Nga: Përparim KABO

Sa herë që vjen 23 tetori hungarez kujtesa zbret te viti 1956. Një ritual që tejkalon thjesht aktin e sjelljes në mënd, sepse në gjithëplanësinë e saj ajo ngjarje u nënshtresëzua në veprime brenda Hungarisë dhe në planin ndërkombëtar në një mënyrë të tillë që, sa herë rikthehemi gjejmë çfarë të shohim ndryshe, bindemi edhe një here tjetër pse duhet të dëgjojmë jehonat historike dhe përse është me vlerë të ballafaqohemi me fenomenet e të sotmes duke ndërtuar krahasimet e nevojshme. Me revolucionin hungarez të 1956-s filloi një nga periudhat më të tensionuara të “Luftës së Ftohtë”, e cila u bashkëshoqërua aso kohe edhe me një përgjigje të jashtëzakonshme ndaj krizës së refugjatëve që pasoi, ngjarje kjo e pa takuar më parë, e cila solli përfitime të konsiderueshme për brezat e ardhshëm të refugjatëve anembanë botës sepse krijoi precedentin dhe modelin e sjelljes.

Si dhe çfarë ndodhi në 1956-n…

Tanket sovjetike u kthyen në Budapest më 4 nëntor 1956 dhe revolucioni u shtyp shpejt.
Gjatë fundjavës së 4-6 nëntorit, rreth 10,000 hungarezë hynë në Austri. Klasa të tërë nxënësish – madje edhe shkolla të tëra – filluan të kalonin kufirin e pothuaj të hapur. Studentët, mësuesit, mjekët, atletët e famshëm dhe futbollistët, fermerët, arkitektët dhe punëtorët filluan të iknin si lumë në Austri. Kjo ishte kriza e parë e madhe e refugjatëve që u shfaq në televizion, në gazeta si dhe në shfaqje dokumentarësh në kinema. Njerëzit në të gjithë botën u tronditën duke parë skena nga Budapesti dhe nga kufiri i ku terreni ishte i mbuluar me borë. Në 16 nëntor, numri i refugjatëve ishte rritur në 36.000 dhe nga fundi i nëntorit, shkoi në 113.000. Deri në kohën e mbylljes së kufijve, gjithsej 200.000 hungarez ishin arratisur (180.000 në Austri dhe 20.000 në Jugosllavi) Brenda disa ditësh nga fillimi i eksodit, një veprim i jashtëzakonshëm ndihme u ngrit në Austri, jo vetëm për t’u kujdesur për refugjatët, por edhe për t’i larguar ata nga vendi pothuajse aq shpejt sa arritën. Në fund të procesit 180.000 u zhvendosën nga Austria dhe Jugosllavia në 37 vende të botës. Performanca e austriakëve, agjencive të ndihmës dhe vendeve të zhvendosjes ka qenë e rrallë, e pa takuar ndonjëherë deri në atë kohë por edhe sot. “Të dy qeveritë dhe popullatat ishin të angazhuara jashtëzakonisht për të ndihmuar njerëzit që iknin nga Hungaria në atë kohë”, tha në vigjilje të 60 vjetorit të kryengritjes(23 tetor 2016), komisioneri i lartë i OKB António Guterres.( António Manuel de Oliveira Guterres është një politikan dhe diplomat portugez, i cili shërben si Sekretari i Përgjithshëm i nëntë i Kombeve të Bashkuara. Më parë, ai ishte Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët midis viteve 2005 dhe 2015)

“Ishte lëvizja e parë në të cilën refugjatët u njohën në masë. Ishin 100.000 njerëz të zhvendosur në 10 javët e para – gjë që unë mendoj se është e pa konceptueshme edhe sot. ”

Në Vjenë u krijua menjëherë një komision i përbërë nga Ministri i Brendshëm Austriak Oskar Helmer dhe stafi i tij, nga UNHCR, Komiteti Ndërqeveritar për Migracionin Europian (ICEM) dhe nga Shoqata e Lidhjes së Kryqit të Kuq (LRCS) si dhe një numër shoqatash lokalesh dhe OJQ-sh ndërkombëtare. U vendos që LRCS do të ishte forca kryesore lëvizëse në frontin e asistencës dhe do të ndihmonte, gjithashtu, ICEM, detyra kryesore e të cilit do të ishte të ndihmonte regjistrimin, dokumentimin dhe transportimin e refugjatëve jashtë Austrisë. UNHCR-ja do të merrej me çështjet e mbikëqyrjes ligjore dhe të mbrojtjes, si dhe me integrimin e atyre që mbetën në Austri. Zoti Helmer gjithashtu donte që UNHCR të ishte koordinatori i përgjithshëm – ose “agjencia udhëheqëse” – një rol që u konfirmua më pas edhe nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-s. Përballë kësaj gjendjeje komplekse, UNHCR nuk se gëzonte ndonjë pozitë më të mirë për të trajtuar një detyrë të tillë. Ajo ishte vetëm një organizatë me një mandat të përkohshëm që duhej të skadonte më 1958-n. Së dyti, ishte pa një Komisioner të Lartë. Që nga muaji korrik Gerrit van Heuven Goedhart kishte vdekur nga një atak në zemër dhe zëvendësuesi i tij, Auguste Lindt, nuk u zgjodh deri në dhjetor. Është fakt që stafi i lartë i agjencisë u dëshmua më shumë se i aftë për të trajtuar sfidën. Pas një nisjeje kaotike, operacionet e ndihmave dhe zhvendosjes vazhduan pa probleme. Të tri agjencitë koordinuese dhe shumë OJQ që punuan me to krijuan një performancë të jashtëzakonshme. Një shembull historik humanizmi përkushtimi dhe organizmi që edhe sot në ditët tona të lë përshtypje tejet të thella. Brenda pak ditësh nga ardhja e refugjatëve të parë, u bë një përpjekje masive për rivendosjen përfundimtare të hungarezëve. Gjatë muajve në vijim, ata u transferuan me autobusë, trena, anije dhe aeroplanë në 37 vende të ndryshme në pesë kontinente. Vende të mëdha si Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja pranuan secili prej tyre rreth 40.000 persona, ndërsa Mbretëria e Bashkuar pranoi 20.000. Gjermania me Australinë rreth 15.000 persona secila. Dy vende afrikane dhe 12 vende të Amerikës Latine morën gjithashtu një numër të vogël hungarezësh.

Duke vështruar prapa, ndoshta aspekti më i rëndësishëm ishte pragmatizmi dhe fleksibiliteti i aktorëve kryesorë – veçanërisht ai i shteteve. Ishte operacioni i parë i ndihmës së refugjatëve të këtij lloji. Për një gjë, kishte pasiguri nëse hungarezët ishin teknikisht refugjatë sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë të vitit 1951 dhe nëse UNHCR kishte një mandat për t’u marrë me ta apo jo? UNHCR e mbështetur nga Austria, vendosi për shpërndarjen e tyre dhe shtetet pritëse ranë dakord. Neni 6B i Statutit të UNHCR-së duket qartë se e mbulonte situatën. Por, sipas përkufizimit në Konventën e vitit 1951, nuk ishin refugjatë vetëm produktet e ngjarjeve që kishin ndodhur para vitit 1951? Këshilltari kryesor ligjor i UNHCR-së, Paul Weis hartoi një argument që i plotësonte kriteret ligjore lidhur me datën e skadimit të përcaktimit të Konventës. Përveç kësaj, statuti i UNHCR-së është përdorur si bazë për të vendosur se një grup që mbërrin në masë, si hungarezët, mund të njihet ‘prima facie’ – një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm ky në ligjin dhe praktikën ndërkombëtare të refugjatëve. Prej këtij interpretimi kanë përfituar ndër vite dhjetëra milionë refugjatë. Kryengritja e vitit 1956 dhe pasojat e saj ndihmuan në mënyrën se si organizatat humanitare – dhe jo më pak UNHCR – do duhej të merreshin me krizat e refugjatëve. Ngjarjet e 1956-s me refugjatët, gjithashtu, lanë një shenjë të pashlyeshme në ligjin dhe politikën ndërkombëtare të refugjatëve. “Më kujtohet, – isha djalë i ri në atë kohë, – dhe ishte aq mbresëlënëse, aq e fortë. Reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ishte i jashtëzakonshëm”,-tha zoti Antonio Guterres në përvjetorin e 60-të asaj ngjarje tronditëse dhe impresionuese njëherësh. Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë menduan se ky ishte fundi i krizave të refugjatëve.” Megjithatë, ajo vazhdoi, kryengritja hungareze “tregoi se probleme të tilla do të vazhdonin të ndodhin herë pas here dhe se bashkësia ndërkombëtare do duhej të përgatitej në një mënyrë bujare dhe të hapur për t’u marrë me problemet e refugjatëve”.

Shumë nga hungarezët kaluan kufijtë me ndihmën e kontrabandistëve dhe shumë njerëz arritën pa dokumente identiteti, por nuk e dëmtuan imazhin e tyre dhe nuk u paragjykuan. Nuk u pengua pranimi i tyre si refugjatë. Në një farë mënyre që nga ajo kohë pak është ndryshuar sjellja institucionale në botën e refugjatëve, përveç ndoshta fakteve të hidhura që 60 vjet më vonë bota duket shumë më pak e prirur për t’u përgjigjur me një mikpritje të tillë spontane e bujare si atëherë. Ja si shprehet zoti Gutteres:

“Bashkësia ndërkombëtare u përdor kaq shumë për krizën ndërkombëtare dhe për fat të keq sot ne jemi dëshmitarë të situatave në të cilat sasia e vuajtjes është shumë më e madhe se ajo që pamë në Budapest – dhe indiferenca është gjithashtu shumë më e madhe”. Ky përfundim nuk ka nevojë për koment të mëtejshëm. Pas po thuaj 60 vitesh, një ngjarje tjetër me refugjatë, por tani në një sens tjetër është duke ndodhur. Hungaria duhet të presë refugjatë. Sjellja është ndryshe. Dihet se Hungaria me një gardhë të lartë teli e ka mbyllur kufirin dhe pranimi refugjatëve është një çështje tejet delikate si brenda vendit ashtu edhe në kuadrin e Bashkimit Europian si dhe në hapësirat e zonës Shengen.

Përsëri kriza e refugjatëve veçse ndaj tyre një sjellje ndryshe…
Kur komisioneri i lartë i OKB për refugjatët Filippo Grandi vizitoi refugjatët në kufirin hungarez i bëri thirrje Hungarisë të përmirësojë aksesin për njerëzit që kërkojnë azil dhe të hiqej dorë nga të ashtuquajturat “zonat e tranzitit” kufitar, të cilat tha ai: “Janë, në fakt, thjesht qendra të paraburgimit.” Ai i bëri komentet në një konferencë shtypi në kryeqytetin hungarez pas një vizite në një nga dy zonat transit të Hungarisë, ku zyrtarët shpjeguan se vetëm rreth dhjetë kërkues të azilit në ditë pranohen në vend. “Nëse vendosni kufizime për të hyrë në territor – përdorimin e paraburgimit për azilkërkuesit dhe shkallën e ulët të njohjes, së bashku me mungesën e ndonjë investimi për të inkurajuar integrimin e atyre që njihen si refugjatë – përshtypja ime themelore është se ka një përpjekje kufizonjëse tejet të ashpër ndaj numrit të njerëzve që lejohen për të ardhur në Hungari dhe për të kërkuar mbrojtje. Rreshtat e telit me rrota të gardheve në Roszke përcjellin “simbolin e refuzimit”,-u tha gazetarëve Filipo Grandi.

U nënvizua se: “Mbrojtja e refugjatëve dhe siguria e vendit nuk është se janë të papajtueshme.” Në takimet në Budapest, me Ministrin e Punëve të Jashtme Péter Szijjártó dhe atë të Brendshme Sándor Pintér, Zoti Grandi theksoi se Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë njeh të drejtën e çdo vendi për të mbrojtur kufijtë e saj. Por, tha ai- “Mbrojtja e refugjatëve dhe siguria e vendit nuk janë të papërputhshme.” Ai, gjithashtu, theksoi rëndësinë e solidaritetit europian dhe të të gjitha shteteve anëtare të BE, përfshirë edhe Hungarinë, duke marrë pjesë në programin për zhvendosjen e azilkërkuesve nga Greqia dhe Italia . Ai pasqyroi shqetësimin për fëmijët që kishte takuar, të cilët mbaheshin në “zonat e transitit”, në pritje të një vendimi për aplikimet e tyre për azil. “Fëmijët, në veçanti, nuk duhet të kufizohen në paraburgim,”-vuri theksin Zoti Grandi. Pasi udhëtoi në zonën e transitit të Rokszit në kufirin e Hungarisë me Serbinë gjatë një vizite dy-ditore në vendin e Europës Qendrore; Ai vuri në dukje se fëmijët më të vegjël se 14 vjeç që kishin mbërritur vetëm në Hungari transferohen në një qendër të hapur ku ata po marrin kujdes të përshtatshëm dhe inkurajojë Hungarinë të mbajë një strukturë të tillë duke e zgjeruar atë për të përfshirë fëmijët më të rritur dhe të pashoqëruar nga prindër. “Kërkimi i azilit nuk është një krim,”-tha ai. “Refugjatët që takova janë thjesht në kërkim të sigurisë në Europë dhe tani e shohin veten jashtëzakonisht të shqetësuar për të ardhmen e tyre”.

Ai i bëri thirrje qeverisë hungareze që të lehtësojë kufizimet në sistemin e saj të azilit në mënyrë që azil-kërkuesit që hyjnë në vend të mos ballafaqohen me pengesa dhe të mund të dëgjohen rastet e tyre në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Hungarisë. Në vizitën e tij në Röszke, Grandi takoi dy djemtë 14-vjeçarë, të cilët e gjetën rrugën e tyre për në Hungari. Ahmedi, nga Aleppo e Sirisë, i tregoi se ika nga lufta në atdheun e tim kur isha vetëm 12 vjeç dhe mbërriti në Hungari pas një udhëtimi shumë tronditës. Ai i tha Grandit se ai shpresonte të merrte azil këtu, sepse familja e tij ishte në rrezik. Nëse ai merr statusin e refugjatit, ai shpreson t’i shpëtojë duke aplikuar për bashkim familjar. Grandi pa se si refugjatët jetonin në kontejnerë në nënndarje të vogla të mbyllura. Sulejmani nga Kabuli, i tregoi një shenjë të madhe në krahun e tij si rezultat i një sulm talibanësh në shtëpi. Kam frikë të kthehem dhe dëshiroj të qëndrojë në Hungari. Azil-kërkuesit më së shumti ankohen për mungesën e informacionit rreth procesit të azilit. Hungaria ka kufizuar sistematikisht sistemin e saj të azilit përmes masave ligjore kufizuese dhe ka eliminuar pothuajse mbështetjen e shtetit për refugjatët. Kur azilkërkuesit hyjnë në një nga dy zonat tranzitore të Hungarisë, normat e njohjes së refugjatëve janë tejet të ulëta, madje edhe për njerëzit që ikin nga vende të përfshira nga konflikti si Iraku dhe Afganistani. Zyrtarët hungarezë i thanë komisionerit të lartë se po punojnë në përmirësimin e procedurave. Gjatë vizitës së tij, Grandi vizitoi, gjithashtu, Qendrën Globale të Shërbimit të UNHCR-së, ku punojnë rreth 500 anëtarë të stafit. Këto përfshijnë rreth 300 shtetas hungarezë, të cilët ofrojnë mbështetje thelbësore për anëtarët e stafit të UNHCR-it që mbrojnë refugjatët në mbarë botën. Ai i shprehu mirënjohjen e tij ndaj qeverisë hungareze për mbështetjen e saj ndaj Qendrës dhe stafit që i kushton aftësitë e tyre profesionale për t’u shërbyer refugjatëve.

Ç’ndodh atje aktualisht …?!
Kriza e refugjateve dhe sjellja refuzuese e vendeve te Vishegradit…ç’po ndodh në zonën Shengen…kjo është më shumë se një pyetje. Përtej saj ka një qëndrim, dhe është hapur një debat që shkon drejt një konflikti institucional brenda BE-s. Kryeministri hungarez Victor Orbán bëri thirrje për ‘Mbrojtjen e Zonës së Shengenit’ në Takimin V4(Vishegradi katër Poloni-Çeki-Sllovaki-Hungari) duke nënvizuar nevojën urgjente për domosdoshmërinë e ruajtjes së bashkëpunimit të Zonës Shengen dhe hapjes së kufijve të brendshëm të BE. Sipas Orbán, ndërsa disa vite më parë në Europë kishte kufijt të jashtëm të mbyllur dhe kufij të brendshëm të hapur, tani kufijtë e jashtëm janë të hapura, ndërsa ato të brendshme janë të mbyllura. Qartazi Hungaria nuk mban azilkërkues apo refugjatë që janë të një besimi tjetër fetar. Qëkur është krijuar si shtet në vitin 1000, Hungari lindi si një vend i centralizuar me besim katolik roman. Është disi delikate si çështje që të respektosh besimin fetar të një refugjati duke lënduar besimin fetar apo ndjeshmëritë religjioze të popullsisë së vendit tënd. Referendumi në Hungari në lidhje me këtë problematik rezultoi refuzues për pranimin e refugjatëve në këtë vend të Europës qendrore. Refugjatët hungarez të 1956-s nuk vlejnë me sa duket si një shembull apo si një thirrje për reflektim ndryshe. Kujtesa nuk vlekërka në këtë rast paralel diakronik në histori.

Kryeministri hungarez deklaroi se institucionet e BE-së kanë dështuar, se Komisioni Europian, Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Europian nuk kishin mbrojtur dot Traktatin e Shengenit. Orbán pretendoi se këto institucione europiane duhet të mbështesin “sundimin europian të ligjit” dhe të kthehen në marrëveshjen e Shengenit. György Bakondi, këshilltar i sigurimit të brendshëm të Kryeministrit, deklaroi se “politikat e BE-së ndaj emigrantëve të paligjshëm po rrezikojnë ekzistencën e Zonës Shengen”. Situata është e tillë që ka shpënë edhe në një krizë të së majtës hungareze e cila po identifikohet si, ”çarja mes partive politike të krahut të majtë të Hungarisë”. Gjashtë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të Hungarisë, opozita e krahut të majtë të vendit e gjen veten në rrëmujë. Dy javë më parë, kandidati i kryeministrit Socialist (MSZP) László Botka njoftoi dorëheqjen e tij. Ndërkohë vazhdojnë diskutimet mbi bashkëpunimin mes partive të krahut të majtë. Kohët e fundit u njoftua se, në kundërshtim me planet e mëparshme, partitë e krahut të majtë (MSZP, DK, LMP, Párbezéd, Liberal, MOMA dhe Momentum) nuk do të mbajnë një demonstratë të përbashkët më 23 tetor ditën përkujtimore të 1956-s. Më parë, këto parti ishin bashkuar në thirrjet për ndryshime në sistemin zgjedhor të Hungarisë. Megjithatë, demonstrata e përbashkët është anuluar; sipas organizatorit të ngjarjes Márton Gulyás, disa parti, duke përfshirë LMP, Momentum dhe Együtt, u tërhoqën nga ngjarja, duke lënë të kuptohet se demonstratën e planifikuar në thelb është pa kuptim.

Ja përse krizat e refugjatëve në kohë të ndryshme me gjithë tiparet identifikuese sjellin situata të pa takuara më parë sepse bota e sotme është më pak solidare, shumë me tepër konfliktuale dhe e rrezikuar si nga terrorizmi ashtu dhe ksenofobia…!

1956-shta hungareze gjithherët të bën të reflektosh./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: