Tre shtetas grekë janë vënë në pranga në qytetin e Janinës pasi u kapën me drogë.
Në rrugën nacionale pranë aeroportit të Janinës, patrulla e policisë greke ka neutralizuar dy raste.
Në rastin e parë bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh, burri 36-vjeç dhe gruaja 34, bëjnë me dije burime për “BalkanWeb”.

Gjatë kohës që çifti udhëtonte me makinë bashkë me djalin e tyre 6-vjeçar, kur policia i bëri shenjë të ndalonte, 36-vjeçari nuk u bind, madje shtoi shpejtësinë duke bërë manovra të rrezikshme dhe më pas braktisi mjetin duke u larguar me këmbë bashkë me familjen. Megjithatë arratia e tyre nuk zgjati shumë pasi u kapën nga policia. Gruas 34-vjeçare iu gjet dhe një cigare hashash gjatë kontrollit.

Ndërsa në rastin tjetër në po të njëjtën rrugë, policia ndaloi një 25-vjeçari dhe në makinën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në portobagazh, 4 çanta me 56 pako me 85.7 kg marijuanë.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: