Nga: ZONJA VJOLLCA
600 gr fileto pule
1 kg patate
4 kokrra qepë
2 karrota të mëdha
50 gr majonezë
3 lgj vaj ulliri
100 gr djath pice
Kripë, piper i zi

Fillimisht qërojmë patatet dhe i presim ato në feta rrumbullake. Lajmë, thjamë mishin e pulës dhe e presim atë në shirita të hollë ose dhe mund ta grijmë. Ngrohim 2 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim mishin derisa të përthithë komplet lëngun e tij, e rregullojmë me kripë dhe piper të zi dhe e lemë mënjëanë.
Qepët i presim në rrathë shumë të hollë. Karrotat me ndihmën e qërueses së patates i presim në fije të gjata. Në një tavë hedhim 1 lugë vaj ulliri dhe lyejmë komplet sipërfaqen e saj me furçë dhe pasi patatet e vendosura në ujë t‘i kemi tharë me letër kuzhine i vendosim si tjegulla si bazë në tavën që do të përgatisim gatimin. E mbulojmë të gjithë sipërfaqen e tavës me patatet dhe më pas i spërkasim me pak kripë dhe piper të zi. Më pas shpërndajmë mishin duke e përhapur në të gjithë sipërfaqen. Sipër mishit shpërndajmë rrathët e qepës së pagatuar, mbi qepë shpërndajmë karotat në fije duke i spërkatur me shumë pak kripë. Vendosim majonezën në një xhep pastiçerie dhe shpërndajmë një shtresë shumë hollë në të gjithë sipërfaqen mbi karrota.E vendosim tavën në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius fillimisht për 20 minuta. Më pas e nxjerrim tavën nga furra dhe vendosim hollë një shtresë me djath pice. E rivendosim tavën përsëri në furrë dhe për 15-20 minuta të tjera.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb