Nga: Jonathan MARCUS

New York Times raportoi një lajm interesant në fundjavë. Me titullin “Aleanca sekrete: Izraeli kryen sulme ajrore në Egjipt, me lejen e Kajros”, korrespondenti i NYT David D. Kirkpatrick, dha detaje të një marrëdhënie të jashtëzakonshme dhe shumë sekrete ushtarake.

‘Për më shumë se dy vite, dronet izraelite, helikopterët dhe avionët kanë kryer një fushatë ajrore të fshehtë, me më shumë se 100 sulme ajrore brenda Egjiptit, shpesh më shumë se një herë në javë, dhe të gjitha me miratimin e Presidentit Abdel Fattah el-Sisi” shkroi Kirkpatrick.

Ndërsa Egjipti ka një marrëveshje paqje me Izraelin që në 1979, gjerësisht e përshkruar si ‘paqe e ftohtë’.

Edhe tani çdo bashkëpunim – për më tepër sulmet ajrore të sanksionuara- rrallë herë pranohet.

Thelbi i historisë ishte se ushtria egjiptiane, e cila ka kohë që përpiqet të përballojë një kryengritje islamike në Sinai, ka kërkuar ndihmën e Izraelit. Marrëdhënia ka përfitime për të dy palët.

Për Kajron, ndërhyrja e Izraelit ka ndihmuar ushtrinë egjiptiane në betejën kundër militantëve ndërsa për Izraelin, sulmet ajrore kanë shtuar sigurinë në kufinjtë e tij dhe stabilitetin me fqinjët.

Pas publikimit të artikullit, zëdhënësi i ushtrisë egjiptiane këmbënguli se vetëm forcat ligjzbatuese të vendit po përballen me militantët.
Ndërkohë një bashkëpunim i tillë ushtarak, nëse është i vërtetë, do ishte një çështje shumë sensitive për autoritetet e Egjiptit.

Një aleancë anti-Iran?
Rritja e Iranit dhe rolit të tij rajonal po alarmon vendet si Arabia Saudite, Egjipti dhe Jordania, të cilët ndajnë shqetësimin rreth rolit të tij në rajon dhe ambicjeve bërthamore.
Kohët e fundit, Dr Mohammed Al Issa, sekretari i përgjithshëm i Ligës së Botës Myslimane me bazë në Arabinë Saudite, i shkroi një letër të hapur drejtorit të Muzeut Përkujtimor të Holokaustit në Uashington ku shprehte keqardhjen e tij për viktimat e Holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dënonte ata që thonë se Holokausti nuk ka ndodhur kurrë.

Nga pjesa arabe dikush duhet të mbledhë së bashku incidente të tilla për të dhënë një kuptim ndryshimeve që po ndodhin poshtë sipërfaqes.

Izraelitët ndoshta janë më të hapur dhe duket se po përpiqen të përmirësojnë lidhjet me shtetet e moderuara sunite.

Edhe kur presidenti amerikan Donald Trump shpalli vendimin e tij për të zhvendosur ambasadën e SHBA-së në Jeruzalem, pati vetëm një reagim të dobët në mesin e udhëheqësve arabë sunitë.

Por qëndrimet në shoqërinë më të gjërë arabe, mes intelektualëve dhe popullsisë në përgjithësi nuk kanë tendencë të reflektojnë “zbutjen e elitës” në drejtim të Izraelit.

Ka një paradoks këtu dhe shumë analistë besojnë se ky është momenti i mundësisë për të çuar përpara procesin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe të përfitojë nga bashkëpunimi i ri mes Izraelit dhe të ashtu-quajturve arabë të moderuar.

Megjithatë shtetet arabe sunite akoma nuk janë dakord me politikat e qeverisë së Netanyahut, edhe pse kërkojnë konsensus më të gjërë mbi kërcënimet e sigurisë me të cilat përballen.

Sakaq qeveria e Netanyahut duket sikur po sinjalizon që ndoshta nuk mund të bëjë progres në fronti palestinez port ë paktën po përmirëson marrëdhëniet e saj me shtetet e moderuara arabe.

(Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb