Donald Trumpi ka tashmë shansin, të rishikruajë historinë e presidencës së tij. Ashtu siç bëri mbrëmjen e zgjedhjeve në vitin 2016, ku presidenti korri një fitore mbi mençurinë konvencionale të kritikëve të tij, këtë herë suksesi i rradhes është fakti që prokurori special Robert Myler, zbuloi se nuk kishte dëshmi se Trump kishte komplotuar me një komb të huaj armiqësor – Rusinë – për t’u zgjedhur president.

Ky konstatim, i bërë në një përmbledhje të raportit të Mylerit nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Uilliam Barr, nënkupton se Trump mund të përpiqet më në fund të distancohet nga një intrigë që e ka “mbytur” që në fillim presidencën e tij.

Raporti, i ofroi Trumpit një justifikim personal, por dhe një armë të re të fuqishme politike, për ta përdorur kundër kritikëve në Partinë Demokratike, dhe mediave në fillim të fushatës së tij të rizgjedhjes si president. Por fitorja e demokratëve, në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntorin e vitit të shkuar, garanton që raporti nuk është fjala e fundit mbi këtë çështje, siç mund të kishte qenë, nëse republikanët do të kishin ende monopolin e pushtetit në Uashington.

Udhëheqësit demokratë po kërkojnë publikimin e plotë të raportit, dhe po sfidojnë interpretimin e kryerprokurorit Barr, mbi gjetjet e Robert Mylerit. Megjithëse analiza e Barr, sugjeron që raporti i Myler është i nuancuar, dhe nuk e përjashton tërësisht presidentin nga akuzat për pengim të drejtësisë, simbolizmi politik është i pamohueshëm.

Është e qartë, që gjetjet nuk kanë llojin e përgjegjësive, që mund të mbante gjallë shpresën e vakët të publikut, për një proces të mundshëm të fajësimit (impeachment), që dhe mund të kishte një ndikim të thellë në presidencën e tij. Kritikët e Trump do të ndjejnë se prokurori i posaçëm, i ka bërë presidentit një dhuratë të madhe politike. Dhe kjo është e gjitha.

Por një interpretim tjetër i raportit është se, nëse presidenti nuk është fajtor për krimin që akuzohej se kishte kryer, vendimi i prokurorit të posaçëm, do të thotë se Trump po merrte të drejtën e tij, pas një procesi të rregullt ligjor.

Lënë mënjanë anësitë politike, përfundimet e Mylerit duhet të interpretohen, si një moment i një lehtësimi të madh kombëtar. Një vlerësim i kundërt, do të thoshte që presidenti aktual, kishte bashkëpunuar me një fuqi të huaj armiqësore, për të shkatërruar demokracinë amerikane.

Pra, kombi ka gjasa të shpëtojë nga një makth i gjatë politik, që do të kishte vënë në provë sistemin kushtetues, dhe do të thellonte më tej polarizimin aktual në politikë, që nganjëherë ndihet sikur po e ndan vendin më dysh.

Qartësia e fortë e mesazhit “jo bashkëpunim me rusët”, i jep një forcë të madhe presidentit Trump. Çështja është se si do të reagojë ai tani. A do ta shfrytëzojë këtë shans për të ripërtërirë presidencën e tij, për të hequr retorikën luftënxitëse, që ndikoi në humbjen e mbështetësve në zona të rëndësishme periferike, në zgjedhjet e mesit të mandatit, dhe të përpiqet të zgjerojë mbështetjen e tij?

Ka shumë gjasa, që Trump i çliruar nga hija e skandalit rus, të hakmerrej ndaj atyre që e vunë në shënjestër. Që tani, janë duke u përshkëllëzuar sulmet e ashpra ndaj mediave që e mbuluan imtësisht hetimin e Myller, nga ndihmësit e Trump dhe gazetarët e mediave pranë tij.

Një këshilltar i Trump, i tha Xhimës Akostas të CNN, se Trump mund të “godasë dhe poshtërojë mediat”.

Por, ndërsa Trump e ka fituar betejën fillestare mbi raportin, lufta e Uashingtonit mbi implikimet e saj vetëm sa ka filluar. Demokratët në Kongres po kërkojnë publikimin e plotë të raportit, dhe premtojnë të nisin hetimet e tyre, tani që Myler është larguar nga skena.

“Ne nuk mund të mbështetemi thjesht tek ajo që mund të jetë një interpretim partizan, i fakteve të zbuluara gjatë një hetimit 22-mujor, të shkeljeve të mundshme nga presidenti. Amerikanët meritojnë të shohin faktet, dhe gjykojnë veprimet e presidentit për veten e tyre”-tha kongresmeni demokrat Xherri Nadler.

Ndërkohë, hetimi i Myler i hodhi poshtë pretendimet e Trump, se ai ishte duke drejtuar një “gjueti shtrigash”, dhe zhvleftësoi këmbënguljen e tij se ndërhyrja e rusëve në zgjedhje, ishte një mashtrim i madh. Fakti që Myler, ka dhënë një vlerësim të tillë pas 2 vitesh demonizimi të vazhdueshëm nga Trump dhe mbështetësit e tij, tregon historinë e një procesi gjyqësor, që ndryshe nga politika aktuale, vepron ende në bazë të fakteve.

Sipas letrës së kryeprokurorit Barr, Myler tregoi se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje për të dëmtuar rivalen e Trump. Gjithësesi, në një botë ideale, raporti do të zhdukte trashëgiminë helmatisëse të zgjedhjeve të vitit 2016. Por, tema është kaq emocionuese – dhe ka akoma shumë dyshime rreth sjelljes së Trump – sa që shpresa të tilla do të jenë të kota.

Ka zëra në rritje, se Trump mund të shfrytëzojë momentin për të falur bashkëpunëtorët e kapur në “rrjetën” e Myler, për krimet që nuk lidhen me një komplot bashkëpunimi me Rusinë. Kjo mund të përfshijë ish-shefin e tij të fushatës, Pol Manafort, i cili po përballet me një dënim total prej 7 vite e gjysmë burg për mashtrim, komplot dhe kundravajtje.

Ish-këshilltari politik i Trumpit, Roxher Stoun do të dalë në gjyq në nëntor të këtij viti, me akuzën e mashtrimit të hetuesve, rreth kontakteve të tij me Ëikileaks, faqja që botoi e-mailet e Konventës së Demokratëve, të vjedhura nga Rusia. Ndërkohë paraqitja e pjesshme e raportit të Mylerit, e ofruar nga Barr lë një mori pyetjesh pa përgjigje.

Më intriguesja është, pse Trump ka vepruar në një mënyrë kaq hakmarrëse dhe në panik, duke shkaktuar dyshime se ai po përpiqej të mbulonte diçka? Pse shkarkoi ish-drejtorin e FBI-së Xhejms Komej, duke pranuar se e bëri këtë, për shkak të hetimit mbi lidhjet e dyshuara me Rusinë?

Ky vendim katastrofik, çoi në nisjen e hetimit të Mylerit, që nuk dërgoi në burg vetëm disa nga bashkëpunëtorë e Trump, por çoi në ndjekjen e akuzave të tjera, mbi jetën personale dhe bizneset e presidentit, që mund të sjellin dëme akoma më të konsiderueshme ligjore.

Një çështje tjetër e pazgjidhur është, se pse kaq shumë njerëz, duke përfshirë edhe vetë presidentin, gënjejnë për kontaktet e shumta me rusët, dhe pastaj synojnë t’i mbulojnë ato, si për shembull një takim në Trump Toëer, mes ekipit të tij të fushatës zgjedhore dhe rusëve, që i ofrojnë “papastërtitë” e Hilari Klinton.

Ka mundësi që raporti i Myllerit të tregojë, se pavarësisht se nuk ka kryer ndonjë vepër penale, fushata e Trump e vitit 2016, është fajtore për shkelje të rënda etike, që mund të kenë ndikuar në rrjedhën e një palë zgjedhjeve që u ndanë me një rezultat të ngushtë, nëse amerikanët do të kishin njohuri rreth tyre në atë kohë.

Derikur raporti të publikohet i plotë, nuk do të ketë përgjigje ndaj pyetjeve të tilla, dhe intrigat politike rreth Shtëpisë së Bardhë mbi Rusinë thjesht do të rriten, pavarësisht nga fitorja e fundit e presidentit./“CNN” – bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb