Nga: ILIR KALEMAJ
Raporti i fundit “Global Trends 2017” i sapopublikuar nga Këshilli i Inteligjencës Kombëtare në SHBA parashikon ndër të tjera se: “Rreziku i konfl iktit mes shteteve dhe brenda tyre përgjatë pesë viteve të ardhshme do të rritet në nivele të papara që nga Lufta e Ftohtë, si rezultat i rënies ekonomike globale, zhdukjes graduale të rendit të ri botëror të pas-Luftës së Dytë Botërore dhe antiglobalizmit që ushqen nacionalizmin”. Ky paralajmërim vjen në një kohë ku media prestigjioze ndërkombëtare, si “Wall Street Journal”, “The Guardian” dhe “The Economist” kanë paralajmëruar konfliktet mes globalistëve dhe nacionalistëve si definues të epokës së sotme dhe që kanë zëvendësuar si ideologji përplasjet mes konservatorëve dhe liberalëve, që në rrafshin e filozofive politike, ideologjive dhe politikave publike ishin shënjuesit kryesorë të përballjeve politike për më tepër se një shekull. A po jetojmë në kohëra interesante, siç thotë proverbi i famshëm kinez? Patjetër që po, madje më shumë se interesante, përgjigja e duhur do ishte: të rrezikshme.
Jetojmë në kohëra ku paqja sociale është e brishtë jo vetëm mes vendeve me polarizim të thellë socio-ekonomik dhe kulturor, ku përfshihet natyrisht edhe Shqipëria si një nga vendet ku ky polarizim po rritet frikshëm, por edhe në vende ku solidariteti social i bazuar mbi barazinë jo vetëm të shanseve, por edhe atë fundore (të të ardhurave) të arritura përmes modelit “welfare”, taksës progresive, punësimit të garantuar dhe mbrojtjes së të drejtave të punonjësve nëpërmjet marrëveshjeve kolektive të garantuara nga shteti si vendet nordike. Edhe aty rritja e partive të ekstremeve me sfond racist dhe nacionalist për t’iu kundërvënë ndryshimeve demografike si pasojë e flukseve migratore kërcënon një nga modelet, që shpesh merrej si shembull i kapitalizmit pa eksese, atij me fytyrë sociale dhe humane dhe ku të drejtat e njeriut përtej diferencave racore, gjinore, etnike apo fetare respektoheshin si ligj.
Nga ana tjetër, kërcënimet e ngrohjes globale, që shoqërohen ndër të tjera edhe me mote ekstreme (dimra më të ftohtë dhe vera tejet të nxehta dhe të thata), janë tashmë më prezente se kurrë. Rajone të tëra, veçanërisht në Afrikën nën-Sahariane, por edhe në vende mjaft të populluara si Bangladeshi rrezikojnë të kthehen jo vetëm në vatra epidemish masive me pasoja globale, por edhe në flukse të jashtëzakonshme refugjatësh lufte dhe emigrantësh ekonomikë me pasoja të rënda demografike veçanërisht në Europë, si pasojë e aksesueshmërisë më të lehtë të kontinentit të vjetër. Kjo, bashkë me frikën e penetrimit të terrorizmit dhe terroristëve diabolikë dhe frikacakë, me sulmet e tyre të pabesa në ambiente publike të frekuentuara, mund të sjellë në rivënien e regjimit të vizave për vendet e treta, ku fatkeqësisht do të përfshihet edhe Shqipëria. Ndërkohë, vetë perspektiva e integrimit të vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë ndër më problematiket dhe të vonuarat në axhendën e integrimit, do të vihet në “kalendat greke”, ku edhe sot që flasim shpresa më e afërt ngelet 2025 në rastin më të mirë.
Kërcënimet e tjera nga luftërat tregtare mes blloqeve të ndryshëm te luftërat “proxy” të instrumentalizuara nga Fuqitë e Mëdha, nga kërcënimet reale kibernetike të aftësia e qeverive për të kontrolluar dhe zaptuar çdo qelizë të privatësisë, nga korporatizmi i mediave te fragmentarizimi i lajmit, nga bota e ‘post-truths’ (përtej të vërtetave) tek ajo e ‘fake news’ (lajmeve të rreme), nga shtete e dobëta te ballkanizimi i Europës janë sfida të njëmendta, të prekshme dhe të frikshme për të ardhmen e afërt. Por, ato mund të jenë edhe kambana alarmi dhe mundësi për të ndryshuar, bashkuar, integruar dhe zhvilluar politika kohezioni dhe përfshirje, për zhvillim tregjesh të reja dhe mundësish punësimi për të ndërtuar paqe sociale dhe kapërcyer realitete luftë-nxitëse. Gjithçka varet nga vizioni i elitave drejtuese, nga aftësia dhe integriteti i tyre. A i kemi ne në Shqipëri këto?

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: