Nga: ZONJA VJOLLCA
300 gr karrota
300 gr spinaq
1 kokërr qepë
2 lgj gjalpë, 1 lk sheqer
1 litër lëng perimesh
100 gr makarona flutur
250 gr misra

Për qoftet:
350 gr mish i grirë
1 qepë, 1 vezë
2 lgj peksimadhe
1 lk piper i kuq, 1 lç rigon
Kripë, piper i zi
Vaj për skuqje

Fillimisht qepën e grijmë imët, karrotat i qërojmë dhe i presim në feta rrumbullake të holla. Spinaqin e vendosim në ujë të vluar për 2 minuta, e ftohim dhe e presim më pas në rripa. Shkrijmë gjalpin në tenxhere dhe kaurdisim qepën derisa të bëhet transparente, shtojmë pak sheqer dhe e lemë qepën së bashku me sheqerin të karamelizohet pak. Më pas shtojmë karrotat dhe menjëherë lëngun e perimeve dhe i lemë karrotat dhe qepën të ziejnë për 10-15 minuta në temperaturë mesatare. Në një tas vendosim mishin e grirë, qepën e grirë imët, një kokërr vezë, pak peksimadhe, kripë, rigon, piper të kup dhe piper të zi. E punojmë mirë brumin derisa të formohet një brumë qoftesh që nuk ngjit në duar dhe e lemë të pushojë për pak minuta. Më pas në një tigan me vaj për skuqje i skuqim mirë nga të dy anët qoftet të bëra sa një kokërr arrë. Ndërkohë tek supa shtojmë makaronat flutur, pas 5 minutash nga zierja e tyre shtojmë dhe qoftet bashkë me misrat e zier. E lemë supën të marrë valë për 5 minuta dhe në dy minutëshin e fundit shtojmë spinaqin, kripë dhe piper të zi dhe e servirim të ngrohtë.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb