Çamëria ndër shekuj, banorët, etnia e tyre, problemet, luftrat, prijësit, shtypjet, gjuha, tradita e zakonet sipas burimeve dokumentare, shpërfaqet në librin e ri të Kristo Frashërit, pjesë nga i cili boton sot “GSH”. Ky botim vjen në bashkëpunim me qendrën kërkimore “Ligji, norma dhe tradita”, pranë fakultetit Juridik në UET, e drejtuar nga Nevila Nika. Libri është pjesë e projektit “Çamëria, si çështje shkencore” dhe vjen pas dy botimeve të tjera në këtë fushë, “Epiri i jugut, Çamëria”, me një grup autorësh dhe librit të Mentor Nazarkos “Lufta e Fundit” për pronat e shqiptarëve në Greqi.

Nga: Prof.Kristo Frashëri*

Shqiptarët dhe grekët, pasardhës të ilirëve dhe helenëve të lashtë, banojnë në fqinjësi me njëri-tjetrin që nga periudha parahistorike.

Me sa dihet, bashkëjetesa e banorëve të të dy etnive në të njëjtën trevë gjeografike, ndonëse ka zgjatur për mijëra vjet, nuk ka shkaktuar midis tyre asnjëherë konflikte etnike. Kjo kuptohet po të kemi parasysh se të tria perandoritë e mëdha që kanë sunduar mbi to si perandori shumëkombëshe, e trajtonin nënshtetasin si burim fisku dhe si gregar fetar, por jo si militant nacionalist. Puna ndryshoi kur në shekullin XIX lindën shtetet nacionale të pavarura ballkanike. Kjo për arsye se lindja e tyre përkoi me shfaqjen e lakmive nacionaliste. Pikërisht në atë kohë lindën edhe lakmitë e qarqeve nacionaliste greke për të aneksuar Epirin, i cili nuk u përfshi në shtetin grek. Pra, që në atë kohë lindi dhe prirja e Athinës për të përfshirë në shtetin grek edhe viset e Shqipërisë së Jugut.
Ndryshe nga historianët shqiptarë, qarqet qeveritare të Athinës dhe ata historianë helenë, të cilët qëndronin dhe vazhdojnë të qëndrojnë prapa tyre, i konsiderojnë të drejta lakmitë nacionaliste të Athinës ndaj viseve shqiptare. Madje, qarqet kishtare ortodokse të Greqisë nuk ngurrojnë t’i quajnë këto pretendime si lakmi të shenjta. Si rrjedhim, luftën për aneksimin e viseve shqiptare ato qarqe e kanë ngritur prej kohësh në nivelin e një kryqëzate fetare.

Përkundrazi, kur ndonjë historian shqiptar i ka kundërshtuar pretendimet greke dhe ka ngulur këmbë se ndër banorët e Shqipërisë së Jugut ka vetëm një minoritet të vogël banorësh grekë, në Athinë shpërthenin britmat se në Tiranë po ringjallej nacionalizmi shqiptar. Për të justifikuar lakmitë e tyre nacionaliste ndaj viseve shqiptare të cilat nuk u përkasin, qeveritarët e Athinës dhe prapa tyre një tufë historianësh helenë kanë botuar deri sot me qindra punime kushtuar historisë së Epirit ose aspekteve apo momenteve të ndryshme të historisë së tij. Prej tyre meriton të veçohet botimi me pretendime shkencore që ka dalë nga shtypi në Athinë kohët e fundit. Fjala është për trajtesën që Akademia e Athinës botoi kohët e vona në anglisht në format të madh prej 480 faqesh, nën drejtimin e përgjithshëm (general editor) të M. B. Sakellariut, me titull “Epirus 4000 years of greek history and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997. Botimi i përmendur që ne tani kemi në tryezë ngjet në një pikë të rëndësishme me botimet e mëparshme – në të nuk përmenden banorët shqiptarë të Epirit si faktorë historikë të krahinës. Nga ana tjetër, punimi i Akademisë së Athinës ndryshon nga moria e botimeve të mëparshme greke nga tri pikëpamje – trajton në mënyrë integrale historinë e Epirit gjatë harkut kohor të 4000 vjetëve; ka si autorë penat më të shquara të historiografisë greke të ditëve tona; e treta, punimi mban si përgjegjësi vulën e Akademisë së Athinës, e cila pavarësisht nga emri i saj, është Akademia e Shkencave jo e Athinës, por e mbarë Greqisë.
Ne kemi menduar se tani që Greqia ka disa dhjetëvjeçarë që është bërë anëtare e Bashkimit Europian, do ta ketë zbutur sadopak dozën e nacionalizmit dogmatik agresiv, të paktën në fushën e historiografisë, e cila e ka karakterizuar në të kaluarën. Duke kaluar nëpër duar këtë punim me veshje tipografike dinjitoze, botuar në pragun e shekullit XXI, po shohimme keqardhje të thellë se historiografia greke e ditëve tona në vend që të bëjë hapa përpara drejt objektivitetit, racionalizmit, iluminizmit shkencor, qëndron e ngujuar pas dogmatizmit të sëmurë, nacionalizmit të mbrapshtë dhe politizimit të skajshëm të historisë. Kjo dobësi vihet re në trajtimin e të gjitha epokave, periudhave dhe temave të historisë së Epirit.

Të vetmet shpresa për të korrur fitore i kanë mbetur – një fitore morale me Maqedoninë për ta detyruar të ndryshojë emrin dhe një fitore territoriale me Shqipërinë për të shkëputur prej saj autonominë e “Vorio-Epirit”.

Për të siguruar shkëputjen e viseve të Shqipërisë së Jugut nën trajtën e autonomisë, ajo përpiqet të argumentojë pa prova bindëse se Epiri historik, ku, sipas saj, bëjnë pjesë qarqet e sotme të Gjirokastrës dhe të Korçës, ka qenë që në agimin e historisë dhe vazhdon të jetë edhe sot tokë greke. Për këtë qëllim, ajo ka vënë dhe vazhdon të vërë në lëvizje armatën e historianëve dhe të publicistëve të saj. Artileria më e fundit që ajo ka vënë në veprim në këtë mes është monografia e përmendur e Akademisë së Athinës, botuar më 1997.

Emrin Çamëri të krahinës historianët, gjuhëtarët, publicistët grekë e kanë zëvendësuar prej kohësh me apelativin e kohës antike Thesproti, të cilin deri para një shekulli nuk e njihnin jo vetëm banorët shqiptarë, por edhe banorët helenë të saj.

HELENË, ILIRË E PELLAZGË
Helenët bashkëjetuan për shekuj me pellazgët, morën prej tyre elementë të qytetërimit pellazgjik derisa i asimiluan, ashtu si pellazgët kishin asimiluar nga ana e tyre popullatat e mëparshme mesdhetare. Asimilimi nënkupton huazime elementësh kulturorë, por jo identifikim etnik. Dihet se nga përplasja e dy identiteteve njëra prej tyre zhduket. Për këtë arsye, grekët nuk qenë si etni identikë me pellazgët, por pasardhësit fizikë të tyre. Si rrjedhim, konkluzioni i historianëve të Greqisë moderne se helenët antikë ishin si etni pasardhësit gjenetikë të pellazgëve, nuk qëndron. Këtë teori e kanë kundërshtuar jo pak historianë të shkollave të ndryshme historiografike botërore.

Me teorinë nacionaliste helene nuk janë pajtuar as historianët shqiptarë. Ajo që ndodhi midis grekëve dhe pellazgëve u përsërit edhe midis ilirëve dhe pellazgëve. Edhe ilirët trashëguan jo pak elemente të qytetërimit pellazgjik. Megjithatë, as ilirët nuk mund të konsiderohen pasardhës gjenetikë të pellazgëve. Sipas tyre, helenët dhe ilirët e kohës antike, paraardhësit e grekëve dhe shqiptarëve të ditëve tona, i asimiluan pellazgët, pa e humbur identitetin e tyre të veçantë etnik dhe gjuhësor ilir.
Nga njoftimet që japin autorët e vjetër grekë dalin këto konkluzione: se asnjë autor antik grek nuk pohon se banorët e Epirit të lashtë qenë grekë; përkundrazi, të gjithë janë dakord se qenë pellazgë; se pellazgët dhe grekët përfaqësojnë jo një, por dy kombësi të ndryshme; e treta, se qendra kryesore shpirtërore e pellazgëve, faltorja e Dodonës, ndodhej në zemrën e trevës epirote; se banorët e trevës së faltores së Dodonës qenë “barbarë”, pra jo grekë; se praktikën e pagëzimit të perëndive me emra të veçantë grekët e morën nga pellazgët. Shkurt, pellazgët banonin në Epir para se të shfaqeshin në Ballkan helenët dhe ilirët.

Edhe Hamondi, për fat të keq, në punimin e përmendur, shkel në truallin e hamendësimeve. Sipas tij, e folmja e popullatave protoindoeuropiane që mbuluan Epirin në fund të mijëvjeçarit III p.e.s. ose në fillim të mijëvjeçarit II p.e.s. mund të ishte sa ilirishtja, aq edhe greqishtja. Konkluzion ky, hëpërhë, pjesërisht i drejtë. Por ai, pa patur ndonjë argument që ta bindë sadopak lexuesin, shton se në veriun e largët krerët kurganë flisnin një formë të hershme të ilirishtes, kurse në Epir, thekson ai, gjuha e tyre ishte “ndoshta” greqishtja.

…Duke mos u marrë më tej me pohimet joshkencore të historianëve nacionalistë grekë dhe të miqve të tyre europianë, ne mendojmë se në fund të epokës së Bronxit në Epir banonin popullatat protoindoeuropiane, të cilat nuk i përkisnin as etnisë helene, as etnisë ilire, por botës pellazge. Këtë vizion historik kemi edhe për Çamërinë e lashtë protohistorike, banorët e së cilës nuk i përkisnin as etnikonit helen, as atij ilir, por banorëve pellazg.

Provinca e Epirit mori të paktën në shekullin IX p.e.s nga fytyrë etnike pellazge në identitet etnik ilir. Emrin që mbante më parë provinca e Epirit para se të vendoseshin aty ilirët, nuk e dimë. Dihet vetëm se fillimisht fjala Epir nuk ishte apelativ as gjeografik, as etnik, as administrativ. Fjala Epir është greqisht. Në përdorimin e përditshëm do të thotë stere, tokë kontinentale. Fjala i takon greqishtes së vjetër. Si dëshmi më të hershme të këtij vështrimi kemi Homerin. Në të dyja poemat e tij epike, “Iliada” dhe “Odiseu”, të cilat mendohet se janë regjistruar në shekullin VIII p.e.s., ai përmend emra fisesh që banonin në trevën epirote, si thesprotët, kaonët, molosët, hyllejtë etj., por vetë emrin “Epir” të trevës dhe atë të epirotit, si banor, nuk e zë në gojë.

BANORË DYGJUHËSH-ÇAMËRIA
Për të pranuar tezën që pohon se gjuha epirote nuk ishte greqishtja, – shkruan D. Mustilli, – na shtyn edhe fakti që Straboni megjithëse pranon unitetin kulturor të trevës mes Detit Jon dhe Maqedonisë, nuk mungon të vërejë se disa nga banorët ishin dygjuhësh (bilingë). Është absurde të mendohet se gjeografi antik kur thotë se epirotët ose maqedonët ishin dygjuhësh, del se ata kishin të folmen e tyre greqishten. Po të mos flitnin në gjuhën e tyre nuk do të kuptohej nevoja që ndjen Straboni për t’i dalluar nga të tjerët. Përkundrazi, këtu është fjala për dy të folme të ndryshme. Po të pranojmë teorinë e Belokut (i cili ngul këmbë se në Epir flitej vetëm greqisht – K.F.) duhet ta përjashtojnë gjuhën maqedone (si gjuhë e folur në Epir – K.F.), pikërisht për afërsinë e saj të pohuar në mënyrë vendimtare me gjuhën greke, gjë që na jep dorë të pranojmë se kemi të bëjmë me të folmen ilirishte. Nga fjalët e Strabonit, – nënvizon historiani italian, – po kufizohemi të pranojmë vetëm ekzistencën e qendrave dygjuhëshe në këtë krahinë, në të cilën kjo pamje dygjuhësore vazhdon, qoftë edhe nga të tjera shkaqe historike dhe etnike, edhe në ditët tona” (D. Mustilli e ka fjalën për çamët shqiptarë, të cilët më 1941 kur u botua ky punim nuk ishin dëbuar ende me dhunë nga vendlindja e tyre prej nacionalistëve agresivë grekë).

Nga argumentet e rëndësishme që peshon në problemin e përkatësisë etnike të epirotëve janë, shkruan D. Mustilli, edhe emrat e përveçëm të njerëzve dhe të vendeve. Në trevën epirote emrat ilirë – edhe po të mos i përfshijmë ato me origjinë etnike të dyshimtë – janë, thotë ai, të shumtë. Madje, edhe në Dodonë, ku sipas Herodotit, flitej greqisht, është zbuluar një mbishkrim i shekullit II p.e.s., i cili bën fjalë për një Annyla, emër ilir pa pikë dyshimi. Emra ilirësh kanë dalë në dritë edhe në mbishkrimet e zbuluara në Butrint, kjo një koloni e quajtur helene. Përkatësi ilire, nënvizon ai, kanë edhe emrat e fiseve amantes ose abantes, atintanes, thesprotët, sidomos emri që përmend Stefan Bizantini, në shekullin VI aigestianoi. E sigurtë është gjithashtu origjina ilire e fisit të kaonëve (kaones), vendbanimin e të cilëve e ndan nga ai i thesprotëve lumi Thyamis. Nuk mungojnë prova, –vazhdon ai, – për iliricitetin e emrit të orestëve (orestai), të cilët banonin rreth liqenit të Kosturit. Në krahinën që shtrihet, – thekson ai, – nga kufiri verior epirot deri te lugina e lumit Thyamis (sot lumi Kallamas – K.F.), ka prova me shumicë që vërtetojnë praninë e banorëve ilirë”

KOHA e BRONZIT
Si përfundim, dijetari italian D. Mustilli mbron tezën se në kohën e Bronzit në trevën e Epirit banonte një popullsi, e cila nuk ka pika takimi me atë të etnikonit helen. Sipas tij, në fillim të epokës së Hekurit ndryshoi rrjedha e ngjarjeve. Popullata të reja të ardhura nga veriu, të cilët qenë pa dyshim ilire, pasi zunë vend në Maqedoni, më vonë duke ndjekur luginat e lumenjve dhe duke kaluar grykat e maleve zunë vend në Epir. Prania e ilirëve në Epir vërtetohet të paktën në shekullin IX p.e.s. Kontaktet e kësaj popullate me botën greke ndodhën më vonë. Në fillim ato ndodhën nëpërmjet kolonive bregdetare, të themeluara gjatë shekullit VII e më pas; më vonë nuk munguan kontaktet edhe nëpërmjet rrugëve tokësore. Shtrirja e banorëve helenë nuk arriti ta eleminonte praninë e ilirëve në trevën epirote. Gjurmët e pranisë ilire, edhe pse në shtresat arkeologjike janë të pakta, ato ndeshen, thekson Mustilli, në onomastikën dhe në toponiminë e trevës. Popullsia ilire dhe popullsia helene vazhduan të bashkëjetonin në këtë trevë deri në ditët tona. Sidoqoftë, popullsia greke ka përfaqësuar kurdoherë pakicën.

Historianët e kohëve moderne, përfshirë edhe historianët helenë të ditëve tona, pranojnë se në Antikitet thesprotët, popullatë e etnikonit ilir, banonin në sterenë kundrejt ishullit të Korfuzit, në atë trevë ku më vonë, gjatë shekujve të sundimit osman, banorët e saj përmenden me emrin çam. Si rrjedhim, Thesprotia antike është nga pikëpamja gjeografike afërsisht identike me Çamërinë e kohëve moderne. Ajo është afërsisht identike edhe përsa i përket etnikonit të banorëve të saj. Sikurse u tha, banorët e Epirit të lashtë, përfshirë dhe ata të Thesprotisë, të cilësuar nga autorët antikë si “barbarë”, ishin me përkatësi etnike ilire. Identitetin etnik ilir të thesprotëve e pohon edhe historiani gjerman B. Lenk, autori i zërit Thesprotoi, në: “Paulys. Real – Encyclopädie der classischen Alterturnsëissenschaft”, Neë bearbeitung. Begonen von Georg Ëissova. Vëll……. Zëeite Reihe (R-Z). Stuttgart 1936. Në burimet e lashta historike, më herët se sa Thesprotia si vend, përmenden banorët e saj, thesprotët. Njoftimet më të hershme janë pa dyshim tregimet legjendare me të cilat është e mbushur plot e përplot historiografia e lashtë helene. Plutarku në veprën e vet “Vitae Parallelae”, thotë se i pari që u bë mbret i thesprotëve dhe i molosëve pas përmbytjes (të kohës legjendare të Noes – K.F.), ishte Faetoni, njëri prej atyre njerëzve që erdhën në Epir bashkë me Pellazgun

GJUHA E THESPROTËVE
Gjuha e thesprotëve si banorë të etnikonit ilir kuptohet se ishte ilirishtja, natyrisht një nga të folmet e saj. Ashtu si gjuhën ilire, edhe të folmet e saj, përfshirë dhe atë të thesprotëve, nuk i njohim. Në ditët tona ka arritur ndonjë fjalë e përdorur nga banorët thesprotë, e cila jo rastësisht përputhet afërsisht për nga përmbajtja kuptimore me fjalën përkatëse të gjuhës shqipe.

FJALA ‘ÇAMËRI’
Me përmbysjen dramatike që pësoi Gadishulli Ballkanik në fund të shekullit VI dhe në fillim të shekullit VII nga dyndjet barbare dhe nga kolonizimi sllav epoka antike mori fund. Ajo tërhoqi me vete edhe emërtimet gjeografike të mëparshme si: Heladë, Iliri dhe Epir. Bashkë me to dolën nga qarkullimi dhe emërtimet etnike: helenë, ilirë dhe epirotë. Sikurse do të shihet, apelativin antik Thesproti e zuri gjatë shekujve qëndrorë mesjetarë emërtimi pak i njohur Vagenetia, kurse më vonë gjatë shekujve të sundimit osman, emërtimi tepër popullor Çamëria, për vendin dhe çam për banorin. Shtrirja territoriale e Thesprotisë së Antikitetit të vonë, përputhet afërsisht si me shtrirjen territoriale të emërtimit Vagenetia, ashtu dhe me atë të Çamërisë. Me sa dimë ne, historiani i parë grek, i cili krahas emërtimit antik Thesprotia, përdor edhe apelativin popullor shqiptar “Çamëri-Çamëria”, në trajtën greqishte “Camuria” (Ôóéáìïõñßá), është Panajot Aravantinoi nga Preveza. Si njohës i mirë i trevës së çamëve, ai ka botuar, përveç të tjerave, dy vëllime të ngjeshura me të dhëna dokumentare dhe kronikale, përkitazi me Çamërinë gjatë shekujve mesjetarë. Të dy vëllimet mbajnë të njëjtin titull: “Kronografia e Epirit” (Hronographia tes Epeirou), vëll. I-II, botuar në greqisht në Athinë, më 1856. Të dy vëllimet ndodhen në dorëshkrim të përkthyera në gjuhën shqipe nga Sarandi Loshi. Aravantinoi jetoi e punoi në Epir, madje për disa kohë ai shërbeu si arsimtar në Prevezë.

E reja që përmban punimi i Aravantinoit është përdorimi i emërtimit Çamëri dhe përcaktimi i shtrirjes së saj territoriale. Në zërin “çamët” dhe “Çëmria” (në greqisht: “Camidhes” dhe “Camuria”), Aravantinoi shkruan: “Çamët janë banorët e Thesprotisë dhe të Kestrinit, domethënë paramithiotët, filatasit dhe margëllëçiotët e tanishëm dhe një pjesë nga administrata e Delvinës. Duhet shënuar se banorët e Parakallamit (pranë lumit Kallamas – K.F.) dinë dhe flasin disi greqishten. Ndërsa ndër homogjenët e tyre, banorët e provincës Dagi, domethënë të Margëllëçit dhe të Paramithisë, të paktë janë ata që dinë greqishten.

Historianët grekë të kohëve të reja e kanë bërë zakon të mos shohin asnjë lidhje etnike midis banorëve ilirë të Thesprotisë me banorët shqiptarë të Çamërisë. Sipas tyre, në këtë trevë kanë banuar vazhdimisht vetëm banorë të etnikonit helen dhe se shqiptarët kanë shtegtuar në trevën epirote gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Por, pikëpamja e tyre nuk qëndron. Përfundimisht, Çamëria si krahinë etnografike përfshinte në kohët moderne rrethet me qendër në Filat, Gumenicë, Margëllëç, Paramithi, Pargë e Prevezë. Në veri të Thesprotisë shtrihej Kestrini, sipas Aravantinoit pjesë e Thesprotisë, gërmadhat e të cilit duken midis Konispolit dhe Mursisë, gjysmë ore larg detit, në rrethin e Filatit.

MESJETA
Historia e Thesprotisë gjatë Mesjetës së hershme, karakterizohet, ashtu si ajo e mbarë Gadishullit Ballkanik, nga një mungesë gati e plotë e burimeve të shkruara dokumentare. Varfëria e njoftimeve dokumentare është aq e theksuar sa deri sot nuk kemi ndeshur asnjë akt dokumentar apo shkrim kancelaresk që t’i cilësojë banorët e Çamërisë helenë apo ilirë ose shqiptarë.
Krijimi i Principatës mesjetare të Arbërisë në fund të shekullit XII shënoi një faqe të re në historinë e viseve shqiptare. Siç dihet, ajo që i dha mundësi krijimit të saj ishte kriza që po gërryente prej kohësh themelet e Perandorisë Bizantine, e cila në fakt u shemb nga Kryqëzata IV në vitin 1204. Pas shembjes së Perandorisë Bizantine, Principata e Arbërisë pati jetë të shkurtër. Megjithatë, siç dihet ajo nuk kaloi pa lënë gjurmë në historinë e viseve shqiptare. Formimi i saj sanksionoi në arenën ballkanike apelativin Arbëri si formacion politik, dhe emrin arbanit për banorin e saj. Pavarësisht nga sanksionimi i emrave Arbëri dhe arbanitë, viset shqiptare qëndruan edhe për disa kohë politikisht të shkëputura midis tyre. Vagenetia vazhdoi të quhej krahinë edhe pas përmbysjes që pësoi Perandoria Bizantine në vitin 1204, me ndryshim se tani ajo nuk varej më nga Kostandinopoja, por nga Republika e Venedikut. Në një akt venedikas lëshuar në muajin shtator 1204, thuhet se: “provinca e Durrësit dhe e Arbanit me kartularatët e Glavinicës, Bagenetisë (në origjinal: Vagenetia), provincës së Janinës, provincës së Drinopulit e të tjera”, i kaluan komunës së Venedikut. Sikurse shihet, në vitin 1204, Vagenetia nuk ishte më as themë, as arkondi, por kartularat, pra një bashkësi krahinore më e ngushtë se thema dhe arkondia.

Nëpërmjet një njoftimi historik, prof. Pëllumb Xhufi na sjell dëshmi dokumentare se shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Vageneti, pra në Çamëri, që në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XIII kur ende nuk kishin filluar fushatat e Stefan Dushanit. Ai mbështetet në një akt venedikas të vitit 1210, ku thuhet se stereja (toka kontinentale) përballë ishullit të Korfuzit, banohej nga shqiptarët. Ai mbështetet gjithashtu në dy letrat që metropoliti i Naupaktit i drejtonte në fillim të shekullit XIII fisnikut epirot Georgios Dysipati, që mbante titullin logariast. Sipas tij, emri Dysipati mund të jetë përmendja më e hershme e familjes së shquar të Spatajve të Epirit. Kronisti i parë bizantin, i cili i përmend shqiptarët në Epir me emrin e tyre etnik, si faktorë politikë, është Jan Kantakuzeni, domestiku i madh i perandorit Androniku III Paleologu. Ai i përmend shqiptarët si kryengritësa kur në vitin 1340 udhëhoqi ushtrinë bizantine kundër tyre në Epir dhe kur vazhdoi fushatën për pushtimin e Etolisë dhe të Akarnanisë. Kronisti bizantin thotë ndër të tjera se në këto kohë qytetet (shumica e të cilave bënin pjesë në krahinën e Vagenetisë): Mesopotami, Sopoti, Himara, Gjirokastra, Parga, Ajdonati (Paramithia), Angjelokastra e Janina, ishin shkëputur nga perandori bizantin, pa na thënë se kush sundonte mbi to.

*Pjesë nga libri

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: