NGA PËRPARIM KABO
Nëse e shet lirinë, atëherë gjithçka që ke bërë deri atë ditë humbet jo vetëm vlerën dhe bukurinë, por edhe dinjitetin. Historia njeh shumë raste të thyerjeve të tilla, të dorëzimit apo rënies në dëshpërim, të trysnive të padurueshme dhe tek e fundit, tek mbërritja në rrëzimin shpërfytyrues. Njeriu pa lirinë mjaket. Pushteti përpiqet ose ta burgosë lirinë, ose ta dëbojë atë, rreket ta frikësojë dhe provon gjithçka që ta izolojë.

Pa e humbur vëmendjen ndaj saj, gjithnjë mendon se si të fusë në kurth njeriun e lirisë. E tremb dhe mandej përpiqet t’ia qetësojë frikën duke e joshur ose duke i thënë “eja, mos ki frikë, je i amnistuar”. Atdheu Hygoit ishte liria. Sa bukur tingëllon.

Jam i lirë dhe këtu jetoj e marr frymë. Përball amnistisë së vitit 1959 takojmë përbuzjen e Viktor Hygoit me fjalët: “Askush s’duhet të presë nga unë që t’i kushtoj, për aq sa më takon, një çast vëmendje asaj gjëje të quajtur amnisti. Besnik ndaj zotimit që kam marrë përpara ndërgjegjes, do të jem deri në fund i lirë në mërgim. Dhe kur të kthehet liria në vendin tim, do të kthehem edhe unë”.

Ky hero dhe pelegrin lirie ka model jetën e tij. Ka frymëzim lirinë e tij, ka dinjitet ndërgjegjen e tij të patradhtuar. Viktor Hygoi ka udhërrëfim mosdorëzimin tek autoritarizmi. Megjithëse familja iu largua nga ishulli, ai mbeti pengu lirisë së tij dhe ideve të tija. E vetmja që nuk iu nda ishte Zhuljeta, kjo femër që meriton adhurimin më të lartë. Një herë në vit Hygoi largohej nga ishulli me Zhuljetën dhe udhëtonte në Belgjikë, Gjermani, Luksemburg, Holandë, Zvicër.

Më pas kthehej në ishull, pranë oqeanit dhe shkrimeve të tija. Edhe në ishull ai u tregua aktiv dhe gjen rastin që të mbrojë çështjen e Xhyzepe Garibaldit dhe 1000 këmishëkuqve të tij. Ishte qershori vitit 1860, pothuaj pesë vjet nga koha kur e përzunë nga ishulli i parë dhe banorët me një ndjenjë faji duartrokasin Hygoin. Zëri tij vinte si një gjekëtimë. Por, prilli 1860 rezervon edhe një ngjarje shumë interesante. Ai nxjerr nga baulja dorëshkrimet e punimit “Të Mjerët”.

Po thuaj për dy javë nga 26 prilli deri në 12 maj rishikon dorëshkrimet. Në shënimet e tij lexojmë: “Nga 12 maji gjer më 30 dhjetor kalova shtatë muaj për ta përpunuar në mendje dhe për t’i hedhur dritë krejt veprës që qëndron brenda meje, me qëllim që të krijojë një unitet absolut midis asaj që kisha shkruar para dymbëdhjetë vjetëve dhe asaj që do të shkruaj tani”. Vepra qëndron brenda meje?! Shumë kuptimplotë. Mjerimi ishte shqetësimi tij që nuk humbiste, nuk mund të harrohej apo të braktisej.

Shkrimtari e ka veprën brenda ndërgjegjes së vet. Në këtë kuptim, ai është vetë vepra, ai është i njësuar me të si luftëtari i idealeve të tija. Kishte 12 vite që punonte mbi atë kryevepër. Nuk ndalej. E mendonte. E ndriçonte. Bisedonte me të, dialogonte me veten, i rrëfehej njerëzimit, kuvendonte me mizerjen. Ky udhëtim si drita brenda qenies më vjen si atribut jo thjesht i gjeniut të letrave, por mbi të gjitha të njeriut me shpirt e me zemër humane.

Nëse kjo dritë fiket ose humbet, shkrimtari mbetet vetëm me mjetet e punës dhe me to ai gatuan ngjarje e personazhe që jetojnë në veprën e tij dhe jo në jetën reale. Kështu, shkrimtarë të tillë nisin të imagjinojnë e të sajojnë, sforcohen dhe ndërtojnë në fund të pabesueshmen. Në këto rrethana shkrimtari duket si me petrahil jo në qafë, por në ndërgjegjen krijuese. Nëse udhëtojmë në historinë e romanit universal “Të Mjerët” do duhet të udhëtojmë në historinë e Francës dhe më gjerë. Ai u skicua në vitin 1845 dhe pas gati tri vitesh u ndërpre në 14 shkurt 1848.

Ngjarje të mëdha tronditëse pati ai vit jo vetëm në Francë, por në të gjithë Europën. Shënimet e asaj kohe pasqyronin ndërgjegjen Hygoliane, ku ngrinte krye oratoria akademike dhe retorika parlamentare. Gjithçka zhvillohej në rrethanat para se Viktor Hygoi të shndërrohej në majtist.

“Ngjarjet e vitit 1848 dhe 1851 ndryshuan pikëpamjet e tij morale edhe në fushën e fetare, por më e rëndësishmja ishte shndërrimet në pikëpamjet për sistemin shoqëror dhe idetë politike”. Ja përse në gjykimin tim krejt personal, romani i Hygoit nuk është thjesht mjeshtëria e fjalës së shkruar dhe estetika e artit të tij. Në të gjen si art vetë filozofinë e jetës. Takon mjerimin, këtë plagë historike. Njihesh me njeriun dhe fatin e tij, me besimin fetar dhe pushtetin e religjonit. Ke shansin të njohësh lirinë dhe nevojën jetike për të.

Të shfaqet me të gjitha ngjyrimet dinjiteti njerëzor. Jeta kishte kaluar në vetëdijen dhe shqetësimin njerëzor të Hygoit si dhentë në shtrungë dhe ai i kishte mjelë një e nga një të gjitha ngjarjet, ndodhitë dhe episodet, duke marrë çdo pikë informacioni dhe mësimesh që tregonin universin njerëzor të zhveshur, të vërtetë jetësor dhe sfidues. Mjerimi, pushteti, njeriu kishin udhëtuar jashtë dhe brenda mendjes së tij, në jetën dhe në shqetësimet e tij të pashlyeshme.

Në pjesët e para Hygoi shkruante për Fantinën, Kozetën, Mariusin, për Zhan Valzhanin, për idilin e rrugës Plumet dhe epopenë e rrugës Sent Denis. Në rikthimin që bën në veprën e tij, Hygoi analizon revolucionin, kuvendet fetare, dënimet me punë të rëndë dhe me vdekje, lëvizjet e gjëra masive. Një përfshirje e tillë sigurisht që e shpie edhe në ndryshime e përmirësime të karaktereve duke i gjallëruar me më shumë jetë. Fal kësaj qasjeje, tablotë e tij të mjerimit janë rrëqethëse.

Intriga njerëzore zë vendin e duhur. Situatat e ngjarjeve marrin thelb filozofik, historik, politik, ekonomik dhe revolucionar. Me anë të ndërthurjes së përshkrimeve me veprimin njerëzor në të gjithëplanësinë e tij, mjerimi jepet në anatominë e vet. Analiza e tij e imët deri në detaje i jep romanit një theks të dallueshëm realizmi. Vihet re një saktësi gati dokumentare. Shteti analizohet në kapilare që nga strukturat e larta, deri në ato më të ulëta. Bota pariziene këndvështrohet nga Kodi Penal i Shiurmëve deri në arkitekturën dhe funksionimin e llagëmeve të Parisit. Është atje peshkopi Miollis, që shërben si model për Mirielin.

Janë edhe kujtimet e Zhuljetës si ish-konviktore në kuvendin e Shën Madalenës. Është fakt historik që duhet pohuar se romani “Të Mjerët” u frymëzua nga libri i Rey Dusseil me titull, “Kuvendi Shën Marisë”, që ishte shkruar pas ngjarjeve të vitit 1830-1831, diku në vitin 1832. Ky libër ishte mbledhur kopje më kopje dhe ishte djegur në turrën e druve. Por, edhe nga hiri mund të nxirrej ajo që nuk duhej të humbiste. Në kreun e katërt të romanit “Të Mjerët” flitet për periudhën e Restaurimit dhe Revolucionin e vitit 1830 si edhe për Monarkinë e Korrikut.

Gjithçka bazohet pikërisht te ky roman, që u dogj në një akt të pashembullt, paçka se mesjeta inkuizitive datonte larg nga gjysma e parë e shekullit XIX. Një galeri e tillë e tipologjisë njerëzore dhe ecuria e tyre e bëjnë romanin e Hygoit të tipit letrar ku takon njëherësh aventurën, vë re trajta të romanit policor, ku shumica e personazheve maskohen me emra të rremë, por mbi të gjitha, “Të Mjerët” është një “Epope e vegjëlisë”. Edhe kujtesa personale e ushqen romanin e tij.

Kemi pa frikë një lloj autobiografie të autorit, sepse ai sjell në libër kujtimet nga kopshti Fejantinve, nga libraria ‘Royal’ e rrugës ‘Saint Jasques’, kujtimet e hidhura nga gjenerali Leopold Hygo. Vjen fal kujtimeve edhe Parisi i barrikadave si përjetime të gjalla të vetë autorit. Historia e Mariusit është e ngjashme me rininë e tij. Në mënyrë të veçantë në kalimin e tij nga ruajalist-bonapartist-republikan. Është e gjithëpranuar nga Hygolianologët se në këtë vepër ai e përfshin jetën e tij më shumë se në çdo vepër tjetër.

Gjykoj mjeshtër se si besnik i realitetit e tejkaluat atë me idetë që Ju ndërtuat dhe përhapët, ndaj mendoj se në këtë mënyrë romantizmi si metodë, u kapërcye prej jush për të takuar romantikën njerëzore si një realitet që duhej rrëfyer dhe nuk duhej zbukuruar. E vërteta lyp të ketë në thelb faktologjinë e besueshme. Në këtë kuptim Hygoi kishte jetuar në mënyrë aktive si një protagonist jo thjesht i gjallë, por edhe si sfidanti kokëkrisur.

Kjo ndodh me atë krijues që e do jetën dhe e mbron atë, e do njeriun dhe e mbron atë, e do lirinë dhe për të sakrifikon edhe jetën e vet. Korrektesa me historinë është detyrimi më serioz i atij që shkruan. Çdo lloj devijimi me apo pa qëllim është humbje për atë që e ka shkruar, por edhe për shoqërinë njerëzore për aq kohë që ajo ka besuar mbi atë çka është paraqitur në faqet e librave apo studimeve shkencore.

Për të mbajtur këtë drejtpeshim, Hygoi la për ca kohë Gernesejin dhe shkoi në Belgjikë, por edhe në Waterloo si për t’i bërë autopsinë e kufomës, atje në fushën e betejës. E imagjinoj Hygoin në atë fushë të zbrazur, me një pezmë të thellë duke vështruar se si atje mijëra njerëz lanë jetën. Ka dëgjuar hingëllimat e kuajve, të shtënat e topave, britmat komanduese. Ka parë plagët në trupat e luftëtarëve, është lebetitur nga klithmat dhe britmat e tyre. E në fund tek binte mbrëmja, shikonte korbat që uleshin mbi fushën për të shqyer kufomat e historisë. Një bisedë e tillë me heshtjen e mbetur mbi fushë, plazmon poetik dhe ngjiz meditim. Përthithur nga shikimi i poetit, fusha e betejës ndërtonte ngjarje të gjalla. Sillte mesazhe që mund të ishin braktisur.

Hygoi dukej sikur mërmëriste… Atë ditë të tmerrshme nuk isha këtu fizikisht… Sot jam. Dua të marr frymë nga fryma juaj, me qëllim që historia të ketë vërtetësi. Përtej gjembishtes, unë shoh se historia nuk mund të mbulohet me heshtjen. Llaskuçët nuk mund ta zhbëjnë historinë me rrëfenjat e tyre të sajuara. Tek zbriste në kontinent pas 9 vitesh, e ndjeu se ajri urban donte tjetër pamje, ndaj ndërroi rrobat e vjetra që mbante në trup dhe mjekrës që kishte filluar ta linte t’i rritej i shtoi edhe dy kostumet e rinj. Ishte data 7 maj i vitit 1861 kur ai bashkë me Zhuljetën u akomoduan në hotelin “Les Colonnes de Mont-Saint-Jean”.

Nga dritarja e dhomës dukej luani Vaterlosë. Heshtja ishte simbolike dhe meditim i thellë. Pas kaq vitesh shpenzuar në mes të detit, tani e gjente veten përballë një fushëbeteje ku historia kishte provuar veten, kishte vënë të ndesheshin të shkuarën me të ardhmen. E mendoj Hygoin tek ecte mespërmes fushës. E maste me sy e i lëshonte pyetje nën zë. Krahas kësaj gjeometrie, ai rrëmon dhe siguron materiale dokumentare e të bollshme. “Buka” e romanit ishte siguruar, ndaj romancieri i përvishet punës. Herë pas herë shkon edhe në Bruksel.

Zhuljeta zbardh shkrimet e tija, si të thuash ajo lexonte e para shpirtin e tij krijues. Puna e saj dukej si pikëderdhja e lumit Hygolian. Sa me fat ka qenë kjo femër, por edhe Hygoi për të. Vrulli i tij e rroposte historinë dhe historiografinë, sepse pena e tij shembte godinat e rreme të saj. Dhe e para që e ndjente këtë vrull ishte Zhuljeta. Përballë asaj fushe dhe Hygoi zhvilloi betejën e tij të krijimtarisë dhe të jetës. Ja si i shkruante Viktor Hygoi më 30 qershor mikut të tij Auguste Vacuerie: “Këtë mëngjes të 30 qershorit, në orën nëntë e gjysmë, mes një dielli të bukur në dritare, përfundova ‘Të Mjerët’. Pikërisht në këtë muaj të Vaterlosë, unë zhvillova betejën time. Shpresoj të mos e kem humbur”. Sa impresionuese! Ai e quan kryeveprën e përmbyllur një Waterloo të historisë së penës së tij dhe modestisht shprehet se është në dilemën nëse e ka fituar apo jo. Napoleoni e humbi atë betejë në 18 qershor 1815 dhe e mbylli karrierën atje. Viktor Hygoi e fitoi atë betejë dhe krijoi pas 45 viteve romanin “Të Mjerët”, këtë monument të mendimit dhe dëshmi të humanizmit e të historisë, himnin e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Ju fituat jo thjesht betejën i nderuar Viktor Hugo. Ju fituat edhe ndeshjet që do të vinin në gjithëkohësi. Ditët vijuan për të me një pushim prej disa javësh në Holandë. Më tej, ai kthehet si shpendi vetmitar në ishull. Ishte fillimvjeshte, data 3 shtator kur mbërriti sërish atje…!1

Vikor Hygoi lindi në 26 shkurt 1802. Sot mbushen 215 vjet nga lindja e tij. Materiali i botuar është i shkëputur nga studimi me titull: Një breng e vjetër për Viktor Hygoin, që së shpejti do të shohë dritën e botimit si pjesë integrale e librit me titull, “Antropologjia e Artit”

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: