Nga: HILE LUSHAKU*TIRANE-Libri “Specialët-elita e Policisë Shqiptare” u kushtohet heronjve paqësorë, policëve të akteve sublime, sambistëve të heshtur, atyre që meritojnë përulje e respekt për veprat që kryejnë”. Kështu e nis parathënien e botimit të tij, ish-komandanti i forcave speciale, Hilë Lushaku. Ish-kreu i RENEA-s, tani studiues i çështjeve të policisë, ka bërë një kronologji të forcave speciale shqiptare që nga viti 1982.

“Këtë libër e shkrova i motivuar e i nxitur nga ndjenja të pastra përkundër synimeve e tendencave dashakeqe të të paditurve për deformimin prej tyre të së vërtetave për forcat speciale shqiptare. Çdo e dhënë bazohet në dokumente arkivore të papublikuara, në të dhëna mediatike të kohës dhe në informata, rrëfenja e kujtime të protagonistëve të forcave speciale”, thotë Lushaku në këtë libër. “GSH” vazhdon sot publikimin e pjesëve të këtij libri, që hedhin dritë mbi veprimtarinë e repartit- elitë të policisë shqiptare. Në pjesën e sotme, autori ka folur për Maksim Ceno Kurtin, njërin prej efektivëve të spikatur të forcave speciale.

MAKSIM CENO KURTI U lind më 3 mars të vitit 1956, në Yzberisht, Tiranë, ku kreu edhe arsimin fillor, ndërsa arsimin 8- vjeçar ka qenë i detyruar ta kryente në Mëzez, mbasi atë kohë në Yzberisht mungonte kjo shkollë. Arsimin e mesëm të përgjithshëm e ka krye pa shkëputje nga puna. Sapo mbaroi shkollën 8-vjeçare, filloi punë në “Kombinatin Tekstil”, ku punoi derisa mbushi moshën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të cilin e kreu në vitet 1976-1978, në Leskovik, në repartin e artilerisë së rëndë të topave “Obuz”. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, në fillim të vitit 1978, filloi punë në kombinatin “Josif Pashko”. Këtu pati inkurajimin e përkrahjen e mikut të tij, policit veteran Ramë Kasmi, i cili i propozoi të futej në Polici, gjë e cila u mundësua në shtator të vitit 1978. Rama e pëlqeu sjelljen e Maksit në takimet e zhvilluara në veprimtaritë sportive si mundës në stilin “klasik”, fillimisht përfaqësues i klubit sportiv “17 Nëntori” i Tiranës, e më pas, kur u rekrutua polic, në klubin “Dinamo”. Fillimet e shërbimeve në Policinë Popullore i pati në batalionin e ruajtjes së objekteve shtetërore të rëndësisë së veçantë, i caktuar roje në radiotelevizionin shtetëror, madje në hyrjen e pultit të transmetimit, konsideruar “pikë kyçe” në shërbim. Caktimi në atë detyrë ishte vlerësim për Maksin, mbasi aty kërkoheshin njerëz besnikë, konspirativë, rigorozë dhe shumë të disiplinuar. Edhe pse detyra kryhej me tri turne, ishte shumë e lodhshme, Maksimi nuk e ndërpreu asnjë ditë stërvitjen, për t’u përfaqësuar denjësisht në veprimtaritë sportive në klubin “Dinamo”, i cili atë kohë po forcohej dita-ditës. Kur qe në këtë detyrë, pati komandant Hafuz Muratin; më pas ky kaloi në detyrën e komisarit të repartit special nr.326. Maksimi ruan konsiderata të larta për komandantin e tij korrekt e burrëror, i kulturuar e me etikë në komunikim, i dashur me vartësit dhe i papajtueshëm me shkeljet në detyrë, shumë i respektuar e i vlerësuar nga të gjithë kolegët e vartësit në repart. “INCIDENTI” ME VERA GRABOCKEN Duke kujtuar një përballje të tij me shkeljet e personelit në radiotelevizion, Maksimi nuk heziton të përmendë: “Një ditë isha në shërbim në turn të dytë. Vjen Vera Grabocka, e cila e kishte kryer turnin dhe kërkoi të futej brenda vetëm një minutë për ‘të marrë diçka që e kishte harruar’. Rregulli nuk lejonte askënd të futej brenda në pultin e transmetimit, mbasi kishin përfunduar punën. I besova, ma hodhi, mbasi ajo nuk doli për një kohë të gjatë. U ndjeva i sikletosur se kisha bërë një shkelje, por durova gjithë ankth një orë e gjysmë derisa doli për kafe me mendimin për t’u rikthyer përsëri brenda. Kur u afrua në derë, bëri sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe tentoi të futej. Kur e ndalova, më akuzoi se po bëhesha pengesë dhe po dëmtoja punën propagandistike të partisë. Njoftova përgjegjësit dhe ata thirrën komandant Hafuzin, i cili mbërriti shumë shpejt. Vera nuk la njeri të fliste për mbi 45 minuta, ndërsa komandanti e dëgjonte me shumë vëmendje.

Kur ajo mbaroi, ai iu kthye: “Të dëgjova, se më tunde 10 këmborë, tani të lutem më lejo të dëgjoj edhe zilen e vogël të policit në detyrë”. Mbasi iu shpreha për çfarë kishte ndodhur, ai iu kthye Verës: “Policin e instruktojmë para se të vijë në këtë detyrë t’ju respektojë juve, intelektualëve e specialistëve, të zbatojë me rigorozitet rregullat që juve të punoni në kushtet më optimale të normalitetit, por neve nuk lejojmë askënd t’i nëpërkëmbë ata se janë policë të thjeshtë. Ky është në detyrë, ka të drejtë, ndaj askush nuk duhet t’i hipë në qafë me të padrejtë”. Ai më inkurajoi për këmbënguljen, më dha të drejtë, jo vetëm se i njihte dhe i zbatonte mirë ligjet në fuqi, por ishte edhe i ndershëm e kurajoz.” Për një periudhë 18 muaj Maksimi shërbeu në ruajtjen e objektit të sipërcituar, duke marrë vlerësimet më të mira në kryerjen e detyrës dhe për cilësitë e larta morale që konsideroheshin thelbësore në strukturat e Policisë Popullore. Gjatë kësaj periudhe i takoi të përfaqësonte repartin në dy veprimtari sportive të mundjes me xhup (një mundje e përafërt me xhudon dhe e mpleksur edhe me elementë të mundjes së lirë – H.L.), ku u rendit i pari në të dyja kompeticionet. Edhe këtu ka qenë përsëri Ramë Kasmi që e pëlqeu djaloshin e fortë e shumë të vullnetshëm për ta caktuar në detyra më të vështira, por edhe më komode, që të kishte mundësi të përfshihej më mirë në stërvitje, por të kishte kohë edhe për çlodhje. Ai i propozoi shefit të Policisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Abedin Elmazit, ta caktonin Maksimin në togën e shoqërimit në gjykatë-burgje të të burgosurve. Kjo nuk ishte një detyrë e lehtë, madje kishte edhe rreziqe për jetën, mbasi kjo togë kryente të gjitha arrestimet dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave apo ato për dëbim-internimet. Nga viti 1980 deri në vitin 1983, ai shërbeu në këtë detyrë, duke pasur kurdoherë si këshilltar policin e shquar Ramë Kasmi, i cili nuk ka reshtur kurrë duke i kujtuar se në Polici nuk flitet, nuk duhet mburrur, duhet ruajtur sekreti, nuk duhet përtuar për të kryer detyrat dhe, mbi të gjitha, kurdoherë kërkohet bindje ndaj eprorëve. Kur u dha gatishmëri luftarake e mobilizim për kapjen e bandës së Xhevdet Mustafës, Maksi ka qenë me shërbim në postbllokun që u organizua në rajonin e Qafë-Kërrabës. Pas asgjësimit të këtij grupi, Maksimi është përzgjedhur për të shërbyer në morgun e spitalit të Tiranës, ku janë kryer gjatë një jave ekzaminimet e kufomave të Xhevdet Mustafës dhe Sabaudin Haznedarit. Maksi kujton se, përveç ekspertëve shqiptarë kanë ardhur edhe ekspertë të huaj, mbasi rasti kishte tërhequr vëmendjen për një person si Xhevdeti, me një zhvillim fizik të jashtëzakonshëm dhe i përfolur si mashkull potent, çfarë kishte nxitur edhe kureshtjen e disa punonjëseve femra të spitalit që ta shikonin në morg. Në verën e vitit 1983, duke vlerësuar aftësitë e spikatura të Maksimit në detyrat e mëparshme, zellin e pasionin e tij në punë, Drejtoria e Policisë e caktoi në repartin special nr.326, në detyrën e instruktorit të stërvitjes së togës së ushtarëve të përzgjedhur për sambistë.

Edhe këtu ka pasur përkrahjen e policëve të njohur, e konkretisht të mundësit të shquar Ndue Doda, të cilit Maksimi i është mirënjohës që e rekomandoi. Ai nuk e ka pëlqyer fillimisht këtë emërim, mbasi priste të merrte banesë për strehim në Drejtorinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë, por nuk ka guxuar të shprehet kundër. Fillimisht ka pasur eprorë Ndue Fufin e Maks Milorin, për të cilët ruan kujtime të veçanta. Detyra e tij e drejtpërdrejtë ka qenë të stërvitë fizikisht grupin e ushtarëve të përzgjedhur për të vijuar punën si sambistë në repartin 326, ndër të cilët kujton Astrit Martirin, nga Kavaja, me përgatitje të lartë fizike; Izmir Shehun nga Kukësi, një mundës i talentuar; Pëllumb Muhon nga Gjirokastra, mundës i zgjuar; Seferin Skënderin, nga Shkodra, i aftë fizikisht; Shyqyri Çitozin, nga Tirana, mundës; Pëllumb Konin, nga Maminasi, pëlqente sportin; Tonin Ndrecën (duhet të jetë Tom Lleshi – H.L.), nga Mirdita, i zgjuar, finok i madh por jo i zoti fizikisht; Labo Çabon, nga Dukati i Vlorës, inteligjent dhe miqësor me shokët; Nebi Taken, nga Kolonja, një djalosh trupmadh por jo shumë i shkathët; Besnik Muçën, nga Fieri, një djalë i mirë për të cilin ndjen keqardhje se përfundoi në burg, ngaqë iu arratis nga gjykata e Tiranës i pandehuri Dritan Dajti; Ilir Markolën në detyrën e nënoficerit, nga Tirana, të cilin e ka pasur kurdoherë përkrah e mbështetje e sigurt; Luigj Gjetën, nga Mirdita, mundës i mirë e shumë trim, me vullnet të hekurt; Rami Serianin, nënoficer e më pas komandant skuadre; Dhimitraq Ziun, nga Berati, pëlqente shumë futbollin e volejbollin; e disa të tjerë. Stërvitja me këtë grup prej 20 ushtarësh policë të grupit më cilësor të ushtarëve zhvillohej me ngarkesë të madhe fizike, në verë e dimër. Në vijim, atij grupi që stërviste Maksi, iu shtuan edhe Skënder Kurti, Kristaq Çali, Lorenx Jani, Sulë Harasani, Vilson Veizi, Bujar Sina, Musa Priska etj.

Maksimi ruan në kujtesë edhe disa djem të zot, si Bujar Taullahu nga Lushnja, i cili qëndroi disa kohë në forcat speciale, Fatmir Dega nga Tropoja, mundës shumë i fortë, Agim Hajdari nga Tropoja, mundës i mirë, shok me Fatmirin. Mbas disa muajsh stërvitje intensive me këtë grup, komanda e shtabi i repartit nxorën një urdhër të brendshëm për të kontrolluar gjendjen e përgatitjes fizike të grupit të ushtarëve të seleksionuar për sambistë. Një formë kontrolli përmbante garë (ndeshje) në vetëmbrojtje të ushtarëve me policët sambistë, takim të cilin e fituan ushtarët që stërviteshin veçmas prej Maksimit. Rezultati i arritur solli vlerësim të lartë të punës së tij, ndonëse në kushte të vështira, në një palestër të vogël për veprimet teknike dhe në natyrë për përgatitjen e përgjithshme fizike. Maksi kujton se garat i zhvillonin në sallën e mensës, mbasi palestra nuk kishte hapësirën e duhur. Stërvitja fizike zhvillohej çdo ditë nga dy orë, ku përparësi kishin vrapimet e gjata në natyrë, nga lagjja “Kombinat”, në Vaqarr, në Kodrat e Damianit, ura e Beshirit e kthim, gjë të cilën e pëlqenin edhe sambistët e rinj. Maksi vlerëson punën e mirë të sektorit të prapavijës në sigurimin e uniformave sportive (tuta komplet e këpucë atletike, xhupa për vetëmbrojtje), por edhe trajtim të mjaftueshëm me ushqime kalorike për të zëvendësuar vlerat e shpenzuara. Lidhur me këtë ai pohon se: “…interesimi i komandës, shtabit e kuadrove ka qenë i lartë për trajtimin e trupës sambiste, ku, pa dyshim, shefi i shtabit ishte veriga që vinte në lëvizje të gjitha levat e tjera që funksionin në sinkron për të plotësuar çdo nevojë që kishim. Trupa e përzgjedhur me ushtarë kambistë iu nënshtrohej testimeve rigoroze nga një komision specialistësh, të kryesuar nga shefi i shtabit të repartit, Rebani Memushi. Testet fizike ishin shumë të vështira për t’u realizuar, mbasi ishin të nivelit të kategorisë së parë sportive. Në vijimësi grupi i përzgjedhur shikohej me përparësi në krahasim me grupet e tjera. Edhe drejtuesit e MPB vinin shpeshherë në repart dhe shikonin me kujdes punën që bënim. Drejtuesit e Drejtorisë Ekonomike të MPB, Muharrem Sako e Hysni Shahu, i kishim miq të repartit dhe toleronin për ne çdo tejkalim të normave në ushqim e veshmbathje”. Maksi ka qenë gjithnjë shembullor në përmbushjen e detyrave si polic, si sambist dhe më pas në postin e komandantit të skuadrës.

Ai është “arkiv” i gjallë i shërbimeve që kanë kryer sambistët, mbasi ka qenë pjesëmarrës pothuajse në të gjitha rastet, si në revoltat e burgjeve, ashtu edhe në kapjen e personave të rrezikshëm. NEGOCIATAT NE BURG Maksi ka treguar shembull të lartë guximi e trimërie edhe në rivendosjen e rendit në burgun e Bardhorit, në Kavajë, në vitin 1991, kur kishte shpërthyer eksodi me anije. Ai më rrëfeu: “Burgu i Bardhorit ishte një kamp ku mbaheshin të burgosurit e rrezikshëm, transferuar aty nga disa burgje ku kishte pasur trazira e tentativa për arratisje. Nisur nga situata që ishte duke u destabilizuar, shumë ushtarë, policë e funksionarë të niveleve më të larta ishin duke u tunduar për të ardhmen e tyre. Duke kuptuar këtë gjendje, një grup të burgosurish shkodranë, komprometuan një ushtar të shërbimit të jashtëm, nga Shkodra, që mbas orës 24:00 t’i lejonte të arratiseshin nga burgu. Për këtë kishin caktuar parullën e kundërparullën. Nuk dihet se si ndodhi puna me ushtarin, por ai nuk ishte në vendrojën e drejtimit ku ishte parashikuar arratisja, ndaj kur grupi shkodranëve u afrua te rrethimi dhe dha parullën, nuk mori kundërparullën por u dëgjua fuqishëm thirrja ‘ndal, prapakthehu, ndal se do të qëlloj!’ Grupi nuk iu bind thirrjes dhe tentoi të sulmojë drejt rojës, për t’i hequr armën dhe për t’u larguar si grup, por ushtari kundërveproi me shpejtësi dhe qëlloi të parin për vdekje e plagosi rëndë dy të tjerët pas tij. Kjo situatë ngriti nga gjumi të gjithë kampin, ku mbaheshin gati 400 persona, prej tyre asnjë i dënuar politik. Sapo mësuan lajmin e vrasjes së njërit prej tyre shpërtheu revolta në burg, por edhe alarmi për repartin e sambistëve. Edhe pse u mobilizuam shpejt, situata na u dha në orën 10:00 të paradites së nesërme, e cila u shoqërua me një urdhër të prerë: të rivendoset gjendja me çdo mjet e çdo mënyrë. Kujtoj se kam qenë përkrah oficerit Genc Fejzollari dhe Qamil Gjedisë në atë shërbim ku ishim rreth 25 sambistë. Ndërtuam një formacion për ndërhyrje në formë ‘pyke’, për të depërtuar nga dera kryesore e kampit, por dështuam përballë grupit që mbronte derën, mbasi të gjithë ishin të pajisur me leva hekuri, bishta lopatash e mjete të tjera të punës, me gurë e copa pllakash që i kishin shkallmuar brenda burgut. Na sakatuan nga këmbët me gurë dhe na copëtuan mburojat, duke goditur me të gjitha mjetet. Vlerësuam se ishte e pamundur depërtimi në këtë mënyrë.

Ndërsa po ‘bluanim’ se si duhej të futeshim, dallova në krye të grupit persona që i kishim arrestuar, ndër të cilët njoha Franc Konomin e rrugës së burgut, Petro Myshtarin, Daut Agën (një topall i rrezikshëm), po kështu edhe tre romë nga Yzberishti, dy të tjerë që ishin arrestuar për lojëra bixhozi, pra gati 10-12 vetë që mund të më mbështetnin në rast nevoje. Duke e vlerësuar të p a m u n d u r depërtimin në grup, mblodha mendjen të futesha brenda vetëm e të nisja bisedimet për t’i qetësuar. U kacavora mbi tela dhe kërceva në oborrin e kampit, duke pasur mbështetjen me zjarrin e shotganit, që e mbante vetë komandanti i grupit, Genci. Turma u mblodh dhe u nis të më sulmonte, duke thirrur “vriteni!”, e disa fjalë të tjera fyese me dialekt shkodranësh. U pozicionova dhe fola: “Ndaloni, nuk kam hyrë këtu të vriten të tjerë. Kush guxon të bëjë një hap para, do të vritet, snajperët janë me gisht në këmbëzën e shkrepjes. Hyra këtu të qartësoj gjërat dhe për këta personat që njoh”, e në çast tregova me dorë grupin e Franc Konomit. Duket se fjalët i shtangën. Deri në atë moment Franci ishte duke bërë nxemje për dyluftim, por kur i thirra: “Hajde këtu Franc”, u afrua duke treguar se kishte influencë ndaj të gjithëve, madje edhe shkodranëve. Më shpjegoi se është vrarë një shkodran. Guxova e shkova të kufoma, që e mbanin brenda. Nuk e fsheh dhimbjen që ndjeva, ishte një xhenaze që kurrë në jetë nuk do të mund ta harroj. Kishte marrë një plagë nga ana e majtë, ishte brun, kolloz nga trupi. Të ndjerit i qëndronin te koka dy shokë të tij, njëri prej të cilëve m’u drejtua me fjalët ‘xhelat’ dhe ishte gati të më vërsulej, por rreth meje ishin pozicionuar në kordon grupi i personave që njihja. Ndjeva brenda vetes një vuajtje të thellë për të vrarin, ndaj u ula në gjunjë dhe e putha në ballë. Isha i bindur brenda shpirtit se ai ishte i pafajshëm, ndaj më rrodhën edhe lot. Kishte qenë fati i keq i të gjorit. Edhe pse isha i vetëm si një kaproll midis ujqve, ku të gjithë më shikonin me përbuzje e urrejtje, gati të më shqyenin copa-copa, mblodha veten dhe nisa t’u flas të burgosurve që më kishin rrethuar: ‘Guxova e hyra këtu për të shpëtuar jetë njerëzish të pafajshëm. Ju jeni të mbyllur brenda mureve e gardhit me tela me gjemba e nuk shikoni e nuk kuptoni se çfarë po bëhet jashtë, ndaj e përsëris se guxova të rrezikoj për të shpëtuar jetë njerëzish e ndalur gjakderdhjen ndërmjet shqiptarëve. Jam polic, jam në detyrë, ndaj ju kërkoj t’u bindeni kërkesave të policëve.

‘Fjalët që fola patën ndikim, duket se u qetësuan disi dhe u premtova se do të dal dhe të më besojnë se do të kthehem përsëri sapo t’u bëj të njohur eprorëve të mi të gjitha kërkesat e tyre. Dola i shoqëruar prej personave që njihja dhe që më mbështeten. Sapo dola, u takova me drejtorin e burgjeve, Dhimitër Kristafin, e shumë kuadro të tjerë të nivelit madhor, të cilët më porositen t’u kërkoj të burgosurve: dorëzimin e kufomës; lejimin e grupit të hetimit për këqyrjen e kufomës e të objektit; dorëzimin e 14 personave të evidentuar si organizatorë të revoltës. Kur u futa brenda dhe u dorëzova kërkesat, të burgosurit kërkuan me këmbëngulje të vinte në takim në kamp një nga përfaqësuesit e opozitës dhe disa kërkesa të tjera që nuk u pranuan nga drejtuesit e burgjeve. Kur u bëra të ditur kërkesën e tretë, për dorëzimin e organizatorëve të revoltës, për të qenë i sinqertë u thashë se ‘këtë nuk jua rekomandoj, ndaj vlerësojeni e vendosni vetë’. Këtë kërkesë e refuzova edhe para drejtuesve të lartë të Policisë, por gjithsesi e komunikova edhe brenda kampit. Derisa hyra në ndërmjetësim, isha i detyruar të shoqëroja edhe ekspertët, të cilët dridheshin si purteka nga frika kur u futën brenda. Në fund u ndjeva i lumtur, se situata u zgjidh pa dhunë e pa gjak. Njohja me persona të ndryshëm na ka ndihmuar shumë në zgjidhjen e situatave të vështira.”

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: