. Në qytetet shqiptare ende asnjë kryetar bashkie nuk ka folur për këtë mënyrë riprojektimi të qyteteve tona. Në disa raste kjo mënyrë e bukur e të rikonceptuari të qyteteve ka shërbyer për të transformuar blloqe të mbushura me shtëpi të braktisura në një lagje funksionale të qytetit. Edhe pse këto përpjekje përfaqësojnë inovacione apo risi të vërteta, ende nuk është gjetur një shprehje tërheqëse për ta shpjeguar më në hollësi së çfarë në të vërtetë ndodh. Ka disa shembuj të mirë, të cilëve mund t’i referohemi, që e kanë përdorur akupunkturën urbane si një strategji të suksesshme. Kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Eric Garcetti, pothuaj që prej ditës që ai u shpall KB i këtij qyteti në vitin 2013, filloi të fliste rreth akupunkturës urbane duke e përshkruar si një plan të tij për të rivitalizuar rrugëkalimet kryesore si dhe 40 lagjet e qytetit. Aksionet që ndërmerren bazuar mbi akupunkturën urbane janë mënyra për të tërhequr sa më shumë investitorë, pat thënë 42-vjeçari simpatik Garcetti, kryebashkiaku hebre, i cili vinte në këtë detyrë nga bota akademike. Ai shtoi se iniciativa e tij do të përfshinte ndërtimin e shumë parqeve në formë xhepi, hapësira për biçikletat, riparime trotuaresh dhe një listë të gjatë me punë të tjera, të cilat duken të përshtaten pastër nën strategjinë e akupunkturës urbane. Megjithatë, duket qartë se të gjitha këto projekte inovative mbi qytetin dhe ardhmërinë e tij i detyrohen shumë një njeriu vërtet të pazakontë. Autorit të librit prej të cilit ne mësuam kaq shumë prej akupunkturës urbane, Jaime Lerner. Një arkitekt brazilian 76vjeçar, i cili pat filluar të fliste për këtë metodë të re të projektimit të qyteteve në fillim të viteve 1970, ndërsa ishte kryetar bashkie i qytetit me emrin Curitiba. Vitet e fundit ai ka qenë në vëmendje të gjerë të opinionit publik me fjalimet e tij pasionante mbi projektet e së ardhmes për qytetet duke u nisur nga shembulli i tij. “Unë gjithmonë e kam ushqyer ëndrrën dhe shpresën”, thotë Lerner në një nga fjalimet e tij, “dhe kam menduar gjithmonë se aty ku shpohet me majën e një gjilpëre, vetëm aty sëmundja mund të kurohet”. Dhe çfarë nga kjo metodë mund të funksionojë për pacientët, Lerner e beson se po aq funksionon edhe për qytetet. “Pothuajse gjithmonë – shton ai, – pikërisht prej këndej ndizet ajo shkëndija e parë e flakës, që fillon e shpërndan rrymën e energjisë ngado. Kjo është akupunktura e vërtetë urbane”. Curitiba nuk është aspak një qytet i vogël. Popullsia e tij kap shifrën e rreth 1.7 milionë banorëve. Krahasuar me dy gjigantët e tjerë të mëdhenj, Rio de Janeiro dhe Sao Paulo, ky mund të përcaktohet si një qytet i vërtetë moçalor. Të rejat që vinin nga këto lloj teori inovative që pat filluar të aplikonte Lerner po dëgjoheshin në mbarë botën jo më larg pasi ai kish nisur mandatin e parë si kryetar bashkie në vitin 1971, në moshën 34-vjecare. Njëherë tregojnë se gjatë vitit të parë të tij si kryebashkiak, pasi departamenti i punëve publike e siguroi se të kthejë një rrugë të zakonshme në një pedonale mund të kërkonte muaj pune, Lerner nga aty ngriti menjëherë një skuadër dhe e mbylli këtë histori për vetëm 72 orë. “Në akupunkturë – shpjegon ai në librin e tij, – shpimi i mprehtë i gjilpërës duhet të jetë i shpejtë, i menjëhershëm dhe goditës gjithashtu”. Jaime Lerner nuk është vetëm një tregues i mirë i historive, ai është një realizues i punëve me rezultate mbresëlënëse e me ndikim në jetën e shumë njerëzve në Curitiba dhe qytete të tjera. Frymëzimi që të jep ky libër është i dyfishtë, vizionar dhe shumë praktik. Ky nuk është një libër teknik e po aq aspak teorik. Ky është një libër i mbushur me dashuri për qytetin dhe ëndrrën për ta përmirësuar vazhdimisht atë. Jaime Lerner është një mendje e bukur edhe për këtë arsye.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: