Nga Franca, ERVIN BAKU
Me ardhjen e saj në Francë, në pjesëmarrjen e saj të parë historike në një kompeticionmadhor të futbollit, Kombëtarja jonë e fitoi Kampionatin e saj Europian. Me sjelljen e saj në qytetet e Lensit dhe Marsejës, tifozëria shqiptare i dha një leksion qytetarie mbarë Europës. Natyrisht, e dinim që nuk do të ishim kampionët e Europës. E dinim se djemtë tanë nuk do të ngrinin trofeun. Thellë thellë brenda nesh e dinim edhe që nuk do ta kalonin grupin (edhe pse jemi ende në garë për vendin e tretë), por ata bënë dhe po bëjnë më shumë. Atë që sporti duhet të bëjë gjithmonë. Bashkuan shqiptarët. Ky ishte një moment fantastik, fenomenal. Ashtu siç ishte atmosfera e krijuar në stadiumet “Bollaert” dhe “Vélodrome”. Europa, e vjetër dhe e re, mori një leksion shumë të mirë nga një vend dhe një popull i vogël i Ballkanit. Ne e kthyem në një festë të madhe dhe të vërtetë sportin më magjik në botë. Dhe kjo është absolutisht merita jonë, meritë e Kombëtares. Shqipëria e fitoi betejën e Vélodromit. Që pesë-gjashtë orë para fillimit të sfidës Francë-Shqipëri. Tifozëria kuqezi imponoi një ambient të jashtëzakonshëm në Marsejë. Francezët ishin shumë të urtë. Pika kulmore u shënua në plazhin e qytetit të madh. Flamuri gjigant, 11 mijë metra katror, u ngrit dhe u shpalos fiks në orën 14.46 të 15 qershorit 2016. Ishin rreth 2000 shqiptarë në plazh. Në të djathë të hyrjes qendrore të Fan Zonë në Marsejë. Në shumë restorante të mëdhenj në shëtitoren Prado, shëtitorja që të çon në “Stade Vélodrome”, tifozët shqiptarë hanin në tavolina ngjitur me ata francezë. Një francez, një shqiptar. Një franceze, një shqiptare. Rivalë të një mbrëmjeje futbolli, por të gjithë të bashkuar në një lum gjigant njerëzor që derdhej në “Stade Vélodrome”. Për një ndeshje që konsiderohej me rrezikshmëri të lartë. Sidomos pas trazirave dhe përleshjeve të disa ditëve më parë mes rusëve dhe anglezëve. Aty ku këta të fundit mbollën dhunën dhe urrejtjen, shqiptarët dhe francezët mbollën paqen, dashurinë dhe respektin. Francezët erdhën nga e gjithë Franca. Shqiptarët erdhën nga e gjithë Europa. Duke formuar një zinxhir historik vëllazërie. Dhe këtu e gjithë merita kryesore i shkon tifozërisë shqiptare, që pushtoi Marsejën me qytetarinë e saj. Rrezikshmëria e lartë e kësaj ndeshjeje u konfirmua vetëm për kordat vokale. 50 000 tifozë francezë kundër 12 000 tifozëve shqiptarë. Pas Lensit, në Marsejë të gjithë janë në unanimitet të plotë, pa asnjë përjashtim: Shqiptarë, jeni të mirëpritur. Mirë ardhshi kur të doni. Merci.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: